AIDSSH nis hetimin administrativ për verifikimin e vendvarrimeve të fshehta dhe qartësimin e fatit të 44 të zhdukurve në burgun e Spaçit
Tiranë 02.06.2023-Autoriteti për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit vendosi sot nisjen e procedurës së hetimit administrativ për verifikimin mbi vendvarrimet e dyshuara, qartësimin e fatit të dyzetekatër të zhdukurve, bashkëpunimin me organet e pushtetit lokal për ruajtjen nga tjetërsimi, si dhe bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese për rikuperimin e eshtrave të personave të vrarë ose të vdekur gjatë vuajtjes së dënimit, në burgun e Spaçit.
Grupi i specialistëve të Autoritetit, në bashkëpunim me institucionet vendore punuan për mbledhjen e fakteve paraprake, dëshmive dhe të dhënave rreth burgut të Spaçit me qëllim hedhjen dritë mbi pasojat që ka sjellë shfrytëzimi i punës dhe dhuna ndaj të dënuarve në Kampin e Punës së Detyruar-Spaç.
Autoriteti mori nismën në përkujtim të 50-vjetorit të revoltës së të burgosurve në Spaç, gjatë së cilës lindi si nevojë hetimi i thelluar mbi ngjarjen, arsyet që sollën zhvillimin e saj dhe pasojat.
Nisur nga analiza e dokumentacionit arkivor të ish- Sigurimit të Shtetit dhe dokumenteve të tjera zyrtare mbi punën e detyruar, impaktin e saj në ekonominë e vendit, dëshmitë gojore autentike të ish-të burgosurve politik në këtë kamp, si dhe nga komunikimi me institucione lokale, Autoriteti ndërtoi narativën mbi ngjarjen dhe historinë e burgut-kamp të Spaçit, ku mes të tjerash lindi nevoja e verifikimit të dyshimeve, të raportuara, për vendvarrimet e fshehta dhe qartësimit të fatit të personave që kanë humbur jetën në këtë burg, si rezultat i ekzekutimeve, vrasjeve apo edhe vdekjeve të të burgosurve gjatë vuajtjes së dënimit.
Nga kërkimet e bëra në dokumentet që gjenden në Autoritet, apo në institucione të tjera, si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, janë 44 (dyzetë e katër) ish të dënuar, që janë ekzekutuar, vrarë ose kanë vdekur nga mundimi dhe sëmundjet gjatë vuajtjes së dënimit, aksidentet në punë apo në tentativë arratisje.
Sipas hetimeve paraprake të grupit të punës janë siguruar fakte të tilla si: Personat që ekzekutoheshin, apo vdisnin gjatë vuajtjes së dënimit, varroseshin nga personeli i burgut në vende
jashtë territorit të burgut, duke u pamundësuar të afërmve të tyre, në çdo rast që të marrin trupin; vendet që kanë shërbyer si vendvarrime për të burgosurit që kanë humbur jetën në Spaç, dyshohet se gjenden pranë varrezave të fshatit Shpal, në fshatin Gëziq, Kodër Spaç, rreth 1 km në jug-perëndim të Burgut të Spaçit; si dhe në disa raste ekzekutimet janë kryer në vende, ku si kriter i vetëm ishte largësia nga zonat e banuara.
Autoritetit është në pritje të miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për mënyrën e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuar “. Autoritetit si një nga autoritetet përgjegjëse po merr masat paraprake dhe do të ndërveprojë me pushtetin vendor, Mirditë, duke siguruar mbrojtjen e vend varrimeve të identifikuara apo dyshuara, duke siguruar në çdo rast ruajtjen e integritetit të vendit të ngjarjes dhe mbetjeve mortore.
Autoriteti siguron publikun se rezultatet e këtij hetimi do të bëhen transparente dhe me punën e tij të të thelluar, në bashkëpunim me institucione përgjegjëse, do të bëjë ç ‘është e mundur që plaga e pambyllur e familjeve të cilat janë kërkim të qartësimit të fatit të familjarit të tyre, vrarë pa gjyq apo ekzekutuar në kushte jo njerëzore, të mbyllet me gjetjen e tyre dhe nderimin që u takon, pranë familjeve.