Raportimi në Kuvend i veprimtarisë vjetore të AIDSSH-së për vitin 2021

Tiranë, 6 korrik 2022 - Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit raportoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvend, për veprimtarinë gjatë vitit 2021.

Autoriteti u përfaqësua nga anëtarët e zgjedhur të trupës së re drejtuese, znj. Gentiana Sula, z. Gjergj Marku, z. Skënder Vrioni dhe nga Sekretari i Përgjithshëm në detyrë, Drejtor i Informacionit, z. Selami Zalli.

Znj. Gentiana Sula bëri një paraqitje të veprimtarisë së institucionit për vitin 2021, vit kur Autoriteti mbylli mandatin e parë, duke bërë në të njëjtën kohë edhe një bilanc të punës 5-vjeçare.

5 vjet pas miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë, Autoriteti ushtron funksionet e veta në ndërtesën e caktuar nga qeveria shqiptare, e rikonstruktuar me partnerë dhe donatorë, me kushte të përshtatshme pune për stafin e institucionit, thuajse i plotësuar.

Grumbullimi i arkivit në një vend të vetëm, për vite i shpërndarë në dy vendndodhje arkivore, është arritur dhe materialet po sistemohen në mënyrën e duhur.

Institucioni ka marrë mbështetje të zgjeruar nga partnerët ndërkombëtarë që në hapat e parë, me projekte që e kanë ndihmuar të ngrihet, të rrisë kapacitetet, të plotësojë infrastrukturën e brendshme dhe digjitale e të çojë përpara nisma me rëndësi për pozicionimin e tij në skenën publike, si aktor i kujtesës.

Ndryshime ligjore të 2020 e zgjeruan punën e institucionit sa u takon të pagjeturve të diktaturës, dhe sollën zgjerimin e  strukturës, me një njësi të posaçme për të zhdukurit, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Nga 2017 deri në fund të vitit 2021, pranë Autoritetit janë paraqitur gjithsej 2185 kërkesa individuale, 459 kërkesa studimore mediatike dhe 876 kërkesa për qëllim dëmshpërblimi apo për vërtetim internim-dëbimi.

24 marrëveshje bashkëpunimi janë nënshkruar me partnerë brenda vendit dhe jashtë tij.

Në pesë vjet janë verifikuar gjithsej 2.189 kandidatë përpara emërimit / ngritjes në detyrë, si edhe kandidatë për t’u zgjedhur deputetë e kryetarë bashkish, ku 2.118 rezultojnë pa dokumente, ndërsa 71 kandidatë me dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit.

Sot, gjitha vendimet e Autoritetit mbi kandidatët dhe zyrtarët e verifikuar, kërkesat individuale, institucionale, studimore dhe mediatike, publikohen periodikisht buletinët e përdymuajshëm, në letër dhe faqen zyrtare, si dhe shpërndahen gjerësisht online.

Aktivitete të rëndësishme u organizuan nga institucioni, i cili mori rol qendror në debatin publik për çështje të së shkuarës komuniste, si kampi i Tepelenës, kampi i Maliqit, të zhdukurit në komunizëm, artistët e shkrimtarët e survejuar, emigracioni politik, ku me tryeza të rrumbullakëta, konferenca, simpoziume shkencore dhe dialogë lokalë në mbarë vendin, arriti të pozicionohej mes institucioneve të kujtesës, me rol në të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Me propozim të Autoritetit, 13 figura të solidaritetit dhe dinjitetit njerëzor u nderuan nga Presidenti i Republikës, në të gjithë Shqipërinë. Bashkia Elbasan, me propozim të Autoritetit, nderoi me titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) Atë Josif Papamihalin, i zhdukur në  kampin e Maliqit.

Rruga “26 shkurti” në Mënik të Tiranës dhe Muzeu i Shkencave të Natyrës “Sabiha Kasimati” në Tiranë morën emërtimet përkatëse me propozime të Autoritetit.

