Kreu i Delegacionit të BE-së, Ambasadorja Christiane Hohmann viziton Autoritetin dhe mbështet misionin e tij të zbardhjes së të shkuarës komuniste

Tiranë 10.01.2023- Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadorja . Christiane Hohmann zhvilloi vizitën e saj të parë për këtë vit në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Vizita vjen disa ditë pas  emërimit të znj. Gentiana Sula, kryetare. Në këtë vizitë Ambasadorja Hohmann shoqërohej edhe nga znj.Frédérique Hanotier, zyrtare përgjegjëse për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë, në delegacionin e BE-së Tiranë.

Delegacioni dhe kreu i saj  u prit nga kryetarja dhe  anëtarët e Autoritetit, ku u njohën nga afër me punën e institucionit, sfidat e tashme e të ardhme, dhe me hapësirat e reja ku zhvillon veprimtarinë Autoriteti.

Bashkëpunimi mes AIDSSH dhe BE në projektin “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit; të zhdukurit në komunizëm”, zbatuar me ICMP,  si dhe finalizimin e produkteve si udhërrëfyesi për  drejtën e  familjarëve në inicimin e praktikave për qartësimin e të fatit të familjarit të të zhdukurit, raportimin e lokacionit etj. ishte në qendër të bisedimeve.

Në kuadër të kësaj vizite u diskutua edhe lidhur me përfundimet e Progres- Raport e BE-së për vitin 2021, për zbatimin e  të drejtave themelore në trajtimin e çështjes së personave të zhdukur në komunizëm në të cilin theksohet se “zgjidhja e rasteve ka mbetur e ulët pjesërisht për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burimeve dhe vullnetit politik për të krijuar një mekanizëm efikas të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përkatëse dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për këtë çështje.”.

Kryetarja informoi se në drejtim të kësaj çështje Autoriteti ka punuar dhe është në pritje të miratimit të një VKM-je e cila rregullon procedurat për identifikimin dhe rikuperimin e personave të zhdukur. Ky akt normativ është vendimtar dhe përcakton rolin e secilës palë në këtë proces, në lidhje me urdhrin e zhvarrosjes për zonat e dyshuara ku mund të gjenden mbetjet mortore të personave të zhdukur, apo të gjetur. Në këtë kuadër, Autoriteti po bashkëpunon me zyrën e OSBE-së,  BE-në dhe Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS) për ta shtyrë procesin përpara.

Znj.Hohmann u njoh nga afër me ekspozitën “Sigurimi në fjalët e veta”, çelur në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, e vendosur tashmë në ambientet e Autoritetit, në të cilën është shqyrtimi i historikëve të 19 degëve të ish-Sigurimit të Shtetit në vend, dokumente të prodhuara prej tij në vitet 1973-1980. Dokumentet e shqyrtuara paraqesin interes, sepse Sigurimi merr përsipër autorësinë e disa ngjarjeve, duke dhënë njëherësh këndvështrimin e vet mbi emrat e përfshirë të kundërshtarëve politikë.

Ekspozita, synon të nxisë më tej punën për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e të pagjeturve, duke sjellë rastet e evidentuara, duke pasur parasysh që - përmes emrave të ndryshëm, të njohur apo të panjohur, - të përmbledhë metodat terrorizuese të Sigurimit të Shtetit ndër vite, që ndihmojnë për të qartësuar fatin e këtyre personave.

Z. Gjergj Marku, përfaqësues i shoqatave të të përndjekurve politik në Autoritet, e njohu ambasadoren me hartën e vendeve të ekzekutimit, si dhe  kërkesat e qindra familjarëve që janë në kërkim të të afërmeve të tyre të zhdukur.

Në total janë 203 kërkesa të regjistruar pranë Autoritetit që nga viti 2017- 2022, për qartësimin e fatit të të zhdukurve gjatë regjimit komunist. Ndërkohë Arqipeshkivia Shkodër e Kishës Katolike ka kërkuar bashkëpunimin për gjetjen e 38 katolikëve të dënuar dhe pushkatuar gjatë regjimit komunist. Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë në Shkodër, na ka vënë në dispozicion një listë me 353 të dënuar apo pushkatuar në qytetin e Shkodrës, si dhe vendet e ekzekutimit dhe të cilat dyshohen  si vendvarrime për  të dënuarve shpeshherë edhe pa gjyq, në Malësinë e Madhe, në Pukë, në Fushë Arrëz dhe Vau i Dejës. 

