Marrëveshje Mes AIDSSH Dhe Qendrës Së Bashkëpunimit Ndërfetar

Tiranë, 04 Shkurt 2019 – Sot, në mjediset e AIDSSH-së, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dhe Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar, ku morwn pjesw anëtarët e AIDSSH, z. Simon Mirakaj dhe z. Altin Hoxha si dhe Sekretarit të Përgjithshëm z. Skënder Vrioni, z. Arben Ramkaj, Kryetar i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar, Myftiu Agim Duka, Don Emilio Valente, Dervish Ardit Selmani, At Stavri Çipi dhe Sokol Lulgjuraj, Koordinator.

Objekt i marrëveshjes është institucionalizimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit të ndërsjellë, për mbështetjen e kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së Sigurimit gjatë periudhës 29 nëntor 1944 – 2 korrik 1991, “bashkëpunim që do të zgjasë në kohë, me kontributin e studiuesve më të përgatitur dhe në kushtet e ruajtjes së të dhënave personale e interesit kombëtar”, u shpreh për të pranishmit Z. Hoxha, Anëtar i Autoritetit.

Të dy institucionet do të bashkërendojnë punën për kryerjen e studimeve shkencore në materialet arkivore, mbi rolin dhe funksionimin e ish-Sigurimit të Shtetit në shtet dhe shoqëri, gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri; do të ndërtojnë bashkërisht projekte studimore e botuese si dhe do të kryejnë hulumtime në arkivat shqiptare e të huaja për këtë periudhë.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje kemi mundësi të bashkërendojmë punën për organizimin e projekteve të përbashkëta me fokus promovimin dhe përkujtimin e vlerave, ngjarjeve që dëshmojnë periudhën për krimet e komunizmit në Shqipëri dhe periudhën që ka funksionuar ish-Sigurimi i Shtetit, që kanë patur ndikim të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë edhe mbi komunitetet fetare në vendin tone”, theksoi në fjalën e tij Z. Arben Ramkaj, Kryetar i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar.

Duke vlerësuar nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla të bashkëpunimit, Z. Sokol Lulgjuraj, bëri një prezantim të plotë të aktivitetit dhe punës së Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar

Autoriteti dhe Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar do të bashkëpunojnë për hartimin e planeve të përbashkëta vjetore të aktiviteteve për edukimin qytetar, konferencave, takimeve të punës, etj. Veprimtaria e përbashkët kërkimore-shkencore do të realizohet në kuadër të nismave rajonale, ballkanike, europiane dhe botërore, ku institucionet vënë në dispozicion të njëri-tjetrit botime, publikime, studime që kanë të bëjnë me veprimtarinë dhe funksionimin e ish-Sigurimit të Shtetit, në përputhje me kriterin e rëndësisë historike kombëtare. Ky bashkëpunim synon të konsolidojë njohjen e së shkuarës mbi baza shkencore, në funksion të transparencës dhe komunikimit profesional me opinionin publik.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar