Autoritetit në Kolonjë për memorialin "Shtegu i Lirisë" dhe zbatimin e manualit për verifikimin e figurave në dhënien e titujve të nderit nga Këshillit Bashkiak.

Kolonjë, 25 Shkurt 2025 – Historia nuk mund të mbetet e fshehur. As ata që e shkruan me dhimbje dhe gjak, as ata që tentuan ta zhbëjnë. 

Në një takim domethënës me kryetarin e Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai, dhe ekipin e tij drejtues, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) solli në vëmendje një sërë iniciativash që synojnë të zbardhin të shkuarën dhe të nxisin reflektimin e shoqërisë mbi të.  

Në qendër të diskutimeve ishte Memoriali "Shtegu i Lirisë", një projekt për të përkujtuar shqiptarët që ranë në përpjekje për t’u larguar nga regjimi totalitar, duke kaluar kufirin mes rrezikut dhe shpresës. Artistja e njohur e artit vizual, Anila Zajmi, prezantoi konceptin artistik të këtij memoriali që do të shndërrohet në një pikë referimi për brezat e ardhshëm.  

Një tjetër iniciativë madhore e këtij bashkëpunimi është shënjimi dhe mbrojtja e vendvarrimeve të dyshuara të të pagjeturve, një angazhim për të mos lejuar që të zhdukurit të mbeten thjesht një numër në dosje. Me ndihmën e Bashkisë së Kolonjës, ky proces do të sigurojë dokumentimin dhe mbrojtjen e vendeve ku prehen ata që historia i la në harresë.  

Në respekt të ligjit dhe të drejtësisë historike, u trajtua edhe aplikimi i manualit për verifikimin e figurave që propozohen për tituj nderi. Kjo është një sfidë thelbësore për të garantuar që personalitetet e vlerësuara nga bashkitë të kenë një të shkuar të pastër, duke mos qenë të lidhur me mekanizmat shtypës të regjimit komunist.  

Ky takim konfirmoi se hapja e dosjeve dhe zbardhja e së shkuarës nuk janë vetëm një detyrë ligjore, por një domosdoshmëri për një shoqëri që dëshiron të ndërtojë të ardhmen mbi themele të së vërtetës. "Dosja e Hapur" do të vijojë të mbështesë këtë proces, duke ofruar mundësi për studiuesit dhe individët të njohin historinë dhe të kërkojnë të vërtetën e tyre.  

Kolonja sot bëhet një shembull se si kujtesa historike nuk duhet të mbetet në arkiva, por të bëhet pjesë e ndërgjegjes kolektive.