Vizitë e delegacionit të Fondacionit Federal për Studimin e Diktaturës Komuniste në ish-Gjermaninë Lindore në mjediset e AIDSSH-së

Tiranë, 22 maj 2019 – Në kuadër të Ditëve të Qëndresës, një delegacion i Fondacionit Federal për Studimin e Diktaturës Komuniste në ish-Gjermaninë Lindore vizitoi Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, për t’u njohur me punën, misionin e objektivat e tij, me qëllim ndërtimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit me institucionet gjermane të kujtesës.

Delegacioni i përbërë nga 22 përfaqësues të lartë të institucioneve gjermane të memories, politikës, kërkimit shkencor dhe gazetarisë kryesohej nga Dr. Anna Kaminski, drejtore ekzekutive e Fondacionit. Kryetarja e Autoritetit, znj. Gentiana Sula dhe anëtarët, z. Simon Mirakaj, z. Marenglen Kasmi dhe z. Altin Hoxha, i njohën të ftuarit me punën e institucionit për hapjen e dosjeve, transparencën në komunikimin me publikun dhe aktivitetet e shumta në funksion të përballjes me të shkuarën. Znj. Ardiana Topi, drejtoreshë e arkivit të AIDSSH-së dhe z. Ermal Kaçkini i sektorit të kërkesave individuale, prezantuan punën e arkivit dhe drejtorisë së informacionit për vënien në dispozicion të dokumenteve dhe i njohën të pranishmit me sfidat me të cilat përballen në punën e përditshme.

Vizitorët, – secili me përvojë të pasur në fushën e arkivave, të kujtesës, gazetarisë investigative, politikës dhe përballjes ligjore me të shkuarën, – paraqitën interes konkret për punën e Autoritetit dhe shtruan shumë pyetje për diskutim, për njohje të thelluar të veprimtarisë së tij, përtej sfidave, të elementeve të patrajtuar ende të drejtësisë tranzicionale, si dhe ofruan ndihmë për projekte të përbashkëta.

Tema të ndryshme, që nga krijimi i institucionit për hapjen e dosjeve, pas miratimit të ligjit 45/2015, të vonuar me dekada për hapjen e dokumenteve të ish–Sigurimit të Shtetit; perceptimi i AIDSSH-së në publik, përjetimi i persekutimit në kategori të ndryshme shoqërore dhe trajtimi i thelluar e profesional i së shkuarës; ngjashmëritë e ligjit shqiptar, i ndërtuar sipas modelit gjerman; apo kërkesat e shoqërisë civile e më gjerë për ligj më të ashpër, me përfshirjen e lustracionit, u diskutuan gjerësisht në takim, ku u përballën mendime dhe u shkëmbyen përvoja.

Kryetarja Sula bëri një paraqitje të punës së Autoritetit dhe nismave të ndërmarra prej tij, që nga ekspozitat dokumentare në qytete të vendit, sipas specifikës së komunitetit dhe ngjarjeve konkrete, te projektet komplekse të dëshmive gojore, publikimet cilësore dhe profesionale, të gjitha online në faqet e Autoritetit, bashkëpunimet me grupe të ndryshme shoqërore dhe artistë, universitete, kërkues shkencorë dhe të rinj. Autoriteti sapo përmbylli konferencën e dytë ndërkombëtare shkencore, e cila synon të vijojë me punë të thelluar kërkimore e kontekstualizim të fakteve historike.

Në mbyllje të takimit, përfaqësuesit e delegacionit gjerman përgëzuan AIDSSH-në për punën,  këmbënguljen në zbardhjen e së shkuarës dhe transparencën në ushtrimin e detyrës, në një kohë kur janë të qarta vështirësitë e punës së një institucioni të tillë.