Sfidat e mësimdhënies së historisë dhe roli i shqiptarëve në shmangien e ndikiit të Holokaustit në Shqipëri dhe Kosovë

Tiranë 27.01.2023 - Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Autoriteti për Informim mbi Dokumente të ish- Sigurimit të Shtetit me praninë e trupit diplomatik, partnerëve, përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, mësuesve të historisë dhe edukimit qytetarë, kërkuesve shkencorë dhe medias zhvilluan aktivitetin me temë:  “𝑆𝑓𝑖𝑑𝑎𝑡 𝑒 𝑚𝑒̈𝑠𝑖𝑚𝑑𝑒̈𝑛𝑖𝑒𝑠 𝑠𝑒̈ ℎ𝑖𝑠𝑡𝑜𝑟𝑖𝑠𝑒̈ 𝑑𝑒 𝑟𝑜𝑙𝑖 𝑖 𝑠𝑞𝑖𝑝𝑡𝑎𝑟𝑒̈𝑣𝑒 𝑛𝑒̈ 𝑠𝑚𝑎𝑛𝑔𝑖𝑒𝑛 𝑒 𝑛𝑑𝑖𝑘𝑖𝑚𝑖𝑡 𝑡𝑒̈ 𝐻𝑜𝑙𝑜𝑘𝑎𝑢𝑠𝑡𝑖𝑡 𝑛𝑒̈ 𝑆𝑞𝑖𝑝𝑒̈𝑟𝑖 𝑑𝑒 𝐾𝑜𝑠𝑜𝑣𝑒̈”. Me këtë rast u ekspozuan një sërë dokumentesh të krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit për hebrenjtë.

Marrëdhënia me të vërtetën historike, rëndësia e të njohurit me dokumentet arkivore në mësimdhënien e historisë; Kontributi i shqiptarëve etnikë për shpëtimin e hebrenjve nga Holokausti; si dhe Qëndrimi i shtetit shqiptar, nën dritën e dokumenteve arkivore mbi riatdhesimin e hebrenjve në fillim të viteve 90-të, në dosjet që ish-Sigurimi i Shtetit, ishin temat qendrore për të cilat u diskutua.

Kryetarja Gentiana Sula vendosi theksin tek vendosja e disa piketave në programet e kujtesës    kurrikulat mësimore.

Ne shohim shumë paralele me historinë tragjike të hebrenjve me mënyrën se si u trajtuan njerëzit gjatë periudhës jo tolerante, me ideologji ekstreme gjatë periudhës së komunizmit. Ajo që ne mësojmë nga holokausti, është se si disa institucione mundet me gjithë qëllimet e mira të degradojnë duke sulmuar qytetarët e vet. Kjo në fakt është një ngjarje që ne na tingëllon familjare.”

“Indiferentizmi shkakton dehumanizimin. Vihet re se shumë njerëz  gjejnë zgjidhje të vogla të thjeshta. Sot ajo që ne mësojmë nga Holokausti, nga e kaluara, është se njerëzimi mbarë adoptoi standarde të reja , me miratimin  e Konventës Kundër Gjenocidit , ngritja e Tribunalit për Krimet Kundër Njerëzimit, vetë përkujtimi i Holokaustit si datë historike buroi nga kjo tragjedi e madhe.

Dhe ne besojmë se në punën tonë të përditshme, ato viktima, ato dhimbje, ato sakrifica që ne i nderojmë dhe i respektojmë  duhet të sjellin një gjë më të mirë që shoqërinë tonë ta ngremë në një standard më të lartë drejt humanizmit, mosdiskriminit dhe vendosjes së  drejtësisë.”

Në përfundim, kryetarja falënderoi mësuesit  e historisë dhe pedagogët dhe e konsideroi këtë konferencë si një hap i parë me punën edukative me të rinjtë.

Terrorizmi, antisemitizmi, nazizmi, fashizmi, stalinizmi, enverizmi – kanë lindur nga padituria, mosnjohja, frika për të pranuar tjetrin, të ndryshmin nga ne. Hebrenjtë dhe shqiptarët kanë disa tipare të ngjashme me njëri-tjetrin dhe një histori të pashembullt vuajtjesh, sprovash, por mbi të gjitha: një  histori triumfi ndaj padrejtësive dhe mbijetese kombëtare.

