Tiranë 15 shtator 2025- Historia dhe fatet e shqiptarëve në të dy anët e kufirit, në periudha kur Shqipëria jetonte nën regjimin diktatorial dhe Kosova ishte pjesë e Federatës Jugosllave, marrin sot frymë të re përmes një plani të përbashkët studimesh akademike mes Autoritetit të Dosjeve dhe Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë. Mirëpritëm Drejtoreshën e Institutit, Prof.Dr. Teuta Shala , sekretarin shkencor Prof.Ass.Dr. Arbër Hadri dhe ekspertin z. Festim Krasniqi, dhe nënshkruam një marrëveshje e rëndësishme për dokumentimin dhe kuptimin e së kaluarës së përbashkët përmes dokumenteve arkivore dhe botimeve shkencore.
Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula, theksoi rolin vendimtar të këtij bashkëpunimi dhe nevojën për qasje të përgjegjshme ndaj historisë: “Nuk do të lejojmë më që Sigurimi i Shtetit të vendosë për ne. Në rastin e shqiptarëve të Kosovës, janë krijuar dokumente stigmatizuese; ndërsa në rastin e shqiptarëve të Shqipërisë, janë vrarë njerëz dhe janë persekutuar familje të tëra. Ndaj jemi në kërkim të studiuesve dhe akademikëve të përgjegjshëm që t’i përcjellin këto ngjarje me reflektimin e duhur. Sigurisht që do të deklasifikojmë me kujdes, por duam që dokumentet tona të shërbejnë si dëshmi historike, ashtu si edhe ato të Kosovës, duke u vendosur në duar të përgjegjshme për studim, e jo të vazhdojë përbaltja e nisur nga Sigurimi i Shtetit përmes copëzimit të dokumenteve dhe rihapjes së damkosjes së familjeve.”
Prof. Dr.Teuta Shala dhe Prof.Ass.Dr. Arbër Hadri e konsideruan marrëveshjen një mundësi të re për shkëmbimin e burimeve arkivore për periudhën 1944–1991, duke ofruar një panoramë më të plotë mbi përndjekjet dhe politikat represive të ushtruara si nga Sigurimi i Shtetit në Shqipëri, ashtu edhe nga organet jugosllave në Kosovë.
Anëtari i Autoritetit z. Altin Hoxha vlerësoi punën që do të nisë me përpunimin e fondit arkivor “Kosova”, i cili do të lehtësojë qasjen e studiuesve në burime me rëndësi historike. Anëtari z. Albert Nikolla nënvizoi rolin e figurave historike e kulturës me kontribute te njohura ne dy anët e kufirit,ndërsa anetari z. Gjergj Marku theksoi nevojën për të hulumtuar fatet e shqiptarëve të Kosovës që gjetën strehë në Shqipëri, të survejuar nga strukturat e ish-Sigurimit.
z. Skënder Vrioni, anëtar, vlerësoi ngritjen e një grupi të përbashkët teknik për finalizimin e projekteve akademike të përbashkta.
#Marrëveshja parashikon:#shkëmbimin e planeve vjetore, projekteve dhe veprimtarive të përbashkëta në fillim të çdo viti kalendarik;
#organizimin e konferencave dhe simpoziumeve mbi diktaturën komuniste, ish-Sigurimin e Shtetit dhe represionin politik ndaj shqiptarëve; #pjesëmarrjen reciproke të punonjësve në ligjërata dhe kumtesa; #publikimin e studimeve të përbashkëta në revista shkencore dhe botime tematike; #informimin e ndërsjellë mbi çështje e dokumente me interes kombëtar;
#ngritjen e grupeve të përbashkëta për studimin e figurave historike dhe personaliteteve të albanologjisë; #mbledhjen dhe publikimin e materialeve arkivore sipas legjislacionit në fuqi.
Kjo marrëveshje ka një rëndësi që tejkalon fushën akademike: ajo është një akt afrimi dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës, në funksion të rishqyrtimit të së shkuarës dhe të ndërtimit te një prespektivë që parandalon përsëritjen e plagëve të së shkuarës.
Gentiana Sula Faqja Zyrtare Teuta Shala @kryesoret Albert Nikolla Skender Vrioni Gjergj Marku Altin Hoxha @ #ArbërHadri Edlir Orhani @Aurel Bektashi