AIDSSH reagon ndaj shpifjeve të përsëritura: Arkivi është i sigurt dhe i monitoruar rreptësisht

Tiranë, 3 dhjetor 2024 – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) hedh poshtë pretendimet e pabazuara dhe të përsëritura publikuar në portalin "Pamfleti", më 25 nëntor 2024.

Artikulli që pretendon se ish-punonjësi, Vangjush Mile, ka pasur në posedim materiale sekrete të arkivit është tërësisht i pavërtetë dhe synon të cënojë imazhin e AIDSSH dhe besimin e publikut në këtë institucion kyç për shkëputjen e plotë me të kaluarën.

Organi kolegjial shqyrtoi zbatimin e procedurave të sigurisë dhe rikonfirmon se: Aksesi në ambientet ku ruhen dokumentet fizike arkivore monitorohet rreptësisht përmes kamerave dhe regjistrave, duke eliminuar çdo mundësi për abuzime.
Arkivi digjital i AIDSSH-së përmban vetëm dokumente të deklasifikuara dhe çdo pretendim se nga ai kanë rrjedhur  materiale sekrete është tërësisht e pavërtetë.

Dalja e dokumenteve nga arkiva  buron gjithmonë nga një vendim i organit kolegjial dhe kjo është e verifikueshme përmes Buletineve dhe nuk ka asnjë vendim që të lidhet me pretendimet në artikull.  Çdo pretendim se Vangjush Mile ka pasur akses në dosje të klasifikuara është dezinformim.

Ndryshe nga sa thuhet në artikull, Vangjush Mile është punësuar në AIDSSH në muajin shkurt të vitit 2024, dhe jo në 2018, pra 6 vjet më vonë. Shtetasi Mile pas emërimit, sipas procedurave ligjore dhe administrative, është pajisur gjithashtu edhe me certifikatë sigurie të lëshuar nga institucionet përkatëse. Ky informacion është i dokumentuar dhe i vërtetueshëm.

AIDSSH shprehet e shqetësuar për vazhdimin e shpifjeve të publikuara lidhur me aktivitetet e institucionit nga ky portal, i cili edhe pas sqarimeve të përsëritura për të demaskuar këto keqinformime, vijon fushatën dezinformuese me qëllim dëmtimin e reputacionit të institucionit dhe manipulimin e opinionit publik.

Kërkojmë menjëherë të ndalohet përhapja e lajmeve të pavërteta, të përgënjeshtrohet dhe të hiqet artikulli në fjalë.
Nëse kjo nuk do të ndodh AIDSSH-së do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur imazhin e tij dhe për të kërkuar përgjegjësi për shpifjet e përhapura, në vijim, nga ky portal lajmesh.

Puna jonë ka për qëllim ruajtjen e kujtesës kolektive për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe të ndërgjegjshme. Ne këtë udhëtim përballjeje dhe reflektimi, ne mbetemi të hapur, të përgjegjshëm dhe të fokusuar në të mirën publike, duke operuar gjithmonë në përputhje me ligjin dhe standardet më të larta etike.

Mbetemi të hapur dhe transparent për çdo shqetësim dhe pyetje nga media dhe qytetarët.

Për çdo informacion të mëtejshëm, ju lutemi kontaktoni AIDSSH në adresën e zëdhënëses së Autoritetit,
Migena.Demirxhiu@autoritetidosjeve.gov.al

 

#AutoritetiDosjeve #AIDSSH #GentianaSula