Baza ligjore/qytetari

Paraqitja e veprimtarisë së Drejtorisë së Informacionit

Në strukturë të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit vepron Drejtoria e Informacionit e cila mbështetur në ligj kryen funksionin e saj mbi bazën e kërkesës nga institucionet publike dhe qytetarët për:

-          verifikimin e zyrtarëve që konkurrojnë për t’u zgjedhur ose emëruar në detyra publike.

-          informimin e kërkuesve individualë për dokumentet e Ish - Sigurimit të Shtetit.

Në përmbushje të objektit dhe qëllimit kryesor të veprimtarisë së Autoritetit për të garantuar të drejtën e çdo qytetari për të parë informacionin e krijuar, ose të mbledhur rreth tyre, nga ish-Sigurimi i Shtetit.

Sipas ligjit, të afërmit (trashëgimtarët) mund t'i shikojnë dosjet edhe mbi një anëtar të familjes që nuk jeton, sipas rendit ligjor të trashëgimisë, vetë familjari ose duke paisur me prokurë një person tjetër.

Qytetarët do të jenë në gjendje të fitojnë qasje në këto dosje pas dorëzimit të një kërkese tek Autoriteti e shoqëruar me dokumentacionin e kërkuar ligjor. Gjithnjë në përputhje dhe respektim të dispozitave në fuqi, për të mbrojtur të drejtën e privatësisë së çdo pale të tretë dhe për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut dhe dinjitetin e të gjithë personave.

Ofrimi i aksesit sa më parë në këto dokumente mbetet prioritet i Autoritetit, detyrë kjo parësore nga Drejtoria e Informacionit.

Drejtoria ka në përbërje këto sektorë:

-          Sektori i kërkesave individuale për informim,

-          Sektori i kërkesave për informim për institucionet,

-          Sektori i kërkesave individuale për qëllime rehabilitimi ose dëmshpërblimi. 

1. Qëllimi dhe fusha e zbatimit të ligjit 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” (ndryshuar me ligjin nr. 114/2020, datë 29.7.2020).

Ligji ka përcaktuar rregullat dhe procedurat për të bërë të mundur ushtrimin e së drejtës nga çdo i interesuar për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet një procesi demokratik dhe transparent, mbrojtjes së personalitetit të individit, si dhe unitetit e pajtimit kombëtar.

Ky ligj zbatohet për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë dhe që lidhen me veprat penale politike të parashikuara në ligjin nr. 7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar, pavarësisht nëse është dhënë ose jo një dënim për këto vepra nga organet kompetente të regjimit komunist.

2. E drejta e Informimit:

Personat e interesuar paraqesin kërkesë pranë Autoritetit për t’u informuar për dokumentet e ish - Sigurimit të Shtetit.

Kërkesa për të marrë informacionin bëhet me shkrim duke u paraqitur pranë Autoritetit, duke e dërguar në adresën tonë elektronike info@Autoritetidosjeve.gov.al  ose me rrugë postare , në adresën (AIDSSH, Njësia Administrative nr.4, Rruga e Dibrës, Garnizoni “Skënderbej”, Tiranë).

Kërkuesi, bashkë me kërkesën, paraqet në çdo rast kopje të kartës së identitetit dhe në varësi të cilësisë mund të paisë një përfaqësuesi me prokurë të posaçme.

Kur kërkuesi çmon se kërkesa e tij duhet të trajtohet me përparësi, ai argumenton nevojën dhe urgjencën në kërkesë. Autoriteti pranon se ndodhet përpara nevojës urgjente, kur informacioni i kërkuar nevojitet për qëllime rehabilitimi, dëmshpërblimi, shmangieje të cënimit të jetës private apo të dëmit moral ose vërtetimin e faktit të mosbashkëpunimit me ish-Sigurimin e Shtetit.

 Autoriteti i jep informacionet me shkrim, përveçse kur është e nevojshme një formë tjetër e dhënies së informacionit.

3. Subjektet të cilët mund të aplikojnë pranë nesh bazuar në ligjin 45/2015 i ndryshuar:

Kërkues mund të jetë çdo person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, si dhe personat pa shtetësi.

