Konferenca ndërkombëtare shkencore “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1990”
Tiranë, 19 shkurt 2020 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Institutin për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, Muzeun Historik Kombëtar, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Europës organizon konferencën ndërkombëtare shkencore me temë “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1990”. Konferenca dhe ekspozita mbi emigracionin zhvillohen nga ora 9.00-17.00 pranë sallës “Shpataraku”, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Veprimtaritë janë të hapura për mediat.
Në 30-vjetorin e ndryshimeve demokratike në vend, konferenca mbi emigracionin politik fokusohet në histori, ngjarje, strategji e dinamika jetësore të personaliteteve të kohës, të trajtuara në fokusin e dokumenteve arkivore, një pjesë e mirë e të cilave, të deklasifikuara për këtë qëllim.
Ekspozita me materiale arkivore të AIDSSH dhe MEPJ dhe ceremonia e hapjes zhvillohen në praninë e studiuesve, kërkuesve shkencorë, përfaqësuesve të shoqatave të të drejtave të njeriut, të universiteteve të vendit dhe studentëve, institucioneve publike e joqeveritare, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare.
AIDSSH do të ekspozojë dokumente të shumta arkivore, të pahapura më herët, si pasqyra statistikore për të arratisurit, dosje drejtimi dhe kërkimi për të arratisur e të deklasuar, regjistra për personat në tentativë arratisjeje dhe albume fotografike të të arratisurve, që u përkasin qyteteve të ndryshme të vendit. Materialet arkivore i përkasin një fondi të pasur mbi emigracionin politik, një pjesë e të cilit u është vënë në dispozicion studiuesve, mes të cilave, ngjarjet e ambasadave, historia e familjes Popa dhe dosje mbi të arratisurit.
Nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, në këtë ekspozitë me dëshmi arkivore të deklasifikuara, do të paraqiten fakte mbi qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj veprimtarisë së të ashtuquajturit “emigracion reaksionar” jashtë vendit, Komiteti “Shqipëria e Lirë”, harta gjeografike e shpërndarjes së tij, propaganda dhe antipropaganda e përgatitur për t’u përdorur në çdo situatë, emigracioni i vjetër politik dhe shtimi i radhëve të tij me të arratisur të tjerë nga Shqipëria. Dokumentet origjinale autentike do të prezantohen për herë të parë, pas deklasifikimit të tyre.
Ekspozita arkivore dhe konferenca mbi emigracionin politik hedhin dritë mbi një Shqipëri të survejuar e përndjekur, dhe i hapin rrugë kërkimit shkencor e studimeve të thelluara mbi dosje e çështje të diskutuara gjerësisht në vite.
Puna për konferencën ka nisur prej muajsh dhe thirrjes për të marrë pjesë i janë përgjigjur me dhjetëra studiues shqiptarë e të huaj. Komisioni i vlerësimit përzgjodhi një pjesë të punimeve, duke i organizuar në panele të kërkimit shkencor dhe të kujtesës. Gjatë kësaj kohe, studiuesit kanë pasur mundësi të shfrytëzojnë inventarët, dosjet, statistikat dhe materialet e ndryshme arkivore të vëna në dispozicion nga AIDSSH apo të tjerë arkiva e, nëpërmjet kërkimit e objektivitetit shkencor, të mundësojnë trajtim të zgjeruar të emigracionit politik në vitet e diktaturës.
Në Shqipëri, drejtuesit e lartë të regjimit i konsideronin emigrantët politikë shqiptarë si “tradhtarë të atdheut”, për shkak të qëndrimeve të mbajtura gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe të kundërshtimit të hapur ndaj regjimit totalitar të vendosur në Shqipëri. Në emigracion, shumë prej tyre u shndërruan në zëra të spikatur në jetën akademike dhe shoqërore dhe nuk reshtën duke ngritur zërin kundër totalitarizmit shqiptar, por edhe për çështjen kombëtare shqiptare. Në institucionet ndërkombëtare si OKB, Amnisty International, Parlamenti Europian, Senati i SHBA, apo Këshilli i Evropës, kohë pas kohe dërgoheshin letra dhe peticione nga individë apo organizata të emigracionit politik shqiptar, në të cilat shprehej shqetësimi për problematika të ndryshme që lidheshin me Shqipërinë dhe shqiptarët.
Aktualisht, arkivi i AIDSSH ruan dhe administron një larmi dokumentesh arkivore që përmbajnë dhe trajtojnë informacione e të dhëna rreth emigracionit politik shqiptar, të arratisurve jashtë vendit, grupeve diversante, organizatave të ndryshme politike të krijuara nga emigracioni shqiptar në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera. Këto dokumente konsistojnë në raporte, statistika dhe informata mbi veprimtarinë e emigracionit shqiptar në vende të ndryshme, relacione dhe raporte mbi bandat e diversantët që operonin kryesisht në Jugosllavi, etj., relacione dhe statistika për të arratisurit, të dhëna dhe dosje për emigrantët politikë e ekonomikë, etj.
Dokumentet përllogariten të jenë afërsisht 90 mijë dosje e fashikuj dhe i përkasin periudhës 1944-1991; një pjesë e mirë e tyre, bëhen publike për herë të parë për qytetarët dhe studiuesit, duke u trajtuar në këtë konferencë.
***
AIDSSH e mbështet punën e vet në parimet e rëndësishme të kujtesës, që e vënë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, si paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme; evitimi i shprehjeve deterministe: shmangia e përgjithësimeve; trajtimi i figurave historike si individë; sigurimi i një baze gjenuine historike; përdorimi i njohurive të nivelit akademik si burime, ku çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe certifikuar për njohuritë specifike e të duhura.
Mbështetur në këto parime, në kërkimin shkencor dhe përballjen profesionale të fakteve, Autoriteti vijon të ndërmarrë projekte që kanë në fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete dhe inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë.