Detyrat e Autoritetit

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është person juridik publik, i pavarur, përgjegjës për zbatimin e këtij ligji, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to.

1. Autoriteti ka këto përgjegjësi:
a) grumbullimin e dokumenteve të ish- Sigurimit të Shtetit për qëllimet dhe sipas procedurave të parashikuara nga ky ligj;
b) vlerësimin, renditjen, evidentimin, ruajtjen dhe administrimin e dokumenteve, sipas rregullave dhe parimeve të legjislacionit në fuqi për arkivat;
c) bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me autoritetet publike dhe arkivat për qëllime të zbatimit të këtij ligji;
ç) dhënien e informacioneve e të njoftimeve mbi dokumentet, si dhe garantimin e shqyrtimit dhe dorëzimin e tyre për kërkuesit;
d) mbështetjen e kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet garantimit të mundësisë për shqyrtimin e dokumenteve dhe dorëzimin e dublikatave të dokumenteve;
dh) informimin e individëve, institucioneve kushtetuese, autoriteteve publike dhe subjekteve të tjera të interesuara, sipas këtij ligji.
2. Autoriteti raporton për veprimtarinë e tij përpara Kuvendit, një herë në vit, si dhe sa herë i kërkohet nga Kuvendi.