Kërkuesi mund të jetë në cilësinë e:

- të prekurit; (neni 21),

- të palës së tretë; (neni 21),

- të afërmit të të prekurit ose të vdekurit apo të zhdukurit, me perparësi radhën e trashëgimisë; (neni 22, 22/1),

- të bashkëpunëtorit; (neni 23)

- të favorizuarit; (neni 24) ,

4. Procedura që duhet të ndiqet për të paraqitur pranë Autoritetit kërkesën për informim,

Qytetari/ja për të paraqitur kërkesën për informim ndjek një nga mënyrat si më poshtë:

Fizikisht pranë Autoritetit dhe me ndihmën e një specialisti të Drejtorisë së Informacionit plotësojnë formularin standard (miratuar me vendimin nr.3 datë 30.01.2017 të Autoritetit) dhe bashkëlidhin dokumentacinonin përkatës.

Plotësojnë formularin standard (që gjendet në faqen tonë në format pdf) duke e dërguar në adresën tonë elektronike info@AutoritetiiDosjeve.gov.al ose në adresën postare (AIDSSH, Njësia Administrative nr.4, Rruga e Dibrës, Garnizoni’’Skenderbej’’, Tiranë).

5. Mënyra e plotësimit të formularit standard sipas rubrikave përkatëse;

A - Në rastin kur kërkuesi kërkon informacion për vete:

Fillimisht plotëson SEKSIONIN A në të cilin vendosen të dhënat e kërkuesit.

Emër, mbiemër, atësi, datëlindje, numrin e identifikimit personal, vendlindjen, adresën e saktë të banimit, numrin e telefonit, adresën e email-it (nëse ka).

Seksioni B lihet bosh.

seksionin C plotësohen të dhënat sipas rubrikave në lidhje me:

Ø  nëse kërkuesi ka pasur emra ose mbiemra të tjerë,

Ø  emri i nënës së kërkuesit dhe mbiemri i vajzërisë së nënës së kërkuesit,

Ø  nëse kërkuesi ka shtetësi të tjera veç asaj shqiptare,

Ø  seksioni C pika 34 plotësohet cilësia e kërkuesit (i prekur, palë e tretë, trashëgimtar, bashkpunëtor, i favorizuar etj),

Ø  tek seksionin C pika 35 plotësohet arsyeja e paraqitjes së kërkesës për (një ose më shumë arsye),

Ø  seksionin C pika 36 shënohet nëse trajtimi i kërkesës së kërkuesit duhet trajtuar me procedurë të zakonshme ose me përparësi, në referim dhe duke argumentuar sipas kritereve të pikës 37,

Ø  seksionin C pika 38 kërkuesi jep të dhëna për lehtësimin e identifikimit të dokumentacionit arkivor në lidhje me vendin ku ka ndodhur ngjarja ose koha, nëse janë dënuar në grup, sa më shumë emra të pjestarëve të grupit etj, ose lidhjen me ngjarje të veçanta etj,

seksionin D plotësohet dokumentacioni i paraqitur dhe nënshkrimi i aplikuesit.

B - Në rastin kur aplikuesi kërkon për persona të afërm, (trashëgimtarët):

seksionin A plotësohen të gjitha të dhënat e kërkuesit.

seksionin B të dhënat e personit për të cilin kërkohet (të të afermit) sipas rastit kur është i vdekur dhe nuk ka trashëgimtar të radhës së parë si bashkëshortë, fëmijë, etj., sipas rendit ligjor të trashëgimisë ose me prokurë.

seksionin C plotësohen të dhënat sipas rubrikave në lidhje me:

Ø  nëse për personin për të cilin kërkohet ka pasur emra ose mbiemra te tjerë,

Ø  emri i nënës dhe mbiemri i vajzërisë së nënës së personit për të cilin kërkohet,

Ø  nëse personi për të cilin kërkohet ka shtetësi të tjera veç asaj shqiptare,

Ø  tek seksioni C pika 34 plotësohet cilësia e kërkuesit (i prekur, palë e tretë, trashëgimtar, bashkpunëtor, i favorizuar etj,

Ø  tek seksioni C pika 35 plotësohet arsyeja e paraqitjes së kerkesës për (një ose me shumë arsye),

Ø  tek seksioni C pika 36 shënohet nëse trajtimi i kërkesës së kërkuesit duhet trajtuar me procedurë të zakonshme ose me përparësi, në referim dhe duke argumentuar sipas kritereve të pikës 37,

Ø  tek seksioni C pika 38 kërkuesi jep te dhëna per lehtësimin e identifikimit te dokumentacionit arkivor ne lidhje me vendin ku ka ndodhur ngjarja ose koha, nëse janë dënuar në grup sa më shumë emra të pjestarëve të grupit etj, ose lidhjen me ngjarje te veçanta etj.

Ø  tek seksioni D plotësohet dokumentacioni i paraqitur dhe nënshkrimi i aplikuesit.

Në çdo rast gjithë të dhënat në lidhje me personin aplikant (kërkuesin), duhet të plotësohen në Formularin Tip të miratuar nga Autoriteti.

6. Kërkesa për zbardhjen e bashkëpunëtorëve:

Bazuar në ligj neni 21/4 kërkuesi pasi është njohur me materialet e vëna në dispozicion ka të drejtë të bëjë kërkesë me shkrim për zbardhjen e emrave të bashkëpunëtorëve (që gjenden në dokumentacionin e vënë në dispozicion nga Autoriteti).

Për këtë qëllim është hartuar Udhëzimi nr.6 datë 16.01.2020, miratuar me vendimin nr.538 datë 07.10.2020 të Autoritetit.

Ø  Kërkesa duhet të bëhet me shkrim, pasi subjekti është njohur me dokumentacionin e vënë në dispozicion duke specifikuar cilësinë e kërkuesit (i prekur, i afërm i të prekurit, ose i të vdekurit apo të të zhdukurit, etj),

Ø  Kërkuesi së bashku me kërkesën duhet të paraqesë listën e pseudonimeve të bashkëpunëtorëve që kërkohen të zbardhen, te cilët duhet të jenë pjesë e dosjes formulare apo dosjes së përpunimit të shërbyer nga AIDSSH,

Ø  Lënda e kërkesës duhet të jetë “Kërkesë për zbardhje bashkëpunëtoresh” dhe të dhënat në kërkesë duhet të jenë të sakta dhe të mjaftueshme për identifikimin e dokumenteve arkivore.

7. Kërkesa Individuale për Qëllime Rehabilitimi dhe Dëmshpërblimi

Pranë AIDSSH-së qytetarët mund të aplikojnë për kërkesa për qëllim marrjen e vërtetimit dhe paisjen me dokumentacion mbi periudhën e internim – dëbimit dhe vendin e vuajtjes së dënimit me burgim (repartin ku e kanë kryer dënimin), për efekt të përllogaritjes së pensionit, për shtesë pensioni dhe për dëmshpërblime të të dënuarve politikë.

Këto kërkesa trajtohen nga Drejtoria e Informacionit dhe Drejtoria e Arkivit.

Kërkesat për dëmshpërblim të të burgosurve politikë vijnë nga Ministria e Drejtësisë, ISSH-të e rretheve të ndryshme si dhe nga qytetarët dhe janë për efekt të përllogaritjes së pensionit .

Për kërkesat të cilat arkivi mundëson identifikimin e materialeve arkivore bëhet fotokopje për për secilin prej tyre i cili i bashkëlidhet kthimit të përgjigjes përfundimtare.

Autoriteti ka rregulluar këtë problematikë me Vendimin nr. 630, datë 20.11.2020, për dhënien e informacionit, kërkuesit ose dhënie dublikatë të dokumentit që gjendet në rregjistrin e vuajtjes së dënimit dhe në dokumente që ndodhen në arkivin tonë, mbi natyrën e punës në këto kampe (repartet 303 dhe 311 ku punohej në minierë) kemi informuar Institutin e Sigurimeve Shoqërore

Në shumicën e dosjet hetimore - gjyqësore nuk gjenden të dhëna për numrin e repartit ku të burgosurit kanë kryer dënimin.

Identifikimi i materialeve kur është e mundur bëhet nga dosjet e përpunimit ku cilësohet vendi ku të burgosurit kanë kryer dënimin.

Autoriteti në çdo rast pasi ka shqyrtuar materialin përkatës në përputhje me Ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” duke marrë parasysh ndalesat ligjore përkatëse shprehet me vendim. Ky vendim së bashku me materialet përkatëse i njoftohet kërkuesit të cilit i dorëzohet me procesverbal.

Në aktivitetin 5 vjeçar të institucionit janë paraqitur gjithsej;

2185 kërkesa individuale për njohje me dokumentacion,

2189  kërkesa institucionale për verifikim të cilësive,

91 kërkesa për zbardhje b.p,

876 kërkesa për qëllim dëmshpërblimi apo për vërtetim internim-dëbimi.

Fjalor shpjegues

- Person - është çdo person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, si dhe personat pa shtetësi.

- Person i prekur - është çdo person, ndaj të cilit vërtetohet se ish-Sigurimi i Shtetit ka grumbulluar të dhëna në mënyrë të qëllimtë, duke përfshirë edhe mbledhjen e të dhënave në mënyrë të fshehtë apo përmes përgjimeve.

- I favorizuar- është çdo person, i cili vërtetohet se:

a) është përkrahur nga ish-Sigurimi i Shtetit, veçanërisht duke i siguruar avantazhe në profesion apo avantazhe ekonomike;

b) është mbrojtur nga ish-Sigurimi i Shtetit apo, me ndërhyrjen e këtij të fundit, është mbrojtur nga ndjekja penale;

c) ka përgatitur apo ka kryer vepra penale me dijeninë apo mbështetjen e ish-Sigurimit të Shtetit.

- Bashkëpunëtori - është çdo person që vërtetohet se ka bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me organet e ish-Sigurimit të Shtetit, në veprimtari të karakterit politik, që lidhen me veprat penale politike të parashikuara në ligjin nr.7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar, pavarësisht nëse është dhënë ose jo një dënim për këto vepra nga organet kompetente të regjimit komunist, për të cilët disponohen dosje, kartela ose regjistrime në indekset e kartotekave të ish-Sigurimit të Shtetit.

- Të afërmit të të prekurit ose të vdekurit apo të zhdukurit, dhe radha e përparësisë :

E drejta për të kërkuar informacion mbi ekzistencën e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit për personat e vdekur dhe të shpallur të zhdukur, si dhe për shqyrtimin e dokumenteve dhe vënien në dispozicion të dublikatave të tyre, u njihet edhe të afërmve të tyre, sipas kësaj radhe përparësie:

a) bashkëshortëve;

b) fëmijëve;

c) fëmijëve të fëmijëve, kur personat e parashikuar në shkronjat “a” dhe “b” kanë vdekur ose janë shpallur të zhdukur;

ç) prindërve, kur personat e parashikuar në shkronjat “a”, “b” dhe “c” kanë vdekur ose janë shpallur të zhdukur;

d) vëllezërve dhe motrave, kur personat e parashikuar në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç” kanë vdekur ose janë shpallur të zhdukur; dh) fëmijëve të vëllezërve dhe motrave, kur personat e radhëve të mësipërme kanë vdekur ose janë shpallur të zhdukur.

Të afërmve u vihet në dispozicion informacioni, me kërkesë dhe për këto qëllime:

a) për rehabilitimin e të vdekurve apo të zhdukurve;

b) për ruajtjen e të drejtave të personalitetit të të vdekurve apo të zhdukurve, në veçanti për sqarimin e akuzës së bashkëpunimit me ish-Sigurimin e Shtetit;

c) për të qartësuar fatin e të vdekurve apo të të zhdukurve. 

Kjo nuk zbatohet në rastet kur personi i vdekur ose i zhdukur ka shprehur, përpara vdekjes ose zhdukjes, me shkrim, vullnetin e tij për moszbulimin e informacioneve të kërkuara, ose kur ky vullnet mund të provohet qartësisht nga rrethana të tjera objektive ose të dokumentuara.

-          Ndihmë për shkak të pamundësisë:

a) jepet për shkak të aftësisë së kufizuar me ndihmën e një të treti e shoqëruar me deklarim me shkrim të subjektit kërkues, sipas nenit 20 pika 3,

b) për përfituesit e ndihmës sociale me të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme dhe të përndjekurit politikë me status.

-          Korrigjimet - kryhen kryesisht nga vetë Autoriteti sipas nenit 5 pika 6, të këtij ligji, dhe me me kërkese, sipas nenit 39, të këtij ligji.

Në çdo rast korrigjimi bëhet me vendim të veçantë të arsyetuar dhe mund të ankimohet në gjykatën kompetente për gjykimin e çështjeve administrative.

-          Ankimet

- Administrativ pranë AIDSSH,

- Gjykatën për gjykimin e çështjeve administrative.