Njoftim publik
Autoriteti miraton Udhëzuesin për Rregullat dhe Procedurat e Verifikimit të Rrethanave dhe Fakteve mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit
Tirane 07.04.2023 Udhëzuesi mbështetet mbi ndryshimet e reja ligjore, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në nenin 5 të ligjit 45/2015, të cilat konsistojnë:
Së pari, me qëllim përcaktimin e gjendjes së fakteve dhe rrethanave që kanë lidhje me çështjen, organi publik, mund: a) të mbledhë deklarata nga palët, dëshmitarët dhe ekspertët duke garantuar në çdo rast konfidencialitetin e individëve; b) të marrë dokumente të tjera të dokumentuara nëpërmjet mjeteve fotografike të regjistrimit ose mjeteve të tjera teknike; c) të vizitojë dhe të kontrollojë sende apo vende të përfshira.
Së dyti, çdo person është i detyruar të bashkëpunojë me Autoritetin kur i kërkohet informacion si person i përfshirë ose që ka dijeni për rrethanat e çështjes, apo kur ai vetë disponon informacion që e ndihmon Autoritetin në punën e tij. Autoriteti në zbatim të këtij ligji ka detyrimin të garantojë konfidencialitetin për çdo person që bashkëpunon.
Në zbatim të ndryshimeve të mësipërme dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Administrative, me vendimin me nr. 210, datë 30.03.2023, Autoriteti vendosi: “Miratimin e Udhëzuesit për Rregulla dhe Procedura të Verifikimit të Rrethanave dhe Fakteve mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit”.
Udhëzimi ka si qëllim të garantojë një verifikim të saktë dhe të bazuar në ligj të vërtetësisë dhe origjinës së prejardhjes nga fondi i ish-Sigurimit të Shtetit i dokumenteve që disponohen nga autoritetet publike, personat fizikë apo juridikë privatë, si dhe, për aq sa është e mundur, të përmbajtjes së informacioneve dhe dokumenteve të disponuar, brenda kufijve të kompetencave të AIDSSh.
Përmes këtij udhëzimi Autoriteti e shtrin veprimtarinë në një dimension të zgjeruar të punës së tij në drejtim të verifikimit të fakteve për çështje të tilla si:
-kur kërkohet korrigjimi i një vendimi apo informacioni të dhënë apo bërë publik;
-kur vlerësohet i nevojshëm verifikimi për qartësimin dhe plotësimin e dokumentacionit mbi ngjarje apo figura historike;
-kur nevojitet verifikimi për identifikimin dhe rikuperimin e eshtrave të të zhdukurve dhe të ekzekutuarve;
-kur kërkohet, nga çdo kërkues, ofrimi i bashkëpunimit përmes dëshmive, deklaratave, informacionit dhe/ose dokumenteve mbi çdo çështje brenda qëllimit dhe objektit të veprimtarisë së AIDSSH.
Ndryshimet përmirësojnë punën e Autoritetit në gjetjen e të zhdukurve, qartësimin e rrethanave dhe faktit të interesit të të prekurit, si dhe zbatimit me eficensë i përgjegjësive të rehabilitimit financiar dhe moral të të përndjekurve politik.
Bashkëlidhur linku
Për çdo sugjerim, Info@autoriteti.gov.al