Në këtë takim, ligjërata kryesore, u mbajt nga ish-kreu i OSBE-së, në Shqipëri, z. Bernd Borchardt, i cili ka studiuar nga pikëpamja historike dhe dokumentare se si shqiptarët historikisht dhe kryesisht gjatë Luftës së Dytë Botërore mikpritën, strehuan dhe nuk i dorëzuan hebrenjtë tek nazistët. Historianët kanë arritur në përfundimin se gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri nuk janë evidentuar akte viktimizimi, dëbimi dhe as bashkëpunimi me nazistët kundra hebrenjve. Në atë kohë vetë Shqipëria ishte  pushtuar nga nazistët dhe qeverisej nga administrata shqiptare e ngritur gjatë luftës,  e cila refuzoi të jepte listat e hebrenjve në vend. Shqiptarët, myslimanë, të krishterë nuk dorëzuan asnjë hebre tek autoritetet e pushtimit dhe shpesh i mbrojtën ata duke rrezikuar dhe jetën e tyre.

Gazetari Ilir Vata, i cili është njohur me dokumente që ish-Sigurimi i Shtetit ka krijuar ndër vite tha se: “Përndjekja, survejimi, detyrimi për bashkëpunim, i izraelitëve në Shqipëri, ishte karakteristikë e regjimit komunist. Metodat që ndiqte Sigurimi i Shteti ishin praktika të zakonshme, si dhe për të tjerë të huaj në Shqipëri, apo vetë shqiptarët. Një politikë që sheh kudo armiq, që është paranojake, që e sheh zgjidhjen tek asgjësimi dhe zhdukja e tjetrit. Duke hedhur dritë mbi të shkuarën, ne mund të ndërtojmë të ardhmen të sigurt për brezat që vijë pas, që regjimet të tilla despotike si diktatura komuniste të mos përsëriten më.”

Shkrimtari Marçel Hila zgjodhi të flasë nëpërmjet dëshmive të mbledhura dhe të publikuara në librin e tij “Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit”, ku në qendër është familja me origjinë hebreje Rabinovitz  e strehuar në Shqipëri. Sot, pas kaq vitesh, histori të tilla me mesazhe mirënjohje ndaj shqiptarëve rrëfehen ende nga familjet hebreje, të cilat gjetën shpresë dhe mbijetesë në një kohë kur fati ishte kundër tyre.

Gazetarja e mirënjohur, Monika Stafa, autore e librit “Hebrenjtë në Shqipëri”, e cila moderoi aktivitetin u shpreh se “Lufta e Dytë Botërore ishte një kapitull i turpshëm jo vetëm për Gjermaninë por për të gjithë Europën që heshti dhe u kujtua të vepronte kur ishte tepër vonë. Dhe ende sot politikanët evropianë nuk kanë mësuar asgjë nga shkatërrimet e mëparshme të kontinentit”.

Më tej ajo shtoi  se “para edukatorëve, shtrohet çështja se si t’ia shpjegojmë sot të rinjve se në kohë të tilla rreziku se dashuria vjen njësh me mbijetesën? Që miqtë dhe vëllezërit kthehen në armiq kur nuk ka vend për të gjithë? Që gratë spiunojnë burrat dhe anasjelltas? Që prindërit tradhtojnë fëmijët?

Për t’i shpjeguar auditorit, se si dashuria vjen njësh me mbijetesën, Felicita Jakoel, një dëshmitare hebreje, tregon se si mbijetoi në një vend që nuk kishte shumë për të ofruar veçse mikpritjes dhe shpresës.  Kujtimet e treguara në vetën e parë, të pasuruara me detaje dhe që përcjellin emocione personale, janë një burim unik njohurish për ato kohë, si dhe material i jashtëzakonshëm edukativ.

Simon Mirakaj, ish i përndjekur politik dhe ish-anëtar i Autoritetit, vuri në dukje aktet pozitive dhe shumë domethënëse që administrata e kohës së luftës kreu për shpëtimin e hebrenjve nga nazistët.

 Kjo datë të vë përpara kujtesës dhe ideologjive te çmendura që shkaktuan këtë plage tek hebrenjtë dhe mbarë njerëzimi. Ne akoma na ka zënë era e rende e qymyrit të komunizmit. Shtrojmë pyetjen: Kush janë këta njerëz që i shpëtuan? Ne akoma kemi frikë nga të vdekurit, përderisa nuk i përmendim. Kemi frikë nga madhështia e të vdekurit. Përmend këtu aktin e Kadri  Cakranit, qw strehoi 200 herbrenj gjatë luftës në pronat e tij, Kole Bibë Mirakën, Mustafa Krujës, Eqerem Bej Libohovës, Zef Kadaren që nuk u dorëzuan hebrenjtë tek pushtuesi, i strehuan dhe iu dhanë pasaporta vendase” 

Prof. Ajula Jubani, foli për  vendin që zë trajtimi i temës së komunizmit në orët mësimore të lëndës së historisë dhe edukimit qytetar si dhe për projektet e reja që Autoriteti po planifikon të zhvillojë me ta në drejtim pasurimit me tekste mësimore për periudhën historike 1944-1991.

