Raportimi I AIDSSH-Së Në Kuvend Për Vitin 2018

Tiranë, 10 prill 2019 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit raportoi për punën e tij gjatë vitit 2018 në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë.

Kryetarja e AIDSSH-së, znj. Gentiana Sula bëri një paraqitje të produkteve dhe arritjeve të veprimtarisë së institucionit, duke renditur treguesit kryesorë të fluksit të punës së deritanishme: rreth 1000 kërkesa individuale, ku për rreth 700 prej tyre ka përfunduar procesi; 1300 zyrtarë të verifikuar për dhënien e informacionit mbi ekzistencën e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit  nga kërkesat institucionale; rreth 200 kërkesa nga studiues dhe media, ku janë shërbyer qindra dosje dhe janë digjitalizuar mbi 150 mijë faqe dokumente.

Që nga krijimi e deri më sot, në adresë të Autoritetit janë paraqitur rreth 80 kërkesa me objekt rehabilitimin dhe qartësimin e fatit të vdekurve apo të të zhdukurve, pjesa më e madhe të përfunduara, në proces verifikimi 22 kërkesa.

Gjatë vitit 2019, për shkak të ligjit të vettingut në Policinë e Shtetit dhe për faktin që është vit zgjedhor, pritet dhjetëfishim i punës së Autoritetit.

E fokusuar në tre drejtime: – aksesi i çdo qytetari në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit sipas ligjit 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit” dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij; vlerësimi i cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve/zyrtarëve përpara emërimit apo ngritjes në detyrë, kur kjo kërkohet nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, sipas një hierarkie të parashikuar në ligj, si dhe të gjithë të zgjedhurve nga populli, deputetë dhe të zgjedhur vendorë, dhe krijimi i infrastrukturës së duhur për mundësimin e kërkimit shkencor dhe informimin e medias mbi veprimtarinë dhe historikun e ish-Sigurimit të Shtetit, – puna e Autoritetit ka njohur jo pak sfida.

Sipas kryetares Sula, “administrimi i disa qindra mijëra dosjeve, mbi 2.2 km dokumente, ku rreth 70% e tyre përbëjnë sekret shtetëror dhe vënia e tyre në dispozicion të publikut, po ashtu, arritja e sa më shumë qytetarëve, të interesuarve dhe rinisë me informacion mbi të kaluarën, nëpërmjet një strategjie gjithëpërfshirëse komunikimi, që fokusohet te të përndjekurit, familjet e tyre dhe shoqatat e të drejtave të njeriut, të rinjtë dhe publiku i gjerë, e ka zgjeruar ndjeshëm hartën e veprimtarisë së AIDSSH-së në 2018, me komunitetet lokale, si në Shkodër, Tepelenë, Konispol, Pukë, Mirditë, Berat, Korçë e Gjirokastër. Po ashtu, jashtë vendit, me marrëveshje bashkëpunimi apo shkëmbime përvojash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Zvicër, Çeki, Poloni, Bullgari, Rumani, Izrael, duke arritur shumë individë, bashkësi dhe institucione të kujtesës”.

Relatori, z. Shametaj, paraqiti komentet për punën e Autoritetit dhe sugjerimet për të ardhmen. Pjesë e diskutimeve, me pyetjet dhe sugjerimet përkatëse ishin deputetët Fino, Hysi dhe Braho, të cilët e vunë theksin te aktiviteti i Autoritetit për informimin e shoqërisë, që te verifikimi i figurave, deri te rikrijimi i kuadrit historik përmes kërkimit shkencor. Sipas kryetarit të komisonit, z. Ulsi Manja “roli i Autoritetit në zbardhjen e së shkuarës, nëpërmjet dokumentacionit arkivor të administruar, është shumë i rëndësishëm për shoqërinë e sotme shqiptare, që hedh hapa drejt Europës dhe duhet të ndahet qartësisht nga e shkuara komuniste”.

Në emër të Autoritetit, kryetarja Sula paraqiti nevojën për disa ndryshime ligjore, referuar praktikave të krijuara, problematikave të shfaqura gjatë ushtrimit të detyrave funksionale të institucionit, dhe në kuadër të vendosjes së standardeve e unifikimit apo përafrimit të legjislacionit midis Autoritetit dhe institucioneve të tjera kushtetuese apo të pavarura.

Për këtë, është parësor bashkëpunimi ndërinstitucional, ku AIDSSH është i gatshëm të jetë pjesë edhe e grupeve të punës mbi reformën në sistemin zgjedhor, partitë politike, etj.

Ndryshimet e kërkuara ligjore kanë të bëjnë me Ligjin 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;  Ligjin 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, në vijim të bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe praktikave të krijuara, lidhur me procesin e verifikimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të punonjësve të MEPJ; Ligjin nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”,  i ndryshuar, me draft/propozim për përmirësime të nevojshme të kuadrit ligjor zgjedhor, për qëllime të transparencës së figurës së kandidatëve gjatë fushatave elektorale, që komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore mund t’i materializojë në dispozita të reja ligjore, si dhe Ndryshime të mundshme në Vendimin nr.188 datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, si dhe në Pyetësorin e Sigurisë, në këndvështrimin ligjor të Autoritetit.

Ndryshimet e mësipërme si dhe kërkesat konkrete për mirëfunksionimin e punës së AIDSSH-së iu përcollën Kuvendit të Shqipërisë