Ambasadori Britanik në Shqipëri, z. Nicholas Abbott, viziton Autoritetin e Dosjeve dhe përshëndet progresin në zbardhjen e së kaluarës
Ambasadori Britanik në Shqipëri, z. Nicholas Abbott, vizitoi Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe shprehu vlerësimin për përpjekjet e palodhshme të stafit në drejtim të zbardhjes së së kaluarës komuniste. Ai theksoi se përparimi në këtë drejtim është jetik për të ardhmen e Shqipërisë dhe në dobi të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
"Shqipëria duhet të vazhdojë të bëjë progres në këtë fushë, për të cilën historia e së kaluarës ende mbetet një çështje e ndjeshme dhe e kontestuar. Transparenca dhe ndriçimi i së shkuarës janë thelbësore për pajtimin dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë," u shpreh ambasadori.
Ambasadori Abbott pati mundësinë të vizitonte arkivin ku ruhen dokumentet historike dhe të njihej me platformën digjitale "Mësojmë nga e kaluara – me burime parësore 1944-1991." Kjo platformë e-learning, e krijuar posaçërisht për mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar, ofron burime autentike për periudhën e regjimit komunist në Shqipëri dhe synon të pasurojë njohuritë historike të nxënësve.
Platforma përfaqëson një hap të rëndësishëm për edukimin e brezave të rinj, duke ofruar qasje në histori të bazuar mbi fakte dhe duke nxitur reflektimin kritik mbi të kaluarën. Ky bashkëpunim i frytshëm ndërmjet AIDSSH-së dhe partnerëve do të vazhdojë në funksion të ngritjes së ndërgjegjes kombëtare dhe ndriçimit të periudhës së errët të diktaturës.
Gjatë vizitës, ambasadori diskutoi me kryetaren Gentiana Sula për rolin e rëndësishëm të Autoritetit në ndriçimin e së shkuarës dhe rëndësinë e këtij procesi për të garantuar drejtësi historike dhe edukim të shëndoshë për brezat e ardhshëm.
Z. Abbott shprehu angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur më tej nisma që ndihmojnë Shqipërinë të përballet me të kaluarën e saj, duke nxitur pajtimin dhe forcimin e demokracisë në vend.