Vizitë e KAS në AIDSSH

Drejtuesi i Fondacionit Konrad Adenauer për Shqipërinë, z. Tobias Ruttershoff zhvilloi një vizitë në mjediset e AIDSSH-së, ku u njoh me proceset e punës dhe projektet e institucionit.

Kryetarja e Autoritetit, znj. Sula, bëri një paraqitje të punës së AIDSSH sa i takon zbardhjes së të shkuarës, bashkëpunimeve me institucionet homologe, grupet e interesit dhe nismave për hapjen e studimin e dosjeve nëpërmjet aktiviteteve në nivel lokal e kombëtar, si dhe projekteve komplekse të ndërmarra.

Trajtimi i dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, puna me të rinjtë, hapat për të ridimensionuar figurat e përndjekura dhe besueshmëria e institucioneve përballë sfidave të përditshme, ishin pjesë e bisedës së z. Ruttershoff me drejtues të Autoritetit, i cili u informua për veprimtaritë që kanë të bëjnë me kërkesat individuale, institucionale, studimore, mediatike, verifikimin e pastërtisë së figurave dhe punën me kërkimin shkencor e edukimin qytetar.

Fondacioni Konrad Adenauer e ka mbështetur më herët aktivitetin e AIDSSH-së për publikimin e përmbledhjes së konferencës shkencore “Të mohuar nga regjimi: burgjet, sistemi i internim-dёbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri (1945-1990)”.

Aktualisht, AIDSSH dhe KAS po punojnë për një ekspozitë me profilet e të zhdukurve në komunizëm, bashkëpunim që synon të vijojë me projekte të tjera mbi drejtësinë tranzicionale.