Përurohet ekspozita e jashtme e përhershme në ish-kampin e Maliqit

𝐌𝐚𝐥𝐢𝐪, 𝟏𝟕 𝐬𝐡𝐤𝐮𝐫𝐭 𝟐𝟎𝟐𝟐– Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, në bashkëpunim me Bashkinë dhe Këshillin Bashkiak të Maliqit, në mbyllje të projektit ICMP-AIDSSH “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit: të zhdukurit të komunizëm”, të mbështetur nga BE dhe Ambasada Zvicerane, përuruan ekspozitën e përhershme informuese mbi ish-kampin e punës në Maliq.

Ekspozita e jashtme e përhershme informuese është përgatitur mbi hulumtimin e të dhënave arkivore mbi të dënuarit në kampin e punës të Orman-Pojanit, Vloçishtit. Informacionet janë paraqitur në shqip dhe anglisht për të gjithë ata që duan të njihen me historinë e zonës dhe të informohen për të shkuarën e tij.

Këshilli Bashkiak Maliq, në mbledhjen e datës 4 shkurt, miratoi kthimin në vend ndërgjegjësimi të kthesës së Pocestës në Vloçisht dhe vendosjen e pllakateve përkujtimore në të, propozim i hershëm i AIDSSH, i mbështetur nga shoqatat e të përndjekurve në zonë.

Aktiviteti u zhvillua fillimisht në Bashkinë Maliq, me pjesëmarrjen e Kryetarit të Bashkisë, z. Gëzim Topçiu, Kryetarit të Këshillit Bashkiak, z. Ornildi Demollari, mbesës së inxhinier Kujtim Beqirit, znj. Liliana Çoçoli, Drejtueses së Seksionit të Qeverisjes dhe të Drejtave në Njeriut në BE, z. Lenka Vitkova, dhe drejtueses së Këshillit të Europës në Shqipëri, znj. Jutta Gïtzkow.

𝐙𝐧𝐣. 𝐆𝐞𝐧𝐭𝐢𝐚𝐧𝐚 𝐒𝐮𝐥𝐚, Kryetare e Autoritetit, theksoi rëndësinë e vendosjes së memorialit mbi kampin e Maliqit për informimin e brezave dhe të rinjve. Përurimi i tij është një nismë e finalizuar e Autoritetit, e nisur që në 2019, me kërkesën e bërë Bashkisë Maliq.

𝐙. 𝐆𝐞̈𝐳𝐢𝐦 𝐓𝐨𝐩𝐜̧𝐢𝐮, Kryetar i Bashkisë Maliq nënvizoi rëndësinë e kësaj dite për kthimin në vend ndërgjegjësimi të kthesës së Pocestës dhe bërjen të vizitueshëm për të rinjtë e të interesuarit. Ai shprehu gatishmërinë për bashkëpunimin me Autoritetin dhe institucionet e tjera për hapësirën e Muzeut Maliq.

𝐙. 𝐎𝐫𝐧𝐢𝐥𝐝𝐢 𝐃𝐞𝐦𝐨𝐥𝐥𝐚𝐫𝐢, Kryetar i Këshillit Bashkiak Maliq foli mbi vendimin e këshillit, duke nderuar të gjithë ata që vuajtën apo humbën jetën në Maliq.

𝐙𝐧𝐣. 𝐋𝐢𝐥𝐢𝐚𝐧𝐚 𝐂̧𝐨𝐜̧𝐨𝐥𝐢, mbesa e inxhinier Kujtim Beqirit, i cili u dënua me varje si “sabotues” i tharjes së kënetës së Maliqit, e cila përfundoi më shumë se një dekadë më pas, solli zërin e familjeve, të cilat, të dënuara e ndëshkuara në vite si “armike të popullit”, vuajtën stigmën gjatë komunizmit. Personalitete të nderuara në botë e në Shqipëri, me vepra të cilat ende sot janë vlerë e infrastrukturës publike, ata u dënuan pa faj, me gjyqe publike, për faje të stisura. Mbi “sabotimin” e tyre u ngritën ngrehina të propagandës, filma e romane, që shtrembëruan të vërtetën dhe ende u dhembin familjarëve të parehabilituar.

𝐙𝐧𝐣. 𝐋𝐞𝐧𝐤𝐚 𝐕𝐢𝐭𝐤𝐨𝐯𝐚, Drejtuese e Seksionit të Qeverisjes dhe të Drejtave në Njeriut në BE, foli në emër të projektit të përbashkët AIDSSH-ICMP, produkte të të cilit ishin edhe pllakatet e vendosura në Tepelenë dhe Maliq. Znj. Vitkova theksoi vlerën e përkujtimit dhe punën për të zhdukurit, si mbështetje e BE-së për Autoritetin dhe institucionet.

𝐙. 𝐒𝐢𝐦𝐨𝐧 𝐌𝐢𝐫𝐚𝐤𝐚𝐣, anëtar i Autoritetit, citoi një sonet të Uran Kostrecit mbi kënetën e Maliqit dhe vlerësoi organizime të tilla, ku institucionet dhe familjarët bëhen bashkë për të nderuar të dënuarit pa faj në komunizëm.

𝐙. 𝐘𝐥𝐛𝐞𝐫 𝐌𝐞𝐫𝐝𝐚𝐧𝐢, Kryetar i shoqatës së të përndjekurve politikë në Korcë shprehu kënaqësinë për një dëshirë të realizuar, kërkesë e hershme e tyre, që u mundëson familjarëve të ndezin një qiri për të dashurit e tyre pa varr.

Më pas, aktiviteti u zhvendos në kthesën e Pocestës, në Vloçisht, për zbulimin e pllakateve dhe ceremoninë e përurimit.

Kampi i Orman Pojanit u mbiquajt “kampi i vdekjes”. Mijëra jetë njerëzore punuan për tharjen e kënetës, mes të cilëve shumë intelektualë, si, Mitrush Kuteli, Jusuf Vrioni, Arshi Pipa, Sami Repishti, Halit Selfo, Vexhi Buharaja, Pashko Gjeçi, Sulejman Vuçitërna, Hafiz Ali Kraja, Atë Josif Papamihali, sot martir, etj.

Të pranishëm në ceremoni ishin familjarë të të pagjeturve të komunizmit në zonën e Maliqit, të ndëshkuarve në kampin me punë të detyruar; përfaqësues të Institutit për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, shoqata të të përndjekurve dhe kujtesës, përfaqësues të institucioneve, Prokuroria, Policia Rajonale, Universiteti i Korçës, ICMP për Shqipërinë, përfaqësues të komuniteteve fetare të zonës, përfaqësues të grupeve të interesit, trupit diplomatik, aktorë të shoqërisë civile, gazetarë dhe të rinj.

Në takim u shpërndanë kopje të botimit të AIDSSH “E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit”, ku zbardhen materialet e Sigurimit mbi grupin e dënuar dhe stigmatizuar si “sabotator”, në vitin 1946. Libri u prezantua në shtator 2021, në Bashkinë Maliq, kur edhe u premtua vendosja e pllakateve përkujtimore nga kryetari i Bashkisë, z. Topçiu.

Sfida për kthimin e zonës në vend kujtese, të vizitueshme nga të rinjtë e shkollave mbetet e hapur.

***

Këneta e Maliqit zinte një sipërfaqe shumë të madhe toke dhe ishte bërë burim sëmundjesh malarike për zonën. Plani për tharjen e saj ishte hartuar në vitin 1936, nga inxhinieri italian Angelo Omodeo, në përfundim të të cilit parashikoheshin të thaheshin 4500 ha tokë dhe të bonifikoheshin 4500 të tjera.

Në fillim të vitit 1946, Ministria e Punëve Botore, e bazuar në projektin e Omodeos, hartoi një plan pune për tharjen e kënetës së Maliqit, pa një studim paraprak mbi planin e Omodeos. Koha tregoi se një studim mbi projektin kishte qenë shumë i nevojshëm.

Më 29 mars 1955, Qeveria Amerikane paraqiti në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në sesionin e Këshillit Ekonomik e Shoqëror, raportin me objekt “Evidenca e ekzistencës të punës së detyruar në Shqipëri”, ku flitet mbi punën e detyrueshme ose punën me “përdhunë” (siç edhe e cilëson raporti i qeverisë amerikane), bërë nga të burgosurit politikë shqiptarë në “kampet e vdekjes” (citim i raportit).

“Qeveria shqiptare nuk bënë asnjë tentativë për të fshehur faktin se ajo kërkon punë të detyruar nga persona kundërshtarë politikë dhe “dembelë”, shumica e të cilëve janë nga klasa ish- borgjeze ose pronarë tokash.” citon raporti i Qeverisë Amerikane në sesionin e OKB-së të 1955.

Raporti amerikan cilëson se “në dekadën e parë të qeverisjes së komunistëve (1944-1954) u ngritën 40 burgje politike dhe kampe koncentrimi, në të cilët kanë kaluar 80 mijë burra, gra e fëmijë nga të cilët, 16 mijë kanë humbur jetën. Në vitin 1954 punojnë 15 mijë të burgosur politikë në kampe koncentrimi, që përfshijnë ndërtim hidrocentralesh, rrugësh, tharje kënetash.”

Ky raport u përcoll me shqetësim nga Ministri i Jashtëm i Republikës Popullore të Shqipërisë, i cili në shkresën dërguar Komitetit Qendror të Partisë së Punës e konsideron “çpifje në lidhje me të ashtuquajturën ‘punë të detyruar’ në vendin tonë”