AIDSSH marrëveshje me AQSHF, për një qasje e re në rishikimin e së shkuarës përmes kinemasë

Tiranë, 4.03.2025-Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për të rikthyer kujtesën kolektive përmes analizës së filmave dhe dokumenteve arkivore. Me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer, kjo nismë synon të hedhë dritë mbi realitetin e periudhës komuniste, duke vënë në fokus ndikimin e propagandës në kinemanë e kohës.

Çfarë sjell kjo marrëveshje?

"Klubi i Filmit" – Një hapësirë diskutimi mbi filmat e realizmit socialist dhe përqasjen e tyre me dokumentet e Arkivit të ish-Sigurimit të Shtetit. Shfaqje filmash dhe analiza historike për të nxjerrë në pah mesazhet e fshehura dhe për të dekonstruktuar propagandën e kohës.

Diskutime me studiues, kineastë dhe ekspertë mbi ndikimin e këtyre filmave në shoqërinë shqiptare. Projekti do të angazhojë akademikë, studentë, përfaqësues të mediave si RTSH dhe AMA, si dhe institucione vendore, duke ofruar një platformë për reflektim mbi të shkuarën.

Historia duhet ballafaquar me dokumentet! Filmat propagandistikë krijuan një realitet të shtrembëruar, duke ndikuar në perceptimin e historisë dhe përçmuar kundërshtarët politikë. Përmes kësaj nisme, AIDSSH dhe AQSHF synojnë të sjellin një analizë të thelluar për të ndarë faktet nga manipulimi dhe për të ndihmuar në ndriçimin e të kaluarës sonë.