Historia E Komunizmit Dhe Ish-Sigurimit Të Shtetit” Në Wikipedian Shqip

Tiranë, 19 dhjetor 2018 – Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim me Komunitetin “Wikimedians of Albanian Language User Group” organizon gjatë orëve 12:00 – 16:30, në ambjentet e AIDSSH (pranë Gardës së Republikës së Shqipërisë, Rr. Ibrahim Rugova, Tiranë), aktivitetin “Historia e Komunizmit dhe ish-Sigurimit të Shtetit” në Wikipedian shqip.

Ky aktivitet vjen si rezultat i bashkëpunimit të frytshëm midis dy institucioneve dhe zhvillohet në kuadër të edukimit qytetar, një ndër shtyllat e veprimtarisë së institucionit.

Wikipedia është enciklopedia më e madhe online në botë. Ndaj qëllimi i këtij aktiviteti është pasurimi i Wikipedias në gjuhën shqipe për çështje që lidhen me historinë e komunizmit dhe ish-Sigurimit të Shtetit (1944-1991).

Fjalën e hapjes dhe përshëndetjen e aktivitetit e mbajti kryetarja e AIDSSH-së, Znj. Gentiana Sula. Aktivitetin e përshëndeti edhe përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara në Tiranë, Z. Brian Williams dhe zv/ambasadori i Prezencës së OSBE.

Trajnerë të këtij workshop-i ishin Znj. Kristina Millona, gazetare dhe Z. Kevin Jasini, përfaqësues i Wikimedias shqip.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin rreth 20 të rinj, studentë të profileve të ndryshme, kryesisht histori dhe teknologji informacioni, të interesuar rreth shkrimit të historisë së të shkuarës, si dhe të tjerë të ftuar ndër të cilët edhe partnerë të AIDSSH-së dhe studiues.

Ky workshop u konkretizua me punimin e mbi 15 artikujve të përmirësuar dhe 3 artikujve të rinj të hapur mbi burime të digjitalizuara nga AIDSSH. Në fund të aktivitetit, Z. Marenglen Kasmi, anëtar i AIDSSH-së shpërndau, në shenjë mirënjohjeje ndaj të rinjve, çertifikatat e pjesëmarrjes.

Autoriteti e mbështet punën e vet dhe vijimësinë e projekteve të ndërmarra në parimet e rëndësishme të kujtesës, që e vënë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive.

Bazuar në këto parime, studimi i plotë dhe i thellë i këtyre dokumenteve do të na jepte një produkt cilësor, i cili lehtësisht do të shërbente edhe për studime të tjera në vijim, me fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete që inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë.

Për më shumë informacion rreth materialeve që do të editohen gjatë aktivitetit, vizitoni faqen:
Komunizmi