Vizita vijoi në arkivin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku delegacioni u njoh me proceset e punës, mënyrën e ruajtjes, tipologjinë e dosjeve, si dhe me dokumente konkrete.

Diskutimet mbi synimet e Autoritetit dhe  të ardhmen vijuan më tej në sallën e mbledhjeve, ku u bë një paraqitje të punës së institucionit gjatë mandatit të parë, sa i takon informimit të qytetarëve, studiuesve dhe mediave mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe krijimit të strukturës së posaçme për të zhdukurit në komunizëm.

Vëmendje e veçantë iu kushtua punës së bërë nga institucioni në bashkëpunim me partnerë, organizata dhe shoqata, mbi kampin e Tepelenës, atë të Maliqit, si dhe të zhdukurit. Theksi u vu tek vijimësia e projekteve të nisura, sa i takon vendeve të kujtesës, kërkimit shkencor dhe të zhdukurve në komunizëm. Mbledhja e dokumenteve arkivorë të ish-Sigurimit të Shtetit si dhe pasurimi i mëtejshëm dhe krijimi i një  infrastrukturë moderne në arkiv mbetet ende një sfidë për Autoritetin.

Në përfundim, kryetarja  dhe anëtarët e Autoritetit i kërkuan mbështetje  kreut të Delegacionit të BE-së për punën e Autoritetit.

Kreu i Delegacionit të BE-së, Ambasadorja Christiane Hohmann, në fjalën e saj shprehu mbështetjen e për mandatin e Autoritetit dhe vlerësoi punën e deritanishme.

Mbi të gjitha faleminderit për këtë vizitë dhe që më treguat të gjitha aspektet e Institucionit tuaj. Kjo për arsye se, ashtu siç e kisha kuptuar edhe vetë në fakt, ju jeni shtylla kurrizore e historisë moderne të Shqipërisë se nuk po flasim për një histori që ka ndodhur 200-300 vjet më parë, por për një histori që është e kohëve të fundit. 

E gjithë puna që keni bërë është jashtëzakonisht e çmueshme për të tashmen dhe të ardhmen.  E gjithë kjo punë qe fokusohet në të shkuarën fare të afërt kontribuon në kujtesën kolektive të kombit. Prandaj mendoj  se ju duhet të jeni shumë krenarë”,– tha në fjalën e saj, kreu i Delegacionit të BE-së,

Ambasadorja . Christiane Hohmann la këtë shënimin në librin  e përshtypjeve të Autoritetit: “Faleminderit për punën tuaj kaq thelbësore për të qartësuar memorien e e një kohe të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Evropa do të vazhdojë të mbështesë punën tuaj të admirueshme.”

Vullneti politik në angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore, prokurori, polici, mjekësi ligjore në procesin e rikuperimit dhe identifikimit e trupave, qasja e institucioneve, organizatave dhe shoqërisë, ndërveprimi mes tyre, po ashtu rritja e aksesit të qytetarëve, studiuesve dhe mediave në informim, është e rëndësishme të reflektohet edhe në synimet e trupës së re drejtuese, e cila ka përgjegjësinë e trajtimit të së shkuarës me profesionalizëm, integritet dhe duke vënë në qendër qytetarin.

Për Autoritetin, sfida e mandati i dytë kanë të bëjnë me kthimin e tij në institucion kujtese, që përveçse zbërthen makinerinë e shtypjes, sjell edhe zërin e qëndrimin e viktimës, duke krijuar kuadrin e plotë historik të diktaturës. Njëherësh, kthimi një qendër e vizitueshme, me mundësi leximi e njohjeje me dokumentacionin, po ashtu, një instrument që ndihmon për zbërthimin e së shkuarës dhe hetimin e fatit të viktimave të pagjetura.