Dy memorialë të punuar dhe zbatuar nga Autoriteti janë vendosur për herë të parë në dy vende kujtese, në Tepelenë dhe Maliq, aty ku deri më sot nuk kishte pllakatë informuese.

59 libra si dhe publikime online, ekspozita fizike dhe virtuale, dëshmi e dokumentarë, janë prodhuar nga Autoriteti, në bashkëpunim me partnerë, të cilët prezantohen në faqet online të institucionit që, me vitet, ka përshkallëzuar mundësinë për të arritur te brezat, shoqëria, publiku.

Materialet e hulumtuara janë përkthyer në anglisht për të ndërkombëtarizuar kauzat e ndërmarra dhe janë prezantuar në botë.

Veç përmasës tematike, edhe gjeografikisht, në Shqipëri e jashtë saj, në 5 vjet janë prekur tema në rëndësishme në Shkodër, Malësi të Madhe, Vermosh, Pukë, Burrel, Kurbin, Tiranë, Durrës, Elbasan, Lushnjë, Belsh, Savër, Gostimë, Berat, Korçë, Voskopojë, Maliq, Përmet, Tepelenë, Gjirokastër, Himarë, Sarandë, Konispol.

Po ashtu, është punuar me institucionet ndërkombëtare dhe diasporën shqiptare në SHBA, Belgjikë, Gjermani, Poloni, Çeki, Sllovaki, Bullgari, Hungari, Rumani, Estoni, Izrael.

Sot Shqipëria është pjesë e Rrjetit Europian të Institucioneve të ish-Policive Sekrete dhe vijon të jetë e pranishme si anëtare vëzhgues e ENRS, ku ka integruar Ministrinë e Kulturës. Me rotacion, shpejt Shqipëria do të drejtojë Rrjetin Europian të Institucioneve të ish-Policive Sekrete, duke organizuar në vend edhe konferencës periodike me të gjithë anëtarët e Rrjetit.

Partnerë aktivë të Autoritetit në vite kanë qenë Prezenca e OSBE në Tiranë, PNUD në Shqipëri, Bashkimi Europian, ambasada amerikane, gjermane, suedeze, zvicerane, italiane, polake, izraelite, ICMP.

Në 5 vjet, janë lidhur 24 marrëveshje bashkëpunimi me institucione homologe dhe organizata të kujtesës e të të drejtave të njeriut në vend dhe jashtë tij, duke e zgjeruar spektrin e veprimtarisë së Autoritetit.

Sot, Autoriteti e gjen veten me bilanc pozitiv sa i takon ndërtesës, arkivit, shërbimit të dokumentacionit, rolit në komunikimin publik, rritjes së ndërgjegjësimit për të zhdukurit në komunizëm.

Mbetet shumë për të bërë për hapjen e plotë të materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe jo vetëm, për qartësimin e fatit të figurave të stigmatizuara, nëpërkëmbura, të konsideruara “armiq të popullit” dhe të të zhdukurve. Sfidat e radhës janë për kthimin e Autoritetit në institucion kujtese, që përveçse zbërthen makinerinë e shtypjes, sjell edhe zërin e qëndrimin e viktimës, duke krijuar kuadrin e plotë historik të diktaturës. Njëherësh, të jetë një qendër e vizitueshme, me mundësi leximi e njohjeje me dokumentacionin, po ashtu, një instrument që ndihmon për zbërthimin e së shkuarës dhe hetimin e fatit të viktimave të pagjetur.

Në vijim, relatori i seancës, z. Klevis Xhoxhi, pasi shprehu vlerësimin mbi punën e institucionit përgjatë vitit 2021, trajtoi me radhë pikat e rezolutës dhe punën e bërë për realizimin e tyre.

Pas paraqitjes së raportit, anëtarët iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve të Komisionit të Ligjeve sa i takon verifikimit të zyrtarëve, deklasifikimit të plotë të dosjeve të Sigurimit, hapjes së zgjeruar të tyre për studiuesit, ndryshimet e mundshme ligjore dhe hapësirat e bashkëpunimit dhe koordinimit për të zhdukurit me institucionet qendrore dhe vendore.