Ura bashkëpunimi mes AIDSSH-së dhe bashkësisë shqiptare në Belgjikë

  • admin 

Tiranë, 2 maj 2019 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit zhvilloi një vizitë punë në Bruksel, më 24-27 prill, me ftesë të Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë Shqiptarë në Belgjikë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Europian.

Takimet u organizuan në vazhdën e aktiviteteve të nisura tashmë me komunitetet shqiptare jashtë vendit, për informim mbi veprimtarinë e Autoritetit, në përputhje me strategjinë e komunikimit të institucionit.

Në këtë kuadër, kryetari i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë Shqiptarë në Belgjikë, z. Lek Pervizi mirëpriti ekipin e AIDSSH-së, të cilit i paraqiti skicat dhe vizatimet origjinale që dokumentojnë vendet ku ai dhe familjarë të tij u internuan apo vuajtën dënimin, si kampi i Tepelenës, Kuçi, Plugu e më tej. Z. Pervizi ka përshkuar, përmes imazheve, vizatimeve dhe tablove të realizuara në Shqipëri, në kushte të shtypjes e përndjekjes, rrugëtimin e tij të rezistencës dhe “çlirimin” artistik brenda kufizimit të gjithanshëm, që për rrjedhojë, ishte shpëtimi i tij prej humanisti. Shtëpia e Pervizëve, një galeri në Bruksel, arriti të ekspozonte veç pikturave të Lek Pervizit, edhe tablotë madhështore të të birit, Leonard Pervizi, i lindur dhe rritur në Plug, për t’u arsimuar më pas në Bruksel, ku u afirmua si artist në nivel ndërkombëtar. Shtresëzimet e së shkuarës që kanë të bëjnë me formimin e të dy artistëve janë pjesë domethënëse e krijimtarisë së tyre. Komunikimi me dy artistë dhe personalitete njerëzore të realizuara, të vëna në provë në realitete sfiduese ishte sa interesant, po aq inkurajues për organizime komplekse të përballjes me të shkuarën.

Ekipi i AIDSSH-së zhvilloi një takim në përfaqësinë shqiptare në BE, me ambasadoren e Shqipërisë në Belgjikë, znj. Suela Janina dhe stafin. Bashkëbisedimi trajtoi qëllimet e Autoritetit për ta shtrirë punën e tij informuese edhe në bashkësinë shqiptare në Belgjikë, shumë aktive në realitetin vendas, po ashtu e përfaqësuar në nivele të larta. Diaspora e Belgjikës, apo mërgata, – siç vetëquheshin shqiptarët e arratisur në fund të viteve ‘50 e më tej e të emigruar në Belgjikë nga kampi i Gerovos, Kroaci, – paraqiti interes të madh në njohjen e punës së Autoritetit dhe informimin mbi mënyrën si mund të jenë përndjekur nga Sigurimi i Shtetit. Ky komunitet i larguar në kushte të vështira nga Shqipëria, i vendosur në Belgjikë fillimisht në numër të vogël, u integrua me komunitetin vendas dhe u zgjerua me kalimin e viteve, aq sa mendohet që sot të jenë rreth 60 mijë shqiptarë në territorin belg. Mundësitë e shkëmbimit të informacionit dhe përvojave rezultuan të shumta, ndaj u hodhën hapat e parë për organizime të përbashkëta në vijim, me ndihmën e ambasadës së Shqipërisë.

Pjesë e programit të AIDSSH-së në Bruksel ishte edhe takimi me z. Visho Ajazi, ambasador i Shqipërisë në NATO. E përfaqësuar me të drejta të barabarta, Shqipëria është një ndër shtetet me objektiva të përmbushur në organizatën e Atlantikut të Veriut. Mundësitë e bashkërendimit të hulumtimeve në fushën e kërkimit shkencor, sa i takon ushtrisë dhe marrëdhënieve me të gjatë periudhës ‘44-‘91 rezultuan të frytshme.

Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë Shqiptarë në Belgjikë dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Europian e organizuan simpoziumin me AIDSSH-në në zyrat Space të European District në Bruksel, me pjesëmarrjen e dhjetëra përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në Belgjikë, të periudhave të ndryshme të arratisjes apo emigrimit. Diaspora e hershme e viteve ‘60 dhe ajo e vonë, shqiptarë me përvoja të ndryshme dhe mbresëlënëse në Shqipëri apo Belgjikë, u bënë bashkë në një takim informues, të dialogut dhe mundësive të thellimit tek e shkuara, për transparencë, shërim dhe parandalim të shkeljes së të drejtave të njeriut e totalitarizmit në të sotmen e të nesërmen e përbashkët.

Simpoziumin mbi rolin e Sigurimit të Shtetit në diasporë dhe përndjekjen e orkestruar në komunitete specifike e hapën z. Lek Pervizi dhe z. Sulejman Gjana, në emër të Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë Shqiptarë në Belgjikë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Europian, duke sjellë për të pranishmit edhe përvojat individuale e familjare të mbijetesës, e më pas integrimit. Për të prezantuar veprimtarinë e AIDSSH-së, shtyllat sipas të cilave institucioni organizon punën e vet dhe mundësitë për bashkëpunim, e morën fjalën kryetarja e AIDSSH-së, znj. Gentiana Sula,  z. Simon Mirakaj, z. Marenglen Kasmi, anëtarë të Autoritetit, dhe z. Skënder Vrioni, sekretar i përgjithshëm.

Sipas znj. Sula, takime të tilla ndihmojnë për “njohjen nga afër me historitë njerëzore të familjeve fisnike dhe kombëtariste që u ndanë për së gjalli nga diktatura, me vuajtjet e tyre gjatë kësaj periudhe të shtypjes dhe izolimit, me kontributin e tyre në kujtesën kolektive, si dhe me sukseset e tyre në sferën profesionale dhe publike”.

Në fund të takimit u shpërndanë formularë aplikimi, të cilët u plotësuan nga të interesuarit dhe u hodhën bazat për vijimin e projektit të dëshmive gojore në Belgjikë, nëpërmjet gazetarëve shqiptarë të angazhuar në mediat prestigjioze vendase. Interesi i madh për të marrë pjesë në një takim që vinte në qendër të shkuarën e përbashkët, kontributi i gjithsecilit me qasjen përkatëse për trajtimin e qenësishëm të periudhës komuniste dhe drejtësisë tranzicionale në Shqipërinë e sotme, duke qenë pjesë e komuniteteve shumë pranë Europës, mbizotëruan dhe krijuan shtratin për bashkëpunim të zgjeruar, të qartë, të mirëpërcaktuar në qëllime e objektiva me Autoritetin dhe kontributin e tij në mbajtjen gjallë të kujtesës kolektive.

Vizita e AIDSSH-së në Bruksel paraqiti punën e Autoritetit te një bashkësi e formuar tashmë, me disa tipologji, dhe themeloi bashkëpunimin e mëpasmë me institucionet e shoqatat përfaqësuese shqiptare e europiane, në emër të dialogut shoqëror dhe transparencës për të shkuarën

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *