Vijojmë bashkëpunimin me OSBE-në për të zhdukurit nga diktatura

Tiranë 11 qershor 2024- Kauza e papërmbushur e kthimit pranë familjeve, të të vdekurve të pagjetur të diktaturës komuniste mbetet ende një çështje thelbësore për shoqërinë shqiptare në zbardhjen e së shkuarës dhe rishqyrtimin e historisë.

Sot me z.Mauro Puzzo, drejtues i Departamentit Ligjor të OSBE-së folëm gjerësisht mbi punën që ka bërë Autoritetit që prej vitit 2018 dhe sfidës për finalizimin dhe miratimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për gjetjen, identifikimin, rikuperimin e eshtrave dhe mënyrën e mbrojtjes e ruajtjes së vendvarrimeve të personave të zhdukur gjatë periudhës 29 nëntor 1944-2 korrik 1991”, nga i cili priten rezultate të prekshme.

Për këtë qëllim u dakordësuar thirrja e një tryeze të zgjeruar me grupet e interesit, familjarët e të zhdukurve dhe institucioneve të përcaktuara në këtë VKM për të nxitur ndjeshmërinë dhe përgjegjshmërinë në arritjen e vendimmarrje të shpejta dhe të dobishme në përmbylljen e kësaj plage shoqërore. 

Pavarësisht përpjekje të forta të Autoritetit rruga drejt zbardhjes së fatit të tyre është ende e gjatë. Dëshmitë e mbledhura tregojnë se zhdukja e trupave kanë lënë gjurmë të thella në shpirtrat e tyre dhe trauma përcillet në breza. 

Puna e kryer

Sipas të dhënave të prezantuara nga drejtuesja e Drejtorisë së Marrëdhënieve Ndërinstitucionale në Procesin e Identifikimit dhe Rikuperimit të Personave të Zhdukur, znj. Nertila Seitaj, me miratimin e kësaj strukture, janë administruar brenda vitit 2022-2023 rreth 297 kërkesa për personat e zhdukur, të paraqitur nga familjarë dhe të afërm të të zhdukurve.

Janë kryer tre hetime administrative në vendvarrimet e dyshuara si për rastet e vrasjeve në kufi, të zhdukurve gjatë vuajtjes së dënimit në Burgun e Spaçit dhe për të zhdukurit në Shkodër. Janë identifikuar 7 vendvarrime të dyshuara në lokacione si territori i burgut të Burrelit, burgu i Gjirokastrës, burgu i Shkodrës dhe Kampi i Tepelenës, zona e Spacit, etj. ndërsa 2 janë të indentifikuara plotësisht.

Grupi hetimor ka realizuar kërkime në vende të dyshuara, për të cilat janë marrë edhe dëshmi, si në Mallkeq, Bashkia Selenicë, Shën Vasil, Bashkia Sarandë, fshati Vorfë, Njësia Administrative Gruemirë, Bashkia Malësi e Madhe etj. Nëpërmjet hetimeve admistrative dhe rezultateve të tyre AIDSSH i paraqet pushtetit vendor nevojën për mostjetërsimin e këtyre vendeve të dyshuara të rrezikuara nga zhvillimet e vrullshme të infrastrukturës dhe proceseve urbanizuese. 

Së fundmi AIDSH dhe ICMP kanë miratuar protokollin e bashkëpunimit, i cili siguron asistencë ligjore për krijimin një baze të vetme të dhënash, për personat e zhdukur, të aksesueshme nga publiku, që do të shërbejë edhe për krijimin e databazës së ADN-së, së të afërmve të personave të zhdukur.

 

Rrugëtimi

 

AIDSSH u përball me kërkesat e vazhdueshme të dhjetëra familjeve, në kërkim të qartësimit të fatit të familjarit të tyre, vrarë pa gjyq apo ekzekutuar për shkaqe politike që në fillim të punës së saj, ndaj në zbatim të Konventës kundër Zhdukjeve me Forcë ka punuar për ndriçimin e kësaj historie, nëpërmjet:

a) qasjes në arkiva për gjetjet e dokumentacionit me qëllim studimin e fenomenit dhe nxitjen e reflektimit dhe të kuptuarit të tij, me realizimin e ekspozitave dhe botimeve akademike.

b) konsolidimit të aspektit institucional dhe legjislativ që çon përpara procesin e identifikimit dhe rikuperimit të eshtrave të të zhdukurve gjatë komunizmit, ku përcaktohet si ndërmjetës mes familjarëve të të pagjeturve dhe institucioneve ligjzbatuese. 

Në vitin 2018 me një ligj të posaçëm ICMP është përcaktuar si partner ndërkombëtar, për identifikimin përmes ADN-së. Në 2019 AIDSSH përpiloi së bashku me IIPP dhe ICMP hartën e vendeve ku mendohet të ketë lokacione të varreve të fshehura. Në 2020 AIDSSH u përcaktua me ligj si institucioni që ndërton marrëdhënie me çdo institucion ligjzbatues, për të referuar rastet e raportuara nga familjarët. 

Në vitin 2020 u finalizua udhërrëfyesi për familjarët, që kanë përgjegjësinë e hapit të parë për nisjen e procesit për qartësimin e fatit të familjarit të tyre, apo për raportimin e lokacionit, në rast se ka dijeni për të.

Në vitin 2022 Autoriteti, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Tiranë, punoi për hartimin e draft-VKM-së ku përcaktohet përgjegjësitë dhe modalitetet e secilës prej organeve ligjzbatuese që marrin pjesë në këtë proces si Prokuroria, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Zyra e ICMP-së Tiranë, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Instituti i Policisë Shkencore.

Puna e AIDSSH vijon me planet për realizimin e një memoriali në Ersekë në nderim të të vrarëve dhe të zhdukurve në kufi si dhe ndërtimit të një varreze monumentale në Tiranë për të zhdukurit nga diktatura, në burgje, kampe, hetuesi.

Procesi ende i papërfunduar i të zhdukurve në komunizëm ka ndikuar rëndë në shpresat e familjeve të tyre. Edhe pse kanë kaluar tre dekada nga rënia e regjimit, shumë familje ende nuk kanë gjetur paqe dhe mbeten të zhytura në dhimbje për fatin e të afërmve të tyre. Miratimi i VKM i hap rrugë procesit të gërmimeve dhe përcillet nga mbarë shoqëria si arritje humane.