Autoriteti ndërmerr hapat për përmbushjen e procesit të deklasifikimit të dosjeve të epokës së komunizmit

Autoriteti ndërmerr hapat për përmbushjen e procesit të deklasifikimit të dosjeve të epokës së komunizmit

-Brenda vitit parashikohet deklasifikimi i po aq dokumenteve sa në pesë vitet e shkuara

Tiranë 4.04.2023- Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi disa ndryshime ligjore që lidhen edhe me procesin e deklasifikimit të dokumenteve në përmbushje të detyrave funksionale të Autoritetit  për Informimin mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit si:

1) deklasifikimi i të gjithë dokumenteve nga 29 Nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë,

2)klasifikimi, sipas legjislacionit në fuqi për “Informacionin e klasifikuar” për të gjithë dokumenteve që përmbajnë informacione që  lidhen me cënimin e sigurisë kombëtare dhe marrëdhëniet me shtetet e tjera.

Ndryshimet e miratuara synojnë të shmangin vështirësi dhe vonesa të ndeshura gjatë procesit të deklasifikimit të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të përmirësojnë efektivitetin dhe efiçencën në dhënien e shërbimeve subjekteve kërkuese. 

Autoriteti nxorri vendimin me nr.31për zbatimin e ndryshimeve ligjore. Bazuar në këtë vendim vijoi deklasifikimi sipas listës së inventarëve të dokumenteve ku  prioritet për deklasifikim morën dosjet e ndjekjeve dhe bashkëpunëtorëve. Më parë deklasifikimi nga AIDSSH bëhej duke shqyrtuar fletë më fletë, ndërsa ky vendim parashikon shqyrtimin e tyre në nivel dosje.

Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, Komisioni i Deklasifikimit dhe Zhvlerësimit, i krijuar pranë Autoritetit,  deklasifikoi  609 njësi arkivore me rreth  13.300 fletë dokumente. Brenda vitit, Autoriteti ka parashikuar deklasifikimin e një sasie të konsiderueshme dokumentesh, që mendohet  të kalojë shifrat e pesë viteve të shkuara, 2018-2022.

Sipas të dhënave statistikore nga drejtoria e Arkivit të Autoritetit, në vitet 2018-2022 janë deklasifikuar dokumente arkivore me tipologji të ndryshme: dosje ndjekjeje, bashkëpunëtorësh, fashikuj të ndryshëm, kartela, regjistra etj., në total 317.051 fletë. Po gjatë kësaj periudhe, Autoriteti ka shërbyer edhe një sasi të  madhe të dokumenteve arkivore, të cilat nuk kanë patur nivel klasifikimi.

Autoriteti po përgatit  ndryshimet me aktet nënligjore për përjashtimin nga deklasifikimi ose kufizimin për rastet kur mund të cënohet siguria kombëtare.

Bëjmë thirrje, që çdo autoritet publik dhe arkiv t’i  dorëzojë atij dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që disponon duke përfshirë kopjet dhe dublikatat të tjera duke sjellë në vëmendje se AIDSSH-së është Autoriteti i vetëm për mbledhjen, ruajtjen, administrimin, grumbullimin dhe deklasifikimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit. 

Realizimi i procesit të deklasifikimit është në harmoni me një nga pikat  e projekt-rezolutës së Parlamentit Evropian mbi raportin e Komisionit të vitit 2022 për Shqipërinë, ku theksohet, në zërin – “Pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë - Nevoja për përfundimin e procesit të deklasifikimit të dosjeve të epokës së komunizmit dhe bërjen e tyre të aksesueshme për studiuesit dhe publikun e gjerë me qëllim avancimin e drejtësisë  dhe pajtimit”.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) ka nënvizuar vazhdimisht rëndësinë e transparencës së autoriteteve publike në një shoqëri pluraliste, demokratike, të drejtën e aksesit publik në dokumentet zyrtare, si dhe arritjen e ekuilibrit midis sigurisë kombëtare dhe aksesit ndaj një informacioni të tillë.