Arkivi I Dëshmive Gojore Të Përndjekjes Komuniste

Informacion për shtyp

Arkivi i dëshmive gojore të përndjekjes komuniste

Ceremoni miqësore për infrastrukturën digjitale dhuruar Autoritetit nga Ambasada Gjermane në Tiranë

Tiranë, 29 janar 2019 – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit zhvilloi në mjediset e tij një ceremoni miqësore me rastin e dhurimit të pajisjeve për mbledhjen e dëshmive gojore, nga Ambasada Gjermane në Tiranë. Aktiviteti ishte i hapur për mediat.

Mbledhja e dëshmive gojore nga AIDSSH filloi një vit më parë, në kuadër të projektit “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, i mbështetur nga PNUD Shqipëri dhe Qeveria e Italisë. Në një rrugëtim mbresëlënës në mbarë vendin, projekti i nisur më 20 shkurt mblodhi dëshmi të vyera, sipas një metodologjie profesionale dhe të mirëmenduar, e cila vijon.

Znj. Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH, foli për platformën e dëshmive gojore, zërat dhe fytyrat e viktimave e të përndjekurve politikë; rezultatet e arritura deri tani, që synojnë promovimin e vlerave demokratike të drejtësisë, së vërtetës dhe pajtimit.

Znj. Susanne Schutz, Ambasadore e Gjermanisë në Shqipëri mbajti fjalën e rastit për vijimin e projektit të mbledhjes së rrëfimeve të viktimave dhe të mbijetuarve të krimeve të së kaluarës komuniste në Shqipëri.

Në mbyllje u demonstrua procesi i mbledhjes së dëshmive gojore, platforma e dëshmive Edhe Muret Kanë Veshë dhe arkivi digjital i dëshmive të regjistruara përgjatë 2018.

Edhe Muret Kanë Veshë titullohet platforma e rrëfimeve të mbledhura nga AIDSSH. Kjo platformë komunikimi synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi të kaluarën komuniste dhe të inkurajojë dialog mes universiteteve, studiuesve, komuniteteve lokale, të mbijetuarve të diktaturës dhe familjeve të tyre, medias e publikut të gjerë.

Projekti i dëshmive gojore është zgjeruar nga bashkëpunime të frytshme të Autoritetit me partnerë. Në dhjetor të 2018, u institucionalizua bashkëpunimi për mbledhjen e rrëfimeve të të përndjekurve nga diktatura komuniste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me marrëveshjet me Zërin e Amerikës dhe Federatën Panshqiptare Vatra.

Po ashtu, u botua libri me dëshmitë e mbijetuarve të Kampit të Tepelenës, vëllimi i parë.

Platforma Edhe Muret Kanë Veshë dhe libri i dëshmive, klikohen në faqen zyrtare të Autoritetit, e cila pasurohet në vijimësi.

Dëshmitë janë pjesë e arkivit digjital të institucionit dhe ruhen me standarde bashkëkohore, krahas arkivit të dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Me historitë e mbledhura me kujdes dhe përgjegjësi, përmes zërave të padëgjuar, AIDSSH i jep një shans më shumë mbështetjes së kërkimit shkencor dhe edukimit qytetar, krahas qasjes së papenguar në dokumentet e Sigurimit të Shtetit në diktaturë.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

 

Fjala e Kryetares, Gentiana Sula

Fjala e ambasadores Gjermane, Susanne Schutz