Ekspozitë e përhershme informuese në ish-kampin e internimit në Tepelenë

Tepelenë, 14 shkurt 2022 – – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës, në mbyllje të projektit ICMP-AIDSSH “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit: të zhdukurit të komunizëm”, të mbështetur nga BE dhe Ambasada Zvicerane, përurojnë ekspozitën e përhershme informuese mbi kampin e internimit në Tepelenë, në orën 11.00, në mjediset e ish-kampit. Aktiviteti është i hapur për mediat.

Ekspozita e jashtme e përhershme informuese është përgatitur me materialin e hulumtuar nga Instituti i Historisë dhe mbi të dhënat arkivore mbi të internuarit në kampin me tela me gjemba të Tepelenës. Po ashtu, janë përfshirë skicat e çmuara, që paraqesin në trajtë fotografike jetën në kamp, të realizuara me mjeshtëri nga Lek Pervizi, i internuar në Tepelenë.
Informacionet janë paraqitur në shqip dhe anglisht për të gjithë vizitorët e kampit, që duan të informohen për të shkuarën e tij.

Aktiviteti zhvillohet me pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkisë Tepelenë, z. Tërmet Peçi, Prefektit të Qarkut Gjirokastër, z. Odise Kote, Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë, znj. Klotilda Bushka, Drejtuesit të Seksionit Politik në BE, z. Alexis Hupin, dhe Ambasadores Amerikane, znj. Yuri Kim.

Të pranishëm në ceremoni, familjarë të të pagjeturve të komunizmit në zonën e Tepelenës, të ndëshkuarve në kampin e internimit 1949-1953; përfaqësues të Institutit për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, shoqata të të përndjekurve dhe kujtesës, përfaqësues të institucioneve, Prokuroria, Policia Rajonale, Universiteti i Gjirokastrës, ICMP për Shqipërinë, përfaqësues të komuniteteve fetare të zonës, përfaqësues të grupeve të interesit, trupit diplomatik, aktorë të shoqërisë civile, gazetarë dhe të rinj.

Që me krijimin e tij në 2017, AIDSSH ka iniciuar dhe mbështetur nisma për përkujtimin e viktimave dhe atyre që u ndëshkuan në kampin me tela me gjemba të Tepelenës, si dhe lëvizje që kanë të bëjnë me muzealizimin, identifikimin dhe gjetjen e të zhdukurve, si dhe kthimin e tij në vend kujtese, të vizitueshëm për të rinjtë e shkollave.

Çdo vit, më 23 gusht, Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Totalitarizmit, Autoriteti dhe partnerët, me praninë e familjeve dhe trashëgimtarëve të tyre, përkujtojnë njerëzit pa faj që vuajtën në ish-kampin me tela me gjemba në Tepelenë ose humbën jetën atje.

Në këtë kuadër, Autoriteti me Vendimin nr. 54, datë 10.08.2017 ka miratuar realizimin e Projektit të kujtesës “Memoriali Kombëtar i Kampeve të Punës të Detyruar” dhe ngritjen e grupit të punës “Për kërkimin e dokumentacionit arkivor për kampin e Tepelenës dhe krijimin e një memoriali për përkujtimin e datës 30 gusht, si Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve”, bazuar në ligjin nr. 45/2015 dhe ligjin nr. 9154, dt. 06.11.2003 “Për arkivat”, mbi përgatitjen dhe hapjen e ekspozitave dokumentare. Po ashtu, në zbatim të ligjit nr. 9802, datë 13.9.2007 “Për Ratifikimin e Konventës Ndërkombëtare të OKB-së “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë”.

Ky projekt përmban rikthimin në identitet, si kamp dëbimi të një prej kapanoneve, vendosjen e stendave me dëshmi (fotografi dhe dëshmi arkivore) për kampet e dëbim – internimit, dizenjimin, pozicionimin si dhe mbjelljen e disa fidanëve (qiparisa) për përkujtimin e fëmijëve që kanë humbur jetën nga kushtet e vështira në Kampin e Tepelenës dhe janë pa vendvarrim. Ndërtimi i këtij Memoriali shënon vetëm hapin e parë për transformimin e të gjithë kompleksit në një Muze të Kampeve të Punës së Detyruar të Diktaturës Komuniste.

Projekti është miratuar me vendimin e Këshillit Bashkiak Tepelenë nr. 40, datë 30.11.2017 “Për miratimin e objekteve prioritare të investimeve për vitin 2018”, konfirmuar në datë 14.12.2017 nga Prefekti i Qarkut Gjirokastër.

Në vijim, Autoriteti ka firmosur disa marrëveshje bashkëpunimi me partnerë, të cilët ndihmojnë në mbledhjen e dokumenteve dhe të dhënave zyrtare si dhe në ndërgjegjësimin qytetar dhe edukimin shoqëror, duke e rishqyrtuar historinë dhe rivlerësuar atë. Për mbledhjen e dokumenteve zyrtare mbi Kampin e Tepelenës është bashkëpunuar me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, me Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politikë, Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Në këtë kuadër, projekti është mbështetur nga Bashkia e Tepelenës dhe partnerë të AIDSSH, si PNUD, OSBE e institucione të tjera, publike, akademike dhe të kërkimit shkencor. Me Muzeun Kombëtar të Kampeve të Punës në Tepelenë, AIDSSH synon të krijojë një model për të gjitha kampet e punës së detyruar në Shqipëri, ku e shkuara të shërbejë për reflektim e të mos përsëritet.

Marrëveshja në zanafillë me PNUD-in, (2018) i dha jetë programit “Përkujtojmë, për të shëruar dhe parandaluar” me dy ndërhyrje kryesore: (i) konceptualizimin, historinë, dhe praktikat e punës së detyruar gjatë regjimit komunist përmes një qasjeje historiko – juridike ndaj institucionalizimit të punës së detyruar, për konceptimin e vendeve të kujtesës si Kampi i Tepelenës dhe (ii) fushatën e komunikimit “Edhe muret kanë veshë” zbatuar nga Autoriteti, me mbështetjen e PNUD Shqipëri dhe Qeverisë së Italisë. Fushata u shtri në mbarë vendin, duke mbledhur dëshmi të të mbijetuarve të dënuar gjatë periudhës komuniste dhe dëshmi të solidaritetit që qytetarët e Tepelenës treguan ndaj viktimave,
Projekti “Edhe muret kanë veshë” u zbatua përgjatë vitit 2018 në të gjithë Shqipërinë, në disa përmasa: mbledhja e dëshmive gojore, instalacioni artistik, libri dhe platforma e dëshmive gojore në gjuhën shqipe e angleze, për t’u finalizuar me filmin që e dokumenton këtë proces, duke hedhur dritë në hapat e ndjekur për zbardhjen e së shkuarës.

Në mjediset e ish-kampit të internimit në Tepelenë, Autoriteti, në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës, MEMO, të mbijetuar, institucione dhe shoqëri civile aktive, me mbështetjen e PNUD Shqipëri, Qeverisë së Italisë, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OSBE, organizoi Ditën Muze/Memorial Tepelenë, më 23 gusht, në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare.

Ekspozita “Persekutimi komunist në zonën e Tepelenës” mblodhi komunitetin vendas dhe të mbijetuar, familjarë e pasardhës të tyre nga e gjithë Shqipëria, në Pallatin e Kulturës të qytetit të Tepelenës, dhe u krijoi mundësinë të njihnin punën e Sigurimit të Shtetit në këtë zonë, duke u paraqitur materiale voluminoze, ekspozuar objekte muzeale dhe plotësuar formularë për njohje me dosje individuale.

Simpoziumi shkencor për kuadrin historik e juridik të punës së detyruar në diktaturë u moderua nga z. Marenglen Kasmi, anëtar i Autoritetit, dhe kumtesat u mbajtën nga znj. Sonila Boçi, Instituti i Historisë, në emër të prof. Beqir Meta; znj. Ermira Shtino, në emër të prof. Ermal Frashëri dhe z. Çelo Hoxha i ISKK. Puna e detyruar në diktaturë u paraqit në disa aspekte nga studiuesit dhe u trajtua gjerësisht në konferencën shkencore të fundtetorit “Të mohuarit e regjimit”, mbi internim-dëbimet në vend.

Para mbi 200 të pranishmëve, të mbijetuar e trashëgimtarë të tyre, të ardhur nga gjithë vendi me autobusë të posaçëm, mbështetur nga Bashkia Shkodër, zonja Voltana Ademi; nga Elbasani, mbështetur nga zoti Fatbardh Doko dhe Tirana, mbështetur nga IIPP dhe OSBE; para qytetarëve të Tepelenës, historianëve, studentëve dhe medias, arkitekti Gjon Radovani bëri një paraqitje të ecurisë së punës për ngritjen e Muzeut Kombëtar të Punës së Detyruar në Tepelenë.

Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, në prani të të mbijetuarve e familjarëve të tyre, përfaqësuesve të institucioneve publike e lokale, shoqatave të të drejtave të njeriut, përfaqësuesve të të gjithë spektrit politik, organizatave ndërkombëtare dhe të rinjve të pranishëm, dekoroi në Kampin e Tepelenës për ”Merita të Veçanta Civile”, të mbijetuarit:
Znj. Gjelë Gjikola dhe znj. Mrikë Gjikola (Age Totaj, e bija tërhoqi titullin); znj. Drane Jakja (pas vdekjes), (Nikë Vuksani, i biri tërhoqi titullin) dhe z. Lek Pervizi, që ka sjellë dëshmi të gjalla deri në të sotmen, duke përdorur thëngjill e laps për të dokumentuar me saktësi akribike figura, ndërtesa, situata, portrete dhe njerëz, pa i interpretuar, me qartësinë dhe besnikërinë e një fotografie.

Përballën qëndrimet e tyre në ceremoni znj. Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit; z. Simon Mirakaj, anëtar i Autoritetit, i internuar në Tepelenë; znj. Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës; z. Brian Ëilliams, përfaqësues i PNUD në Shqipëri; znj. Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë Shkodër; z. Nebil Çika dhe z. Bilal Kola, drejtues të shoqatave dhe Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë. Edhe shoqata “Vatra” në SHBA paraqiti një deklaratë në mbështetje të muzealizimit të kampit, e lexuar nga Simon Mirakaj.

Në mbyllje të ceremonisë, Presidenti i Republikës u shpreh se “pajtimi mund të arrihet duke kërkuar të falur, duke pranuar përgjegjësitë, duke shprehur respekt për të gjitha viktimat e regjimit totalitar dhe duke respektuar ata që luftuan kundër tiranisë dhe shtypjes. Drejtësia për viktimat e regjimit komunist dhe totalitarist është thelbësore. Kërkimi i së vërtetës, hapja e arkivave, procedurat e lustracionit, rehabilitimi, integrimi dhe dëmshpërblimi i tyre janë disa nga mënyrat për t’u shprehur atyre dhe familjarëve të tyre mirëkuptimin, simpatinë dhe njohjen e vuajtjeve të tyre.”

Nderimi i të mbijetuarve dhe sakrificës së tyre u parapri nga aktivitete të ndryshme në kamp, që të rinjtë dhe të pranishmit të njihnin e të vlerësonin përmes kujtimeve, dramën njerëzore të mijëra familjeve, të jetuar ditë pas dite.
Projektet Sikur Mama… që i shoqëruan të ftuarit 2 kilometra pa arritur në kamp me kamion deri në hyrje të tij, me një këngë të kënduar nga Mariza Ikonomi, e ardhur nga dëshmia e Klora Merlikës, e mbijetuar; Shtrati-dhomë, që rindërtoi strukturën e drunjtë në të cilën jetonte dhe flinte një familje e tërë sipas dëshmive, dhe I përkasim njëri-tjetrit, që rrëfen në vetë të parë histori të mbijetesës në Tepelenë, synuan që përmes ndërveprimit t’i njihnin të pranishmit me kampin dhe të nxisnin reflektim. Projektet u ndërmorën dhe mbështetën nga MEMO.
Në të njëjtën kohë, qytetarë të shumtë në kamp e jashtë tij blenë dhjetëra qiparisë (82) për Memorialin e fëmijëve që nuk i mbijetuan Tepelenës, hapi i parë për ngritjen e Muzeut Kombëtar të Kampeve të Punës së Detyruar.

Edhe muret kanë veshë, programi shumëdimensional që solli dëshmitë e të mbijetuarve të Tepelenës në arkivin e dëshmive gojore të AIDSSH, u projektua në vendin që e lindi, në muret e Kampit të Tepelenës. Projekti i plotë u realizua nga bashkëpunimi i Autoritetit dhe partnerëve me artisten Alketa Xhafa Mripa dhe Kristale Ivezaj Ramën, me të cilën është punuar për krijimin e platformës interaktive Edhe muret kanë veshë, duke mbledhur dëshmi të të mbijetuarve të dënuar gjatë periudhës komuniste dhe dëshmi të solidaritetit që qytetarët e Tepelenës treguan ndaj viktimave. Instalacioni artistik dhe portretet e dëshmitarëve qëndruan përballë njëri-tjetrit në kamp dhe sollën zërin e fytyrat e njerëzve të thjeshtë që qëndruan me dinjitet.
Si homazh për dhimbjen, si triumf i jetës mbi të keqen, grupet Asgjë Sikur Dielli dhe Tre Musketierëve interpretuan në kamp, në mbyllje të një dite kushtuar përkujtimit, nderimit, kërkimit shkencor, dokumentimit, edukimit qytetar dhe ndërveprimit me të mbijetuarit.

Në tetor 2018 u mbajt konferenca e parë shkencore “Të mohuar nga regjimi: Mbi sistemin e burgjeve, internimeve dhe kampeve të punës së detyruar gjatë regjimit komunist”, në bashkëpunim me IH, ISKK, IIPP dhe rrjetin europian ENRS. Studiues shqiptarë e të huaj, kërkues shkencorë, gazetarë dhe historianë trajtuan për herë të parë në mënyrë shkencore temën e internim-dëbimeve në Shqipëri, duke u bazuar në konceptin, historinë dhe praktikat e punës së detyruar gjatë regjimit komunist përmes një qasjeje historiko – juridike ndaj institucionalizimit të punës së detyruar, dhe kontribuar kësisoj në konceptimin e vendeve të kujtesës, duke zbardhur materiale në mijëra faqe të vëna në dispozicion nga AIDSSH.

Zbardhjes së historisë së ish-kampit të internimit në Tepelenë i shërbejnë marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë qëllim, si me OSBE-në, për projekte hulumtimi dhe pune shkencore me të rinj e kërkues të interesuar për njohjen me të shkuarën dhe përballjen e shoqërisë me të vërtetën; marrëveshja me Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, për bashkëpunim në projekte komplekse që hedhin dritë në Shqipërinë e diktaturës (mes të cilëve puna për kampin e Tepelenës); me Institutin e Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë, që mundësoi listën me të dënuarit me punë të detyrueshme në këtë kamp, 3380 persona, nga të cilët: 973 burra të moshuar, 1254 gra dhe 1163 fëmijë; me Qendrën MEMO, me Fondacionin Kujto.al, me Universitetin Europian të Tiranës, me Zërin e Amerikës, Federatën Panshqiptare Vatra, me Institutin e Historisë, Akademinë e Studimeve Albanologjike, Universitetin e Tiranës dhe së fundi, me Ministrinë e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, për ta kthyer Tepelenën në vend të vizitueshëm nga të rinjtë e shkollave dhe integruar në programet mësimore.

Shqiptarët kanë nevojë për vende të tilla të kujtesës për të dënuarit e ndërgjegjes, si institucionet e burgimit apo internimit, që e kaluara të mos harrohet, të shërbejë për të kuptuar të tashmen e për të ndërtuar të ardhmen në baza më solide.
Sa i takon sistemit të dëbim-internimeve, kampi i Tepelenës spikat për disa arsye:
– Ky kamp mbart qindra histori të dhimbshme njerëzore. Për shkak të situatës ekstreme të jetës, ai është përmendur në mënyrë të posaçme nga qeveria amerikane në vitin 1955, si pjesë e ankesës së saj në Kombet e Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim.
– Ai pasqyron më së miri tipologjinë e kampeve të rrethuara me tela me gjemba, të cilat nuk kanë qenë fenomen i përhapur në Lindjen Komuniste dhe mund të krahasohen vetëm me gulagët sovjetikë.
– Ndërsa për kampe të tjera të tilla, si ai i Beratit, Krujës, Valiasit, Cërrikut, Shijakut, Porto–Palermos, Kuçovës, Kuçit të Vlorës, etj., nuk kanë mbetur objekte kujtese, për Kampin e Tepelenës këto ekzistojnë. Disa nga kazermat e kampit të Tepelenës ruhen ende. Për më tepër, skicat e Lek Pervizit, i mbijetuar, japin dëshmi për t’i rindërtuar kabinat ku strehoheshin të internuarit.

Veç të tjerash, projekti ICMP-AIDSSH “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit: të zhdukurit të komunizëm”, 2020-2022, mbështeti punën kërkimore të disa shoqatave dhe organizatave të shoqërisë civile, për identifikimin e fëmijëve që humbën jetën në kampin e Tepelenës dhe për zbardhjen e historisë së zonës, nëpërmjet dokumenteve dhe dëshmive të të mbijetuarve, dokumentarëve të përgatitur për këtë qëllim dhe të shpërndarë masivisht.

Sfida për përkujtimin e tij dhe kthimin në vend kujtese, të vizitueshëm nga të rinjtë e shkollave mbetet e hapur