Zhvillohet Konferenca ndërkombëtare shkencore “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1990”
Dritë mbi veprimtarinë e Sigurimit në vend dhe jashtë tij, ngjarje historike, profile njerëzore dhe organizata në emigrim
Tiranë, 19 shkurt 2020 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Institutin për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, Muzeun Historik Kombëtar, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Europës dhe Institutin “Ali Hadri” Prishtinë zhvilloi sot konferencën ndërkombëtare shkencore me temë “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1990”. Konferenca dhe ekspozita dokumentare mbi emigracionin u prezantuan përgjatë gjithë ditës në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.
Znj. Ardiana Topi dhe znj. Pranvera Dibra, drejtuese të arkivave të AIDSSH dhe MEPJ paraqitën ekspozitën me materiale dokumentare autentike, të deklasifikuara e të hapura për herë të parë për publikun e interesuar.
Për konferencën mbi emigracionin politik, AIDSSH dhe MEPJ ekspozuan dokumente të shumta arkivore, si pasqyra statistikore për të arratisurit, dosje drejtimi dhe kërkimi për të arratisur e të deklasuar, regjistra për personat në tentativë arratisjeje dhe albume fotografike të të arratisurve, që u përkasin qyteteve të ndryshme të vendit. Materialet arkivore janë pjesë e një fondi të pasur mbi emigracionin politik, që u është vënë në dispozicion studiuesve, mes të cilave, ngjarjet e ambasadave, organizatat politike, historia e familjes Popa dhe dosje mbi të arratisurit.
U paraqitën fakte mbi qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj veprimtarisë së të ashtuquajturit “emigracion reaksionar” jashtë vendit, Komiteti “Shqipëria e Lirë”, harta gjeografike e shpërndarjes së tij, propaganda dhe antipropaganda e përgatitur për t’u përdorur në çdo situatë, emigracioni i vjetër politik dhe shtimi i radhëve të tij me të arratisur të tjerë nga Shqipëria.
Znj. Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit, bëri një paraqitje të punës së AIDSSH që çoi në realizimin e konferencës së parë mbi emigracionin politik, në bashkëpunim me partnerët: “….Në këtë problematikë komplekse, natyrisht do të prekim temat e nxehta, por jam e sigurt që diskutimi do të vazhdojë. Rreth 13.600 persona u numëruan të arratisur në raportet e Sigurimit të Shtetit, nga 1944 deri në vitin 1990, pa llogaritur ato të ikur përmes ambasadave. Nga këta, rreth 4784 ishin gra dhe fëmijë. Dominonin këtu të ikurit e vitit 1945 dhe 1948. Në shifrat e larta të emigracionit të shqiptarëve në shekuj dhe gjatë tranzicionit të zgjatur, kjo përmasë duket vetëm një fraksion. Por ky fraksion është shumë i rëndësishëm për vendin tonë. Të integruar tërësisht në shoqëritë pritëse, sot ata paraqesin një urë të fortë komunikimi me vendet më të zhvilluara dhe me aleatët tanë. Ato nuk reshtën së dashuri Shqipërinë dhe së qeni aktivë në forma të ndryshme, duke denoncuar shkeljet e të drejtave njerëzore në Shqipërinë komuniste dhe duke ngritur zërin për të drejtat kombëtare”.
Në 30-vjetorin e ndryshimeve demokratike në vend, konferenca mbi emigracionin politik hedh dritë në një Shqipëri të survejuar, shumë të përfolur e të keqinterpretuar për vite me radhë.
Z. Bernd Borchardt, ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, u shpreh se: “Duke parë Shqipërinë e sotme, unë vërej argumente të forta që e mbështesin këtë pikëpamje akademike: Shpesh dëgjojmë – dhe sa më i ndezur debati, aq më shpesh ndodh – fajësim pa kursim për ata që mendojnë ndryshe. Nuk dëgjojmë vetëm argumente kundër këndvështrimeve të tyre, gjë që do të ishte normale, por dëgjojmë përpjekje për t’u zhbërë figurën. Dëgjojmë refuzimin e dialogut me kundërshtarin politik. Dëgjojmë sulme ndaj atyre që përpiqen të vendosin faktet përballë miteve.
E gjitha kjo më duket si mbetje nga modeli i sjelljes komuniste. Sikurse e përshkruajnë shkencëtarët, në pak vende polarizimi politik është kaq i thellë sa në Shqipëri dhe “përballja me të kaluarën”, me krimet e neveritshme të diktaturës komuniste, vetëm sa ka filluar…
Komisionet e së vërtetës kanë luajtur rol thelbësor në shumë vende pas mizorive të diktaturave. Kultura e kujtesës e lidhur me viktimat dhe me vuajtjet përforcon ndryshimin e rrëfimit që është i nevojshëm për të ndërtuar një shoqëri liberale pas shpërbërjes së një diktature. Siç e ka përkufizuar presidenti i ndjerë i Çekisë Václav Havel: ndryshimi nga “të jetosh brenda gënjeshtrës apo brenda të vërtetës”.
Thënë kjo, konferenca e sotme përbën një tjetër hap të rëndësishëm e të nevojshëm drejt të kësaj të vërtete. Vrasjet e njerëzve që përpiqeshin të largoheshin nga Shqipëria, ekzekutimi i atyre që kapeshin ndërsa përpiqeshin të largoheshin, eksodi i një pjese të mirë të elitës së para luftës në vitin 1944, largimi i detyruar i bashkëshortëve të huaj të shqiptarëve pas shkëputjes me Bashkimin Sovjetik – së bashku sollën kaq shumë dhimbje te njerëzit. Kjo vuajtje e meriton të theksohet këtu – dhe të jetë pjesë e përballjes me të kaluarën e keqe”.
Koordinatori i Përhershëm i OKB në Shqipëri, z. Brian Williams, tha se: “Nëse kam një mesazh për të transmetuar sot për këtë konferencë, është që Kombet e Bashkuara besojnë fuqimisht që zbulimi i plotë dhe i vërtetë e së shkuarës ka vlerë direkte sa i takon përpjekjeve të sotme për të ndërtuar demokracinë. Ka lindur nevoja për një proces gjithëpërfshirës të zbulimit të së vërtetës në Shqipëri- dhe këtu dua të nënvizoj e mbështes çdo gjë që kolegu im i OSBE tha mbi këtë temë.
Historia e Shqipërisë ka rëndësi absolute për situatën e sotme. Si mund t’u kërkosh qytetarëve t’u besojnë institucioneve qeverisëse, nëse këto institucione nuk hedhin dritë dhe nuk bëjnë të njohur gabimet e tyre në të shkuarën? Të marrësh përgjegjësi për gabimet e së shkuarës nuk është një shenjë dobësie, është akt kuraje. Të japësh llogari për të shkuarën -drejtësinë tranzicionale- është kusht i nevojshëm për të ndërtuar institucione llogaridhënëse dhe demokratike në Shqipëri”.
Ministri i Diasporës, z. Pandeli Majko përshëndeti konferencën duke e lidhur emigracionin e sotëm me atë të para ’90-s, duke paraqitur dallimet thelbësore të tyre dhe rrëfyer përvojën personale me të arratisur në familje përgjatë diktaturës.
Z. Ermal Frashëri, anëtar i Komitetit të Punëtorëve Migratorë në OKB bëri paraqitjen “Migracioni global dhe regjimet politike” mbi emigracionin e sotëm, problematikat që shfaq ai dhe bashkësinë shqiptare të shpërndarë në botë.
I larguar me ambasadat në 1990, z. Gjon Radovani, arkitekt, ndau përvojën personale të largimit nga diktatura për në botën e lirë dhe u shpreh mbi dinamikat e emigracionit në epokën globalizuese.
Z. Dritan Sejko, kryetar i shoqatës “Çamëria”, trajtoi përvojën e komunitetit çam me emigracionin.
Në vijim, konferenca trajtoi punimet shkencore të periudhës 1944-1955, në moderimin e Prof. Asoc. Dr. Pranvera Dibra.
