Vizitë e delegacionit të Bundestagut gjerman në Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit

Tiranë, 31 tetor 2018 – Një delegacion i Bundestagut gjerman vizitoi sot Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, për t’u njohur me punën, misionin e objektivat e tij, me qëllim ndërtimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit me institucionet gjermane të kujtesës.
Delegacioni i përbërë nga Dr. Kerstin Schultheib, Carsten Muller, Dr. Jurgen Martens, Stephan Brandner dhe znj. Suzanne Schutz e Ambasadës Gjermane në Tiranë, u takua me përfaqësuesit më të lartë të Autoritetit. Kryetarja, znj. Gentiana Sula dhe anëtari, z. Simon Mirakaj, i njohën të ftuarit me punën e institucionit, për hapjen e dosjeve, transparencën në komunikimin me publikun dhe aktivitetet e shumta në funksion të përballjes me të shkuarën, me qëllim unitetin kombëtar dhe edukimin qytetar.
Në takim u trajtuan tema të ndryshme, që nga krijimi i institucionit për hapjen e dosjeve, pas miratimit të ligjit 45/2015, të vonuar me dekada për hapjen e dokumenteve të ish–Sigurimit të Shtetit; te perceptimi i AIDSSH-së në publik, përjetimi i persekutimit në kategori të ndryshme shoqërore dhe trajtimi i thelluar dhe profesional i së shkuarës; ngjashmëritë e ligjit shqiptar, i cili është ndërtuar sipas modelit gjerman; po ashtu, kërkesat e shoqërisë civile e më gjerë për ligj më të ashpër, me përfshirjen e lustracionit.
Shoqëria shqiptare të diktaturë, veç përndjekjes dhe platformës politike e ideologjike, është përballur me rezistencën e qytetarëve, e cila gjithnjë e më shumë shfaqet në dosjet e Sigurimit të Shtetit apo raportet që kanë ardhur deri në ditët e sotme. Në një vështrim të përgjithshëm, veç arsyeve rast pas rasti, ajo që e forcoi këtë rezistencë kishte të bënte me besimin në Zot, heroizmin e grave shqiptare dhe origjinën e familjeve të përndjekura.
Pavarësisht qasjeve të ndryshme të politikës së djeshme e të sotme drejt Lindjes apo Perëndimit, u bë e qartë përkatësia jonë në Europë, si qëndrim i shoqërisë, përballë ideologjisë apo politikës.
Kryetarja Sula bëri një paraqitje të punës së Autoritetit dhe nismave të ndërmarra prej tij, që nga ekspozitat dokumentare në qytete të vendit, sipas specifikës së komunitetit dhe ngjarjeve të ndodhura, deri te projektet komplekse të: dëshmive gojore, publikimet cilësore dhe profesionale, të gjitha online, bashkëpunimet me grupe të ndryshme shoqërore dhe artistë, universitete, kërkues shkencorë dhe të rinj. Aktualisht, Autoriteti po organizon konferencën ndërkombëtare shkencore me temë: “Të mohuar nga regjimi: burgjet, sistemi i internim-dëbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri 1945-1990”, e para e llojit të vet. Perspektivës studimore të profesorëve dhe akademikëve vendas e të Kosovës u është shtuar kontributi i ndjeshëm i studiuesve të huaj dhe pjesëmarrja aktive e Rrjetit Europian të Kujtesës (ENRS) dhe BsTu, Autoritetit gjerman të Hapjes së Dosjeve.
Në mbyllje të takimit, anëtarët e delegacionit të Bundestagut gjerman i përgëzuan të pranishmit për kurajën dhe këmbënguljen, në një kohë kur janë të qarta vështirësitë e punës së një institucioni të tillë.
Autoriteti
Autoriteti e mbështet punën e vet dhe vijimësinë e projekteve të ndërmarra në parimet e rëndësishme të kujtesës, që e vënë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, si paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme; evitimi i shprehjeve deterministe: shmangia e përgjithësimeve; trajtimi i figurave historike si individë; sigurimi i një baze gjenuine historike; përdorimi i njohurive të nivelit akademik si burime, ku çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe certifikuar për njohuritë specifike e të duhura për këtë punë.

Mbështetur në këto parime, në kërkimin shkencor dhe përballjen profesionale të fakteve, Autoriteti vijon të ndërmarrë projekte ambicioze e komplekse, që kanë në fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete dhe inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë.