Klotilda Bushka

YouTube Speach

   Fjala e KLOTILDA BUSHKA në Seminarin Ndërkombëtar: "Përdorimi i dosjeve të  policisë sekrete për mësimin e historisë së regjimeve totalitare, si pjesë e edukimit për demokraci në shkollë."

Mirëdita të gjithëve, përfaqësues të autoriteteve publike, veçanërisht Ministrisë së Arsimit, Autoritetit mbi Informimin e Dosjeve të Ish Sigurimit të Shtetit, përfaqësues të Këshillit të Evropës dhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, miq dhe të ftuar, dhe njerëz të apasionuar, të përkushtuar, për temën mbi të cilën është organizuar ky event sot.

Unë kam vite që këtë temë e kam shumë për zemër, duke besuar se nëse ne do të zbardhim të vërtetat dhe do të kuptojmë historinë siç ka qenë në të shkuarën, do ta keni shumë më të lehtë të realizojmë të ardhmen që dëshirojnë të gjithë. Të harrosh të shkuarën do të thotë të përsëritësh të njëjtat gabime. Unë do t’ju kaloj në një temë tjetër në lidhje me çështjen konkrete që po diskutojmë, sepse do të doja që t’ju informoja në lidhje me një draft rezolutë që së shpejti do të miratohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kjo draft rezolutë bënë fjalë për të drejtën e lirisë së informacionit dhe sigurimi i aksesit në dokumentet historike. Një rezolutë e cila do të ketë spektër të gjerë veprimi, në të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës, por jo vetëm kaq.

Në kuadër të kësaj draft-rezolute është bërë një punë përgatitore, nga unë si raportere por edhe nga stafi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në të kuptuarit të situatës se ku është Evropa në garantimin e të drejtës së informacionit në dokumentet historik. Kur themi dokumente historik, përfshihen edhe dokumentet e regjimeve autoritare, apo dokumentet sekrete të shërbimeve, që në kohërat e regjimeve autoritare apo regjimeve monokratike, vepronin në kundërshtim me parimet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe shkelnin çdo lloj parimi që sot në demokraci është  baza dhe thelbi i mirëfunksionimit të shtetit. E drejta e aksesit në informacion, mbrohet sipas nenit 10 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut dhe nenit 19 të Paktit Ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike.

E drejta e informacionit nënkupton të drejtën për të kërkuar, marrë dhe dhënë informacion. Kjo është një e drejtë universale siç parashikohet në nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Kjo e drejtë duhet të njihet nga çdo shtet, veçanërisht kur bëhet fjalë për informacione që mbahen nga shteti. Flasim për ato dokumentacione të cilat ndodhen në arkivat shtetërore. Dhe shtohet detyrimi i shteteve, për të garantuar akses në këto dokumente edhe sikur ato të kenë qenë të klasifikuara apo sekrete.

Kohët e fundit, Kuvendi i Shqipërisë dhe në Shqipëri, të gjitha dokumentet e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, me ligj janë totalisht të deklasifikuara. Nga një proces pune i cili kërkonte që hap pas hapi të deklasifikoheshin dosje të klasifikuara, pra që kishin informacion te klasifikuar, me ndryshimet ligjore sot, Autoriteti dhe institucione të tjera publike, ecin me parimin që të gjitha dosjet janë të hapura për publikun, por bëjnë vetëm veprimtarinë për të kuptuar nëse ka kushte për të mos i bërë ato publike dhe këto kushte lidhen me mbrojtjen e Sigurisë Kombëtare apo cenimin e të drejtave të njeriut. Edhe ky në fakt është një element që njihet nga standardet ndërkombëtarë për këto çështje. Në fakt në draft rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku unë kam qenë raportere për çështjen, ne kemi kërkuar që kjo e drejtë, ky shkak për të mbrojtur Sigurinë Kombëtare, apo edhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut të të tjerëve, të mos përdoret vend e pa vend, por të përdoret vetëm në situata strikte. Sepse e drejta për informim mbi këto dokumente do të duhet të jetë interes mbizotërues. Thënë këtë do duhet të vazhdoj me atë që ne kemi bërë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës që do të ketë efekt dhe fushë veprimi në të gjithë Evropën, por në fakt edhe nga ato vende të cilët nuk janë anëtar të Këshillit Evropës, por kanë angazhimin dhe interesin për të zbatuar standardet më të mira të të drejtave të njeriut për këtë çështje.

Pavarësisht zhvillimeve të fundit në fakt, që unë ju shpjegova se çfarë ka ndodhur në Shqipëri me ndryshimet ligjore, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në disa vende të Këshillit të Evropës, që kanë pasur një qasje pro aktive të hapjes sa më shumë të informacionit dhe Gjykata Evropiane  e të Drejtave të Njeriut në fakt ka mbajtur një qëndrim konservator. Pavarësisht zhvillimeve të fundit të një zbatimi potencialisht më të gjerë të kësaj të drejte në Strasburg, qëndrimi mbetet i njëjtë dhe qëndrimi është ai kur miratohen raporte për aksesin në informacion dhe Sigurinë Kombëtare.

Siç edhe ua u thashë, rregulli mbi të drejtën e aksesit në informacion duhet të jetë interesi mbizotërues. Kufizimet legjitime të kësaj të drejte, për shkak të Sigurisë Kombëtare dhe mbrojtës së privatësisë, duhet të mbeten një përjashtim. Ky është veçanërisht rasti kur informacioni i kërkuar është me interes kaq të lartë publik, si dokumentet historike. Duhet të ketë gjithashtu udhëzime strikte për zbatueshmerinë e përjashtimeve. Kjo do të thotë që të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe ato që do të zgjedhin ta zbatojnë këtë lloj standardi, duhet të japin justifikime se përse qasja në dokumente të caktuara historike është e kufizuar. Është detyrim i shtetit dhe barrë e shtetit, të provojë se pse kufizimet janë legjitime, nënteste të rrepta të domosdoshmërisë dhe të proporcionalitetit. Strukturat mbikëqyrëse duhet ta justifikojnë këtë, por dhe duhet ta argumentojnë, dhe duhet ta raportojnë këtë çështje. Gjithashtu të gjitha strukturat mbikëqyrëse do të duhet të kenë në fokus të punës së tyre duke realizuar në çdo shtet, Autoritete të pavarura që verifikojnë se si shtetet i garantojnë këto të drejta për informim dhe se sa në përputhje me standardet, me parimin e domosdoshmërisë dhe të propocionalitetit, aplikohet kufizimi në lidhje me këtë të drejtë. Një parim kyç është ai i publikimit pro aktiv të informacionit. Shtetet anëtare, kanë detyrimin ti bëjnë dokumentet historike, publike dhe të aksesueshme, duke shmangur proceset burokratike për regjistrim dhe paraqitje kërkesash. Ndodh shpesh, që bëhet aq e vështirë proceduralisht, të kërkosh një informacion, të bësh disa kërkesa, ta marrësh, sa ata që kanë interes që të studiojnë mbi këto çështje, heqin dorë.

Dhe kjo është detyrë e shtetit, që të krijojë kushte të lehta, për akses të thjeshtë dhe për të mos penguar me procedura realizimin e të drejtës. Pra, ne nuk duhet që procedurën ta përdorim për të mbytur thelbin e mekanizmit, për të cilin konventat dhe ligji kanë parashikuar specifikisht. Publikimi pro aktiv, përfshin gjithashtu informimin e publikut për dokumentet historike përmes shtypit, mediave sociale dhe mediave të tjera.

Unë kam bërë thirrje në këtë draft rezolutë, për digjitalizimin e arkivave. Kjo shkon me parimin e fundit kyç që unë do të doja të theksoja, që është një kosto e arsyeshme e aksesit në informacioni. Thjesht ata që kërkojnë akses në dokumente historike, nuk duhet të mbingarkohen me tarifa të larta. Digjitalizimi e mundëson këtë  gjë. Jo vetëm ndihmon transparencën, uljen e barrierave burokratike, por dhe lehtëson uljen e kostove, për shërbimet që kërkohen në këtë drejtim.

Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se autoritetet mbikëqyrëse duhet të kenë si prioritet, të përfshijnë rishikimin e vendimeve të ekzekutivit për fshehjen e informacionit. Në qoftë se informacioni nuk është i bërë publik, mbahet me argumente të testit të Sigurisë Kombëtare dhe ato argumente nuk janë të bazuara, autoritetet mbikëqyrëse duhet të kenë mekanizma në duar për t’i rishikuar këto vendime, sepse nëse do të kemi një praktikë të konsoliduar të rishikimit të këtyre vendimeve dhe çështja e transparencës do të jetë më e realizueshme. Nëse nuk ka vendime të cilat janë shtrënguese dhe të detyrueshme nga autoritetet mbikëqyrëse dhe nëse nuk krijohet një praktikë e konsoliduar, ajo që do të ndodhë është që nën justifikimin e atyre arsyeve, që e legjitimojnë mbajtjen e informacionit jo publik, do të dëmtojë atë që është interesi publik, qasja me të vërtetën e vërtetë.

 Në përgatitjen e draft raportit dhe të draft rezolutës që pritet të miratohet së shpejti në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në mars të vitit 2024, është bërë një punë kolosale, jo vetëm me workshop, seminare, qasje mendimesh me historianë, deputetë që kanë vite që merren me këtë çështje, me raporterë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që kanë mbajtur pozicione drejtuese dhe kanë qenë hartuesit e rezolutave të mëparshme për të njëjtën çështje, me përfaqësues titullarë të institucioneve që merren me të drejtën e informimit mbi dokumentet historike, Znj. Sula ka qenë e përfshirë gjithashtu, me autoritete zyrtare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por edhe të Këshillit të Evropës sa i takon historisë, studimit të historisë, përdorimit të tij në sistemin arsimor, përdorimit të tij në jetën publike administrative të çdo vendi dhe arsyet e dhënies vlerë të këtyre aktiviteteve.

 Pra, nëse ne i kemi këto informacione, për çfarë i përdorim? I përdorim pikërisht t’ia mësuar brezit të ri, i përdorim për efekt të hartimit të politikave dhe ku do të duhet të bazohemi mbi historitë e kaluara, që kanë qenë modele të dënuara ose modele të mira. Mund të kemi edhe modele të mira që do duhet të mos i humbim, por do duhet edhe të demaskojmë modelet e gabuara, për t’ia treguar brezave, për ti përdorur në punën tonë të përditshme, sepse rrezikojmë nëse nuk e bëjmë kështu, ta përsërisim historinë e keqe.

Ne dërguam një pyetësor tek parlamentet e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, për të kuptuar më mirë se si janë praktikat e shteteve anëtare dhe qasjet e tyre ndaj transparencës për informimin mbi dokumentet historike. Në fakt, në bazë të këtyre informacioneve që morëm nga shtetet anëtare, u paraqitën edhe disa konkluzione që unë do të doja ti ndaja me ju sot. Ajo që vura re është se ka një mënyrë jo të njëllojshme, ka trajtime të ndryshme në shtete të caktuara se si i qasen kësaj çështjeje. Në Këshillin e Evropës, ekziston Konventa e Tromsos, është e vetmja konventë ndërkombëtare që siguron në mënyrë eksplicite të drejtën e informacionit. Ka vende anëtare të Këshillit të Evropës, që nuk e kanë miratuar këtë konventë, Shqipëria e ka miratuar. Nëse miratohet kjo konventë, rritet dhe përgjegjshmëria e shteteve për të pasur një qasje shumë më transparente, të hapur ndaj publikut për të drejtën e informimit mbi dokumentet historike.

Ndërkohë ka vende, të cilat janë anëtarë të Këshillit të Evropës që e kanë nënshkruar konventën por që nuk e kanë ratifikuar atë, madje ka nga ato që kanë 14-të vjet që e kanë nënshkruar. Kjo shihet si një sfidë e vet Asamblesë Parlamentare të  Këshillit të Evropës dhe e Këshillit të Evropës, sepse shtetet anëtare duhet të jenë të parat si shembull që aplikojnë standardet më të mira. Dhe kur vjen puna të standardet e mira për të drejtën e informimit, si pjesë e korpusit të të drejtave të njeriut, nuk mund të ketë organizatë më efektive dhe më me eksperiencë, dhe më me aftësi, se sa Këshilli i Evropës.

Ne i kemi bërë thirrje disa shteteve anëtare që ta nënshkruajnë këtë konventë, sepse ka edhe nga ato, të cilat mendojnë se legjislacioni i tyre është në përputhje me këtë konventë. Në fakt përputhshmëria e një konvente me legjislacionin e brendshëm, do të duhet të jetë e certifikuar me një vendimmarrje të një niveli të caktuar, nuk mund të jetë thjeshtë një qëndrim i shtetit. Edhe kjo do të duhet të bëhet nga ato shtete, të cilat nuk e kanë kryer ende këtë proces. Shtetet anëtare të tjera të Këshillit të Evropës, të cilat e kanë nënshkruar dhe ratifikuar, do duhet patjetër të kontrollohen, në kuptimin e monitorimit brenda kufijve që parashikon Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës nëpërmjet mekanizmave të vetë, që janë kuvendet e çdo shteti, se si zbatohen sot standardet e kësaj konvente.

Ne kemi vërejtur zhvillime shqetësuese në qasjen e dokumenteve historike në praktikë, siç del edhe nga vetë pyetësori dhe hulumtimi që kemi bërë. Sistemet dhe strukturat që aplikohen sot në vendet anëtare, nuk kanë një mbikëqyrje efektive dhe pluraliste mbi vendimmarrjen e pushtetit ekzekutiv. Tani, ose janë Autoritetet e pavarura që merren me trajtimin e informacionit dhe njohjen e tij për publikun, ose janë organe të pushtetit ekzekutiv. Kur janë organe të pushtetit ekzekutiv, nga pyetësorët na ka rezultuar, që nuk ka pasur një realizim efektiv të të drejtave. Ndaj, ajo që sugjerohet është që të rritet mbikëqyrja e pushtetit ekzekutiv që merret me trajtimin e të tilla çështjeve.

Së dyti, ketë rol mendojmë ta kenë gjykatat dhe institucionet e pavarura. Pra shtetet anëtare nëse nuk i kanë, duhet të përdorin modelin më të mirë të bërjes efektive të mekanizmave që njeh konventa, të mekanizmave që njohin rezolutat, standardeve të mira që përdoren për të drejtën në informim në dokumentet historike. Dhe një mekanizëm i ankimit në gjykatë dhe një vendim përfundimtar i gjykatës, krijon atë që ne e konsiderojmë konsolidimi i praktikës. Është i detyrueshëm për të gjithë për sa kohë merret, jo vetëm për palët e atij procesi, por edhe për të gjithë shoqërinë. Këto janë mjetet që kanë rezultuar më efektive në ato vende që i përdorin për të marrë benefitin më të mirë për interesin publik në këto çështje.

Është e qartë se publikimet e rregullta të informacionit historik dhe të listave të dokumenteve që mbeten të kufizuara, janë gjithashtu mekanizma që duhet të forcohen dhe duhet të ketë udhëzime të qarta për procesin, për të bërë një kërkesë për akses në informacion. Është ajo që thashë më parë, udhëzime të qarta që njerëzit të kuptojnë çfarë duhet të bëjnë për të marrë një informacion, duhet ta kenë të lehtë, nuk duhet të kenë rregulla burokratike dhe nuk duhet të mbingarkohen me kosto të tepërta.

Ndërkohë këshillohet të ketë një politikë pro aktive publikimi, organizimi i projekteve dhe ngjarjeve mbi dokumentet historike. Pra, autoritetet nuk duhet të mbeten vetëm tek pjesa çfarë kërkohet dhe të kenë atë rolin pasiv, që nëse vihen në lëvizje do të marrin angazhim për t’ju përgjigjur kërkuesit. Por duhet edhe vet të organizojnë aktivitete mbi ngjarje që lidhen me fokusin e punës së tyre, fjala vjen si ky që po organizohet sot dhe është shumë i vlefshëm. Ndërkohë, kur kërkohet përgjigja nga pushteti ekzekutiv apo nga pushtete të tjera ndaj kërkesave për akses, është e rëndësishme që të ketë arsyetime të detajuara për mbajtjen e informacionit dhe këto duhet të jepen brenda një kohe të arsyeshme. Pra, të kuptojmë edhe një situatë, që të jemi objektiv. Jo çdo kërkesë për informacion mund të marri një trajtim. Kërkesa duhet të jetë e qartë, e formuluar mirë dhe kërkuesi e ka detyrimin që të jetë i saktë në informacionin që kërkon.

Organi që kthen përgjigje, duhet të jetë i detajuar në informacionin që jep, ashtu si kundër, informacioni duhet të jepet brenda një afati të arsyeshëm. Këshilli i Evropës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në këtë draft rezolutë, kanë kërkuar që të shtohet bashkëpunimi efektiv më historianë, studiuesit, organizatat e shoqërisë civile edhe të gjitha grupet e prekura drejtpërdrejt nga kufizimet për të adresuar dokumentet historike. Publiku duhet të informohet siç duhet, për ndryshimet në kuadrin ligjor mbi aksesin në informacion ose në sistemin arkivor. Çdo ndryshim në ligjin dhe politikën e askesesit në informacion historik, duhet të miratohet vetëm mbas konsultimeve të gjëra me grupet e prekura. Grupet e shoqërisë civile, që punojnë në detyrën e ruajtjes të kujtesës historike duhet të mbështeten, përfshirë këtu edhe financiarisht. Individët dhe organizatat e shoqërisë civile që punojnë në kërkim dhe në ruajtjen e kujtesës historike, duhet të mbrohen nga ngacmimet ose nga persekutime. Nuk duhet harruar se këto janë situata që jetohen edhe sot në shoqëri në shumë vende.

Ndaj, Këshill i Evropës, Asambleja Parlamentare, e kanë vënë këtë në fokus. Asambleja Parlamentare nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe ndërmjet shteteve, për të rritur transparencën dhe për të siguruar që perspektivat e ndryshme të merren parasysh. Ekziston gjithashtu një çështje e aksesit në dokumente dhe arkivat historike që mbahen nga vende të tjera, për shkak të trashëgimisë shtetërore apo ndryshimeve të kufijve në vite. Bëhet fjalë për ato arkiva që kanë qenë në një shtet, i cili mbulonte si nga ana territoriale por dhe nga ana substanciale, më shumë se një shtet që ekziston sot. Pra kur është ndarë një shtet i madh në disa shtete të tjera, problemi ka mbetur që arkivat nuk janë gjithashtu të ndara le të themi në këtë rikonfigurim të ri të shteteve. Njerëzit ndërkohë kanë nevoje të kuptojnë informacione nga këto arkiva, por nëse nuk janë më në këtë shtetin e madh, por janë nëpër shtete të tjera, problematika kanë lindur në drejtim të aksesit në informacion. Dhe kjo është një çështje që duhet të trajtohet me shumë seriozitet nga të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Ne kemi vendosur që arkivat duhet të kthehen, për të zbutur vështirësitë e distancës fizike, që mund të pengojë vendosjen  e të vërtetës historike. Shtetet anëtare duhet të negociojnë kthimin e arkivave të tyre në mirëbesim. Shpesh herë bëhen shkaqe për konflikte, por në këto raste të gjithë duhet të mendojnë se janë tek një çështje që i bashkon sesa i ndan.

Ndërkohë, qeveritë dhe shoqëria civile duhet të nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar në hapjen e arkivave për inspektim publik pavarësisht vendndodhjes së tyre. Ne për të gjitha këto arsye më sipër, kemi propozuar që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Ministrave, të rekomandojë në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, edhe një rekomandim drejtuar shteteve anëtare për aksesin në dokumente historike në mënyrë specifike. Ky rekomandim do të fokusohet në të gjitha këto çështje që unë sapo përmenda. Një informacion, raporti dhe draft rezoluta, dhe me rekomandime nga Komiteti i Ministrave, ka kaluar me unanimitet në Komitetin e Ligjeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Pritet që të shqyrtohet në sesionin e pranverës, në mars të vitit 2024 nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Nuk kanë qenë çështje të thjeshta ato që janë diskutuar, por unë besoj që siç morëm mbështetjen unanime në Komitet, të kemi dhe një votë domethënëse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në fund dy fjalë, në aspektin e rëndësishëm për vizionin e së ardhmes. Sigurimi i aksesit në informacion është thelbësor, sepse mundëson shqyrtimin publik të veprimtarisë shtetërore, pjesëmarrjen demokratike dhe qeverisjen e mirë. Ky është veçanërisht rasti në shtetet që kanë një histori autoritarizmi të karakterizuar nga censura, nga kontrolli shtetëror i medias dhe informacionit dhe një mbikëqyrje e rëndë e shtetit ndaj të drejtave të individit. Është shumë e rëndësishme të hapet aksesi në dokumentat historike, për pajtimin social, për drejtësinë tranzitore, për shërim nga represioni dhe për të korrigjuar disinformimin. Kjo është arsyeja pse informacioni rreth shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, ose ligjit humanitar dhe krimeve të kryera nga agjentët e shtetit, nuk duhet të fshihen, për arsye të Sigurisë Kombëtare në asnjë rrethanë. Ky është edhe qëndrimi im si raportere në Këshillin e Evropës, duke kërkuar që të kufizohen sa më shumë arsyet e kufizimit. E drejta për të vërtetën historike të shoqërisë në përgjithësi duhet të mbizotërojë gjithmonë.

Faleminderit për vëmendjen dhe suksese në këtë event!