Studiuesit Beqir Meta, Dorian Koçi, Hamit Kaba, Enriketa Pandeleimoni, Romeo Gurakuqi dhe Leonora Laçi trajtuan tema, si: Vatra dhe regjimi komunist: nga partneriteti në armiqësi; Emigracioni politik shqiptar 1945-1953 përmes dosjeve të UDB-së; Emigracioni politik në SHBA pas Luftës së Dytë Botërore: Raportet me ‘emigracionin e vjetër’; Qëndrimi i Italisë ndaj operacionit ‘Rollback’; “Kriminelët e luftës”: Emigracioni politik shqiptar në Itali dhe raporti me shtetin komunist shqiptar 1945 – 1955; Komiteti Kombëtar “Shqipëria e lirë” dhe veprimtaria e emigracionit në vitet 1949 – 1953; Blloku kombëtar indipendent, i drejtuar nga Ernest Koliqi;
Paneli i periudhës 1955-1990 u moderua nga prof. Hamit Kaba, duke trajtuar kumtesat e studiuesve Pranvera Teli (Dibra), Gjon Boriçi, Fatmir Arifi, Albulenë Halili, Mrika Limani, me tema si: Epilogu i diktaturës, nga ‘terrorist’ në ‘të padënueshëm’ ndante vetëm një det; Rrëmbimi i peshkarexhës ‘Dukati’ për arratisje në Itali, 6 janar 1989; Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për të vënë në kontroll emigracionin politik shqiptar në vitet 1945 – 1974; Emigracioni politik shqiptar, roli dhe ndikimi i strukturës shtetërore (Misioni në OKB, ambasadat, konsujt dhe diplomatët) në qasjen ndaj tij; Roli i emigracionit politik shqiptar nga Kosova në demaskimin e regjimit totalitar jugosllav; Emigracioni shqiptar nga Kosova në Europën Perëndimore në vitet 1960 – 1970, sipas burimeve të qeverisë shqiptare; Ngjarjet e korrikut 1990 dhe përpjekjet e regjimit për ta minimizuar impaktin e tyre politik; Organizimet dhe platformat politike të emigracionit shqiptar të Kosovës në vendet gjermanofone gjatë viteve 1981-1989;
Paneli përmbyllës, mbi kujtesën, letërsinë dhe emigrimin, i moderuar nga z. Gjon Boriçi, vijoi me kumtesat e Kristale Ivezajt, Elma Ndrecës, Enis Sulstarovës, Lekë Tasit, Andrea Llukanit me tema si: Projekti “Edhe muret kanë veshë”; Refleksione për eksodin e 2 korrikut 1990 dhe “Rrugën e Ambasadave”; Dritëhijet e veprimtarisë politike të shkrimtarëve të arratisur; Emigracioni politik në letërsinë e realizmit socialist; Emigracioni antikomunist 1944 – 1990; Dritëhije mbi aktivitetin politik të peshkopëve ortodoksë Kurila dhe Kotoko në emigracion.
Secili prej sesioneve u ndoq nga diskutime të të pranishmëve dhe sugjerime për zgjerimin e tematikës e trajtimin e thelluar të saj, nga studiuesit në Shqipëri e Kosovë, si dhe ata jashtë vendit.
Konferenca do të finalizohet me botimin e kumtesave të plota, të bazuara mbi dokumentacion arkivor të zgjeruar, të cilat shtojnë burimet zyrtare mbi periudhën e diktaturës, ndihmojnë në transparencën mbi të shkuarën, nxitjen e dialogut shoqëror dhe konsolidimin e demokracisë.
***
AIDSSH e mbështet punën e vet në parimet e rëndësishme të kujtesës, që e vënë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, si paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme; evitimi i shprehjeve deterministe: shmangia e përgjithësimeve; trajtimi i figurave historike si individë; sigurimi i një baze gjenuine historike; përdorimi i njohurive të nivelit akademik si burime, ku çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe certifikuar për njohuritë specifike e të duhura.
Mbështetur në këto parime, në kërkimin shkencor dhe përballjen profesionale të fakteve, Autoriteti vijon të ndërmarrë projekte që kanë në fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete dhe inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë.