TIRANË, 3 SHKURT 2022 – TIRANË, 3 SHKURT 2022 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Policia e Shtetit nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për garantimin e realizimit të një procesi të rregullt ligjor të identifikimit dhe rikuperimit të trupave të atyre që u zhdukën ose u ekzekutuan gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Marrëveshja u nënshkrua në mjediset e Policisë së Shtetit nga z. Gledis Nano, Drejtues Madhor i Policisë së Shtetit dhe znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit, në praninë e përfaqësuesve të institucioneve publike dhe ndërkombëtare.
Z. Gledis Nano theksoi rolin e Policisë së Shtetit në gjetjen, hetimin dhe identifikimin e personave të zhdukur, bazuar edhe në marrëveshjen e Qeverisë Shqiptare me ICMP dhe institucione të tjera të përfshira, e sanksionuar nga Kuvendi i Shqipërisë në nëntor 2018.
Znj. Gentiana Sula falënderoi Policinë e Shtetit për gatishmërinë në çuarje përpara të çështjes dhe vuri në dukje fytyrën njerëzore që merr ky proces, me trajtimin e duhur, sipas kuadrit ligjor shqiptar dhe ndërkombëtar për të zhdukurit.
Objekt i saj është bashkërendimi i veprimtarisë së dy institucioneve dhe forcimi i bashkëpunimit për të garantuar proces të rregullt ligjor të identifikimit dhe rikuperimit të trupave të atyre që u zhdukën ose ekzekutuan gjatë periudhës së komunizmit, duke marrë parasysh që krimi i zhdukjes me forcë është krim kundër njerëzimit, që shkel një sërë të drejtash të njeriut dhe shkakton viktima të shumëfishta, jo vetëm personat e zhdukur, por edhe familjarët e tyre apo persona të tjerë që kanë vuajtur drejtpërdrejt pasojat e krimit.
E drejta e familjarëve për të ditur mbi fatin e të afërmve të tyre është një e drejtë njerëzore, që nuk iu nënshtrohet kufizimeve, ashtu si zhdukja me forcë është një krim që nuk parashkruhet, por zgjat derisa të përcaktohet fati dhe vendndodhja e viktimës, dhe njihet detyrimi dhe përgjegjësia e shtetit për të hetuar në mënyrë të efektshme, në zbatim të legjislacionit vendas dhe akteve ndërkombëtare të ratifikuara më ligj.
Nisur nga respektimi i të drejtës për dinjitet, të drejtës për jetën, të drejtës së familjarëve për të njohur të vërtetën mbi fatin e të afërmve të tyre, të drejtës procedurale për hetim efektiv, detyrimi për të respektuar eshtrat njerëzore, e drejta për të respektuar kujtimin e një të afërmi të ndjerë (e drejta e memories) dhe çdo akt tjetër ligjor dhe nënligjor në fuqi i lidhur me këtë proces, me ndryshimet ligjore të korrikut 2020, Autoriteti ”bashkëpunon me institucionet shtetërore qendrore dhe vendore për procesin e identifikimit dhe rikuperimit të trupave të atyre që u zhdukën ose u ekzekutuan gjatë komunizmit, si dhe për marrjen e masave për të mbrojtur dhe ruajtur në mënyrën më të përshtatshme vendet që janë aktualisht apo do të identifikohen si vendvarrime.
Rregullat e bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit dhe institucioneve qendrore dhe vendore për identifikimin dhe rikuperimin e trupave të zhdukur gjatë komunizmit parashikohen në marrëveshje dy apo shumëpalëshe të lidhura për këtë qëllim.
Autoritetet përgjegjëse dhe mënyra e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuara përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”
Marrëveshja me Policinë e Shtetit është e para që nënshkruhet në mbështetje të këtij ligji, dhe do të pasohet nga marrëveshje me institucione të tjera të përfshira në proces, për të bashkërenduar punën me autoritetet përgjegjëse dhe mënyrën e mbrojtjes e të ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuara, pas miratimit të VKM-së përkatëse