Ne nuk mund ta lëmë mësuesin pa e ndihmuar. Së pari duhen ndryshime ligjore për arsimin parauniversitar, të cilat më pas duhet të transmetohen në kornizën kurrikulare dhe në gjykimin tim çdo program lëndor duhet të ketë një objektiv të veçantë, dedikuar edukimit  të krimeve të komunizmit. Vetëm atëherë mund të diskutojmë si punohet me nxënësin rreth kësaj teme.“

Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Rinisë, Fakultetin e Shkencave Sociale dhe atë të Historisë si dhe shoqatën e mësuesve të historisë, "Rinia dhe Historia", drejtuar nga Vojsava Kumbulla, në aktivitet morën pjesë  mësues të historisë dhe edukimit qytetar, studentë të historisë, shkencave sociale e juridike.

Institucionet tona janë angazhuar në realizmin e projekteve të përbashkëta në drejtim edukimit të brezave të rinj mbi ngjarje të së shkuarës sonë komuniste. Partneriteti me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në lidhje me trajnimin e mësuesve të historisë, është në hapat e parë, si fillim me ndryshimin e narrativës së komunizmit me Luftën e Dytë Botërore dhe futjes në tekstet e historisë temën e holokaustit.

Trajtimi i Holokaustit vazhdon të mbetet sfidë e shoqërisë së sotme kudo në botë, po për Shqipërinë ky rast merr një ngjyrim të veçantë. Shqipëria dhe shqiptarët me qëndrimin e tyre të vendosur për t’i fshehur hebrenjtë e rrezikuar prej shfarosjes së madhe tregoi shumë. Një popull i vogël, i kërcënuar nga ambiciet e fqinjëve për territore, nuk qëndroi indiferent, i mbrojti hebrenjtë, ndaj dhe këtë tregim Autoriteti, historianët, edukatorët synojnë t’ia përcjellin brezave nëpërmjet teksteve shkollore, aktiviteteve përkujtuese, dëshmive dhe formave të tjera, njohëse dhe edukative.

Më 1 nëntor 2005, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 60/7 të titulluar Përkujtimi i Holokaustit. Ky dokument ripohon njohjen e Holokaustit si një ngjarje historike dhe angazhon të gjitha vendet anëtare të OKB-së për të ruajtur dhe transmetuar kujtimin e Holokaustit të hebrenjve evropianë. gjatë Luftës së Dytë Botërore. Data vjetore për "Ditën Ndërkombëtare në Kujtimin e Viktimave të Holokaustit" u caktua si 27 Janar - dita kur kampi Aushvic - Birkenau u çlirua nga Ushtria e Kuqe në 1945.

Gjashtë milionë hebrenj, mes tyre edhe një milion e gjysmë të mitur, përfunduan në dhomat e gazit, nën plumbat e skuadrave speciale apo edhe të varur, të mbytur e të shkelur me këmbë nëpër rrugët e qyteteve të ndryshme të Evropës, por këto nuk ndodhën në Shqipëri, vend i cili dha një kontribut të madh në mbrojtje të hebrenjve gjatë kësaj periudhe të errët.

 

Në mbarim të luftës, Shqipëria numëronte disa herë më shumë hebrenj në territorin e saj, se sa në fillim të saj, duke u konsideruar si vendi i vetëm në Evropë me këtë rekord. Sipas statistikave zyrtare 3750 hebrenj janë strehuar dhe shpëtuar në Shqipëri gjatë pushtimit nazist. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria u pa si një atdhe i mundshëm për hebrenjtë e rrezikuar të Evropës. Hapja e dyerve për hebrenjtë u bë e mundur falë trashëgimisë historike dhe harmonisë fetare, por edhe dy institucioneve të forta morale të shoqërisë shqiptare, siç është: Kodi i BESË-s e të fjalës së dhënë dhe të mbajtur. Në shumë mënyra, Shqipëria është lider i vërtetë në Ballkan kur bëhet fjalë për promovimin e Holokaustit dhe luftimin e antisemitizmit.

 

Një ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë mbajti një seancë të Posaçme për të nderuar viktimat hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku mes të tjerash, përveç përmendjes së sakrificave që kanë bërë shqiptarët për të mbrojtur hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore, u deklarua dhe ngritja e një muzeu hebraik në Berat, Vlorë, si edhe një Qendër Kulturore në Tiranë, si monumente historike të tregimit të kësaj historie ndër breza.