Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) mbështet Autoritetin në veprimtarinë e zbradhjes së të shkuarës komuniste dhe përshendet punën në drejtim të deklasfikimit të dokumenteve.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) mbështet Autoritetin në veprimtarinë e zbradhjes së të shkuarës komuniste dhe përshendet  punën në drejtim të deklasfikimit të dokumenteve

-          Mbahet në Kuvendin e Shqipërisë seminari “Aksesi në Dokumentet Historike

 

Tiranë 31 mars 2023-Një delegacion nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE), vizitoi Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, menjeherë pas përfundimit të seminarit me temë “Qasja në dokumentet historike” mbajtur sot në Tiranë, në Kuvendin e Shqipërisë.

 

Delegacioni e APKE u shoqëruan nga kryetarja dhe anëtarët e Autoritetit, të cilët i njohën me punën e institucionit, sfidat e tashme e të ardhme, dhe me hapësirat e reja ku zhvillon veprimtarinë Autoriteti.

 

Znj. Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit i njohu përfaqësuesit e Asanmblesë Parlamentare me punën e bërë që në themelimin e institucionit, vendimi i parë për të cilin ishte caktimi i ndërtesës së Autoritetit. Për vite me radhë u punua për rikonstruksionin sipas standardeve bashkëkohore të ruajtjes dhe sigurisë.

 

Të pranishmit vizituan arkivin e dokumenteve të Sigurimit dhe u informuan për proceset e punës, mënyrën e ruajtjes, tipologjinë e dosjeve, etj.

 

Drejtuesja i këtij delegacioni, znj.Louise Barton, Drejtore e Dinjitetit Njerëzor dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës deklaroi mbështetjen për punën e Autoritetit, sidomos në drejtim të deklasfikimit të dokumenteve dhe si dhe rëndësinë që paraqet e transparenca e autoriteteve publike në një shoqëri pluraliste, demokratike.

 

Sot paradite, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) në bashkëpunim me Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut dhe Kuvendin e Shqipërisë, zhvilloi, në Tiranë, seminarin me temë “Qasja në dokumentet historike”, në të cilën mori pjesë edhe kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet të ish –Sigurimit të Shtetit, Dr. Gentiana Sula, anëtari, z. Gjergj Marku, si dhe drejtues nga stafi teknik i institucionit.

 

Në fjalën e saj të hapjes, mbajtur në praninë nënkryetares, znj. Ermonela Felaj dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe ekspertëve të fushës, kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula tha se: “Përgjatë 25 viteve të tranzicionit të Shqipërisë nga regjimi totalitar në një shtet demokratik dhe të së drejtës, nevojat për transparencë dhe objektivitet mbi të shkuarën totalitare kanë qenë po aq të mëdha sa dhe sfidat e ndërtimit të një shteti demokratik.

Pavarësisht nismave të ndryshme ligjore, të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbi amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve politikë apo për lustracionin e zyrtarëve, hapja e dosjeve të ish-Sigurimit, mbeti një çështje e papërfunduar e shekullit të XX-të.”

Me tej kryetarja u shpreh se: “Miratimi i ligjit 45/2015 nga Kuvendi ishte një gur themeli sa i takon vendosjes, për herë të parë, në fokus, të së drejtës për informim mbi dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, hapjes së dosjeve, aksesit të individëve tek to, si dhe informimit të kërkuesve shkencorë dhe mediave për hulumtim e për nevoja të rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit.

Në përputhje me standardet ndërkombëtare e duke mbajtur në konsideratë jurisprudencën kushtetuese mbi çështje të lustracionit, jo me më pak rëndësi ishte dhe përfshirja në këtë ligj e mundësive të verifikimit të figurave, për zyrtarë të zgjedhur apo emëruar, kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit të cilësive etike, morale dhe profesionale, në harmoni me pjesën tjetër të legjislacionit në fuqi. “

Sipas znj. Sula, cdo vit, që nga hyrja në fuqi e ligjit e në vijim, Kuvendi ka vlerësuar punën e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe ka mundur të konstatojë procesin e vazhdueshëm të informimit dhe transparencës mbi rreth 47 vite histori të shtetit të pavarur shqiptar, mbi ngjarje e figura historike, mbi aspekte të funskionimit të regjimit të panjohura më parë dhe mbi fate njerëzish.

Për sa i takon ndryshimeve të fundit ligjore, Dr. Gentiana Sula tha se: “Me miratimin e ndryshimeve në ligjin 45/2022 në fund të vitit 2022, Kuvendi ka krijuar shtratin e nevojshëm ligjor për t’i dhënë një shtysë më të madhe hapjes së dhe aksesit tek dokumentet historike, në mënyrë që çështja e papërfunduar e shekullit të XX të mund të gjejë trajtim të përshtatshëm dhe mbyllje në aktualin.

“Kështu, duke:  i konsideruar dokumentet e fondit të ish-Sigurimit të deklasifikuara me përjashtim të rasteve kur mund të cenohet siguria kombëtare apo marrëdhëniet me shtetet; parashikuar të drejtën e informimit për çdo individ; hequr pengesat në veprimtarinë verifikuese për zyrtarë e duke e shtrirë atë edhe tek zyratrë të verifikuar nga komisione të mëparshme, është krijuar tashmë baza e nevojshme për garantimin e qasjes tek dokumentet historike, informimit të publikut, njohjes së historisë, edukimit qytetar dhe vendimmarrjes së informuar.” – përfundoi fjalën e saj, Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit.

Në harkun kohor 2018-2022, Autoriteti ka deklasifikuar 317 051 fletë dhe me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, ka marrë masa që, brenda muajit Mars, të deklasifikojë 610 njësi arkivore ose rreth 13 300 fletë fletë dokumente.

****

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) ka nënvizuar vazhdimisht rëndësinë e transparencës së autoriteteve publike në një shoqëri pluraliste, demokratike, si dhe të drejtën e aksesit publik në dokumentet zyrtare si dhe arritjen e ekuilibrit midis sigurisë kombëtare dhe aksesit. ndaj një informacioni të tillë.

Seminari “Qasja në dokumentet historike” u mbajt  në funksion të punës së APKE-së për përgatitjen e raportit dhe punës së vazhdueshme në Kuvendin e Shqipërisë për deklasifikimin e dosjeve të sigurisë të epokës komuniste.

 

Qëllimi i seminarit ishte mbledhja e parlamentarëve dhe ekspertëve nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, veçanërisht nga vendet me një sundim autoritar në të kaluarën, dhe të shërbejë si një platformë për shkëmbimin e përvojës dhe praktikave të mira në zbulimin e një informacioni të tillë. Për më tepër, seminari do të ofrojë një mundësi për të diskutuar masat e marra në vendosjen e udhëzimeve të qarta dhe masave mbrojtëse adekuate në nivele të ndryshme të procedurës së zbulimit të informacionit për të shmangur abuzimet. Audiencat e synuara përfshijnë deputetë, si dhe përfaqësues të institucioneve përkatëse dhe palëve të interesuara, duke përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile.