Ekspozita arkivore 2019

EKSPOZITA DOKUMENTARE VITI 2019

1-      Dinjiteti përballë totalitarizmit, Lushnjë 18 gusht - Në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë dhe njësitë administrative të fshatrave të ish-të internuarve, me shoqatat e të përndjekurve, të mbijetuar e familjarë të tyre, AIDSSH zhvilloi fazën e parë të Dialogut lokal në zonë. Homazhet në Memorialin Kombëtar të të Internuarve i paraprinë takimit të përvitshëm në teatrin e qytetit “Vaçe Zela”, të ish-të internuarve në fshatrat e Lushnjës. Paralelisht dialogut të hapur u zhvillua ekspozita e profileve njerëzore “Historitë e patreguara të Lushnjës” dhe ekspozita dokumentare me materiale në zonën e Lushnjës

2-      Dinjiteti përballë totalitarizmit, Belsh 21 gusht - Në bashkëpunim me Bashkinë Belsh, grupe të interesit dhe të mbijetuar të përndjekjes, AIDSSH zhvilloi fazën e parë të Dialogut lokal në Belsh, zonë e të internuarve të shpërngulur nga kampi i Tepelenës e të tjerë, si dhe e burgut të grave, mes të cilave të dënuara të ndërgjegjes. Në shëtitoren e qytetit u prezantua ekspozita dokumentare me materiale arkivore të zonës së Belshit e burgut të grave dhe u shfaq filmi “Gratë mes dhunës e stigmës”, bashkëpunim i AIDSSH me studiuesen Fiona Todhri dhe Tring TV. Takimi vijoi me bashkëbisedim të hapur me të mbijetuarit dhe qytetarët, pas ekspozitës dhe shfaqjes së filmit.

3-      Dinjiteti përballë totalitarizmit, Tepelenë 23 gusht - Në vazhdën e aktiviteteve të përvitshme të organizuara nga AIDSSH në kuadër të Ditës Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare, në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës, shoqata të të përndjekurve politikë, IIPP, të mbijetuar të kampit dhe familjarë të tyre u zhvilluan takime përkujtimore në kampin e Tepelenës, ku u raportuan vendvarrime të të miturve në rrethina të kampit. RAPORTI VJETOR 2019 – 43 Në vijim, në teatrin e qytetit u shfaq filmi “Azizi” i gazetares Luljeta Progni, i bazuar në jetesën në kamp, i pasuar nga një bashkëbisedim aktiv me të mbijetuar.

4-      Dialogu lokal për diktaturën në Përmet 13 dhjetor - Në bashkëpunim me Bashkinë Përmet dhe Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë u zhvillua Dialogu i parë për Diktaturën në qytetin e Përmetit. U ekspozuan materiale arkivore të zonës, regjistra përpunimi, libra evidence, dosje përpunimi, hetimore-gjyqësore, dosje drejtimi të zonave të ndryshme të Përmetit, etj., duke i dhënë mundësi komunitetit të njihet me to, dhe të aplikojë për informim individual e për qëllime studimore. Bazuar në këto dokumente, u prezantuan tipologji të dosjeve të përndjekjes, duke ndërvepruar me të pranishmit, që ndanë edhe përvoja e përjetime personale

5-      Të zhdukur në diktaturë, ekspozita “E shkuara e pakryer”, me Fondacionin Konrad Adenauer Stiftung 11 dhjetor 2019 - Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në bashkëpunim me ICMP, IIPP dhe e mbështetur nga KAS u prezantua në Muzeun Historik Kombëtar, ekspozita “E shkuara e pakryer”. Ekspozita e punuar nga AIDSSH me gazetaren Fatmira Nikolli, me profile të të zhdukurve në diktaturë, hartën dhe listën e vendvarrimeve të raportuara, e vuri theksin te nevoja për bashkërendim të punës dhe marrje e përgjegjësisë së institucioneve. Përfaqësuesi i Grupit të Zhdukjeve me Forcë në Kombet e Bashkuara, z. Bernard Duhaime, i ftuar në ekspozitë, u shpreh se “për ta ruajtur sa më mirë kujtimin e viktimave, mbetet thelbësor zhvillimi i një strategjie për kujtesën, që merr parasysh rëndësinë e të ruajturit zyrtarisht të vendeve të mëparshme të paraburgimit dhe kampeve të punës si vende të kujtesës; si dhe shenjimi i vendeve, ngritja e përmendoreve e memorialeve për njohjen dhe rehabilitimin e viktimave.”