Vizitë e Komisionit të Ligjeve në mjediset e AIDSSH-së

Tiranë, 6 maj 2019 – Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kontrollit parlamentar, zhvillon një vizitë informuese në mjediset e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ditën e martë, datë 07 Maj 2019, ora 10:00.

Vizita do të kryhet në mjediset ku ruhet aktualisht arkivi i institucionit, në SHISH dhe IPQP, si dhe në ndërtesën e re të Autoritetit, pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Deputetët pjesëmarrës në vizitë, z. Ulsi Manja, znj. Klotilda Bushka, znj. Vasilika Hysi, z. Fatmir Xhafaj, z. Bashkim Fino, z. Adnor Shameti, z. Alket Hyseni, z. Elena Xhina, z. Jurgis Çyrbja, z. Spartak Braho, z. Damian Gjiknuri, z. Edmond Leka, z. Tom Doshi, znj. Aurora Mara, z. Alban Zeneli, z. Adriatik Alimadhi dhe z. Korab Lita do të priten nga kryetarja e Autoritetit, znj. Gentiana Sula dhe anëtarët. Stafi i Sekretariatit Teknik do të demonstrojë proceset komplekse të punës.

Deputetët e Komisionit të Ligjeve synojnë të njihen nga afër me gjendjen aktuale të arkivit të AIDSSH-së, vendruajtjet e dokumenteve arkivore dhe procedurat e arkivimit, administrimit, kërkimit, përdorimit dhe informimit të dokumenteve të krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit.

Në orën 10.00 do të zhvillohet vizitë në Arkivin e AIDSSH-së që ndodhet në mjediset e SHISH-it. Në këtë vendruajtje ruhet një pjesë e dokumenteve të krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit, të tërhequra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitin 1991.

Në orën 11.00, vizita në arkivin e AIDSSH-së që ndodhet në ambientet e IPQP. Në këtë këtë vendruajtje ruhet një pjesë e dokumenteve të krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit, të tërhequra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme sipas përcaktimeve të ligjit 45/2015.

Në orën 11.30, pas vizitës në të dy arkivat e institucionit, grupi përfaqësues i Komisionit të Ligjeve do të jetë në godinën e re të AIDSSH-së, e cila ndodhet brenda territorit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Hyrja në arkivat e AIDSSH-së në SHISH dhe IPQP bëhet në kushte të larta sigurie.

***

AIDSSH  do të prezantojë punën e vet përgjatë vitit 2018, arritjet, sfidat dhe propozimet Kuvendit të Shqipërisë, në seancën plenare të datës 8 maj.