Të pagjeturit në Shkodër dhe Malësi të Madhe

  • admin 

Më 27-28 maj, AIDSSH zhvilloi një vizitë në Shkodër dhe në Malësi të madhe, në kuadër të projektit të ICMP-AIDSSH “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe pajtuese: adresimi i çështjes së personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste”, i mbështetur nga Bashkimi Europian.

Më 27 maj, ekipi i Autoritetit dhe bashkëpunëtorëve të tij, Shoqata e ish-të Përndjekurve të Shkodrës dhe ajo e ish-të Përndjekurve të Malësisë së Madhe zhvilluan një udhëtim në terren, në zonën e Mbishkodrës, atje ku u organizua kryengritja e parë antikomuniste në 1945 dhe Sigurimi i Shtetit u angazhua fuqimisht, që vitet e para të vendosjes së sistemit deri në perëndim të tij.
Zona kufitare e Hotit, ku ishte vendosur kloni dhe më sipër, deri në Vermosh, mbikëqyrej nga një strukturë e tërë survejimi. Sot gjurmët e tyre nuk janë më, por është mbresëlënëse afërsia me rrugën e kufirit izolues, ku mbetën shumë të rinj, dhe ku u fikën planet për të ardhmen e shumë familjeve shkodrane e malësore.
Njohja në terren e vendeve të rëndësishme të kujtesës, ku mund të organizohen udhëtime me të rinj e shkollarë, për njohjen me vendet ku mbetën apo kaluan ato që tentuan arratisjen nga burgu i madh, i parapriu aktivitetit të parë për të zhdukurit, që AIDSSH organizoi në bashkëpunim me ICMP dhe pushtetin lokal në Shkodër më 28 maj, pranë Muzeut Historik të Shkodrës.

Autoriteti prezantoi për qytetarët shkodranë ekspozitën “E shkuara e pakryer”, me profile të të pagjeturve të komunizmit, dëshmi të mbledhura nga familjarë të të pagjeturve në kuadër të projektit dhe materiale të përzgjedhura nga hulumtimi në historikët e Sigurimit.
Muzeu Historik i Shkodrës, – shtëpia e Oso Kukës ku sot është vendosur biblioteka e Arshi Pipës, – mirëpriti familjarë të të pagjeturve të komunizmit në zonën e Shkodrës e Malësisë së Madhe; shoqata të të përndjekurve dhe kujtesës: Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë të Shkodrës, Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë të Malësisë së Madhe, Shoqata Muzeumi i burgut të Spaçit, Shoqata “Drejtësi dhe Paqe”, përfaqësues të grupeve të interesit, të komuniteteve fetare, aktorë të shoqërisë civile, gazetarë dhe të rinj.

Znj. Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit, theksoi në fjalën e hapjes se ”institucionet duhet të veprojnë dhe familjarëve duhet t’u respektohet e drejta për të nderuar njerëzisht të afërmit e tyre, ende të pagjetur”.
Z. Simon Mirakaj, anëtar i Autoritetit, vuri në dukje detyrimin e shoqërisë ndaj të zhdukurve, të cilët, ende sot vazhdojnë të mbeten peng i procedurave të stërzgjatura ligjore, pa u dhënë mundësi familjarëve t’i nderojnë në vendprehjen e fundit.

Udhërrëfyesi për familjarët e të zhdukurve në komunizëm u prezantua nga Rovena Voda, në komunikim publik me të interesuarit, para finalizimit të tij dhe shpërndarjes për të interesuarit. Znj. Voda bëri të qartë funksionet e institucioneve në proces dhe hapat që duhet të ndjekin familjarët.

Z. Niko Brahimaj, drejtues i Policisë Rajonale Shkodër, i njohur që më herët me procesin dhe aktiv në takim, mori përsipër përgjegjësitë e Policisë së Shtetit në protokolle, sipas ligjit dhe udhëzuesit dhe iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve.

Në vijim, kryetarja e Bashkisë Shkodër, znj. Voltana Ademi parashtroi qëndrimin e vet ndaj kauzës, duke u angazhuar për mbështetje të zhvarrimit dhe procedurave të identifikimit të viktimave të raportuara dhe paraqitur gatishmëri për fillim sa më të shpejtë të procesit.

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, z. Vincenzo Del Monaco, për herë të parë në Shkodër, iu përgjigj kërkesave të të pranishmëve për njohje dhe mbështetje ndërkombëtare të procesit, përfshirje të aktorëve në të dhe marrje përgjegjësish.

Takimi vijoi me moderimin e Ardita Repishtit të AIDSSH, me diskutime të familjarëve shkodranë dhe malësorë, që bënë prezent shqetësimin shumëvjeçar për gjetjen e të afërmve të tyre dhe pasivitetin e institucioneve. Z. Luigj Ndou, përfaqësues i ICMP për Shqipërinë, theksoi rëndësinë e një procesi të rregullt dhe brenda standardeve ndërkombëtare. Gjatë bisedës u shpërndanë draftudhëzues për të pranishmit dhe u plotësuan formularë nga familjarët e të zhdukurve.

Hapi i radhës në Shkodër do të jetë në terren, në vendvarrimet e raportuara, për veprim konkret e të koordinuar të institucioneve

previous arrow
next arrow
Slider

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *