Përkujtohet 30 gushti, Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve – Shenjëzohet: Vendvarrim i dyshuar tek vorret e Rrmajit në Shkodër

Shkodër, 30 Gusht 2023-Në kuadër të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Autoriteti organizoi takime dhe aktivitete në drejtim të adresimit të çështjes së personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, të cilat konsistuan:

Së pari në përpunimin e një qasje të duhur të draft-Vendimit të Këshillit të Ministrave për të zhdukurit, i cili do të mundësojë në praktikë realizimin e hapave themeltar të identifikimit të vendvarrimeve të dyshuara dhe të qartësimit të fatit dhe rikuperimit të eshtrave të personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri,

Së dyti në avancimin e bashkëpunimit të Autoritetit me Bashkinë Shkodër për rrethimin, ruajtjen dhe vendosjen e tabelës identifikuese si vendvarrim i dyshuar, në varrezat e Rmajës, mbrapa Kishës Katolike. Vendosja e kësaj tabele përcakton faktin ligjor se vendi i dyshuar nuk shkelet dhe nuk tjetërsohet nga askush.

Gjatë paradites takimet nisën me diskutim  e draft-Vendimin e Këshillit të Ministrave për të zhdukurit “Për caktimin e autoriteteve përgjegjëse për gjetjen, identifikimin dhe rikuperimin e eshtrave të personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri, 29 Nëntor 1944 deri 2 Korrik 1991, si dhe mënyrën e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuara si të tilla, të personave të zhdukur në këtë periudhë”, në të cilat morën pjesë Përfaqësues të Autoritetit, OSBE-së dhe grupet e interesit, shoqata të të përndjekurve politikë, përfaqësues të policisë e prokurorisë.

Pjesëmarrësit theksuan nevojën e qartësimit të përgjegjësive dhe kompetencave institucionale për urdhërim veprimesh dhe nxjerrje aktesh të tilla si leja e gërmimit, zhvarrimi, leja e varrimit; koordimin ndërinstitucional, dhe me autoritetet vendore; krijimi i bazës së të dhënave unike, të harmonizuara, për personat e zhdukur, si dhe çështje të tjera që lehtësojnë procesin etj.

Më pas Autoriteti, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, vendosi tabelën informuese që  shënjon si “Vendvarrim i dyshuar”, vendin e quajtur “vorret e Rrmajit’, mbrapa Varreza Katolike në Shkodër.  Të pranishëm ishin dhe familjarë të të pagjeturve të komunizmit në zonën e Shkodrës e Malësisë së Madhe; shoqata të të përndjekurve dhe kujtesës, përfaqësues të grupeve të interesit e komuniteteve fetare, aktorë të shoqërisë civile, gazetarë etj.

Në tabelë shkruhet : “Ky vend nuk mund të shkelet as të ndërhyhet nga askush, deri sa të jetë kryer i plotë kërkimi për gjetjen dhe rikuperimin e eshtrave të personave të zhdukur që mund të jenë në këtë  vend. Duke ruajtur vendvarrimet dhe vendet e dyshuara si të tilla, me eshtra të të vrarëve dhe zhdukurve nga regjimi komunist, ne respektojmë historinë tonë, identitetin tonë dhe dinjitetin tonë.”

Në përfundim Kryetarja e Autoritetit Dr. Gentiana Sula mbajti një takim me Kryetarin e Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci me të cilin diskutoi mbi bashkëpunim mbi projekte të përbashkëta në fushën e kujtesës dhe të dialogut lokal.

Gjatë punës Autoriteti ka  marrë në shqyrtim kërkesat familjarëve, shoqatave të ish-të përndjekurve politikë dhe Arqipeshkëvisë Shkodër të cilat i janë drejtuar për veprim institucioneve në drejtim të gjetjes së personave të zhdukur gjatë komunizmit.  

Në zbatim të Konventës kundër Zhdukjeve me Forcë, AIDSSH, përmes akteve ligjore, është përcaktuar si ndërmjetës mes familjarëve të të pagjeturve dhe institucioneve ligjzbatuese, për të referuar rastet e raportuara nga familjarët dhe së dyti, për t’i kërkuar qeverisë që të përcaktojë zinxhirin e roleve të çdo institucioni, përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave. 

Autoriteti së fundmi miratoi fillimin e procedurës së verifikimit të thelluar administrativ  me qëllim identifikimin e vendvarrimeve të personave të vdekur ose të zhdukur në Shkodër si dhe  qartësimin e fatit, identifikimin dhe rikuperimin e eshtrave të personave të vdekur ose të zhdukur nga Shkodra, ose në Shkodër.

Procesi mori indicje pas kërkesave: si ajo e shtetasit Hamza Kazazi, i cili prej vitesh kërkon eshtrat e të atit dhe u është drejtuar për veprim institucioneve;  të 13 familjarëve të viktimave ende të pagjetur, të pushkatuar në zallin e Kirit në Shkodër ose dhe në vendekzekutime të tjera të raportuara;  Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, Shkodër për një numër të lartë të të pagjeturve, si dhe kërkesave të Arqipeshkëvisë Shkodër për 28 priftërinjtë e pushkatuar gjatë regjimit komunist.

Vendvarrime të tjera, të dyshuara, të raportuara në Shkodër si tek ish-ndërmarrja artistike Shkodër, tek fusha e aviacionit në fshatin Shtoj dhe në Guci,  janë tashmë objekt i verifikimit administrativ të nisur.

Procesi synon mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, dokumenteve, dëshmive, kryerjen e kontrollit të vendeve dhe të sendeve, kryerjen e ekzaminimeve arkeologjike dhe antropologjike dhe vlerësimin e raporteve të ekspertizës, si dhe vlerësimin e rrethanave dhe fakteve  mbi rastet e mësipërmve.

Në këtë aksion Autoriteti ka vendosur të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse Ministria e Brendshme, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Policia Shkencore, ICMP dhe autoritetet lokale.

Shkodra dhe rrethinat e saj janë ndër zonat më të goditura nga diktatura komuniste, qoftë me të dënuar, internuar, ekzekutuar, vrarë në kufi, përballur me sistemin, me gjyqe dhe ekzekutime publike deri në vitin 1990.