Speciale / Autoriteti i Dosjeve: Rreth 32 milionë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, në pritje për t’u hapur

Hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimi mbi këto dokumente ka qenë prej vitesh një nga dilemat e mëdha me të cilat është përballur shoqëria shqiptare pas periudhës së komunizmit. Edhe pse një proces tashmë i vonuar, hapja e dosjeve duket se ka filluar të japë informacion dhe të hedhë dritë mbi vitet e diktaturës përmes ngritjes së institucionit të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në muajin prill të vitit 2015 në Kuvendin e Shqipërisë u miratua ligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të RPSSH”, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin dhe informimin mbi dokumentet të ish-Sigurimit të Shtetit në periudhën 1944-1991. Ndërsa në nëntor të 2016-ës, Kuvendi i Shqipërisë votoi edhe pesë anëtarët e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit si edhe kryetaren e këtij Autoriteti, duke i hapur kështu udhën fillimit të punës për ngritjen dhe funksionimin e këtij institucioni të rëndësishëm për informimin e qytetarëve dhe përballjen me të kaluarën e tyre gjatë regjimit totalitar në Shqipëri. Por si funksionon Autoriteti i Dosjeve?! Në ç’mënyrë ruhen dhe administrohen dosjet në këtë institucion dhe cili është historiku i Arkivit të Sigurimit të Shtetit?!

PUNA, VETËM ME GJYSMËN E PUNONJËSVE, KËRKESAT PËR INFORMACION, NË RRITJE

Me një strukturë tashmë të përcaktuar, pjesë e të cilës janë disa drejtori, si: Drejtoria e informacionit, Drejtoria e Arkivit që është themelore, Drejtoria e studimit dhe edukimit qytetar, etj., Autoriteti ka filluar punën e tij pa bazë dhe traditë të mëparshme dhe në këto dy vite të funksionimit të tij ka një numër kërkesash në rritje të qytetarëve. Kështu, vetëm gjatë 2017 pranë Autoritetit janë paraqitur 281 kërkesa individuale, ndërsa në vitin 2018- 612 kërkesa. Përpunimi i dosjeve, që ka të bëjë me disa kërkesa të ligjit për efekte të sigurisë kombëtare, të sekretit shtetëror dhe të anonizimit, mbrotjes të të dhënave personale të individëve, për të mos shkaktuar konflikte dhe keqinterpretime, është një proces i rëndësishëm që ndiqet në Autoritet, pikërisht nga Drejtoria e Informacionit. Vetëm gjatë vitit 2017 janë dorëzuar te kërkuesit 30 mijë faqe informacion, prej të cilave 9 mijë faqe të anonimizuara. Ndërsa për vitin 2018, kërkuesve u janë dorëzuar mbi 42 mijë faqe informacion nga të cilat 14 900 faqe të anonimizuara. Siç pohon, Selami Zalli, përveç infrastrukturës, pasi Autoriteti ka dy arkiva të shpërndarara në distancë goxha të largët, si dhe nuk ka numrin e nevojshëm të punonjësve, procesi më i vështirë është pikërisht anonizimi.Sipas tij, informacioni në Autoritet është i hapur për lexim dhe studim nga të gjithë, por megjithatë ka tre raste kur ligji e pengon diçka të tillë: në rastet kur është në pikëpyetje siguria kombëtare, kur kemi të bëjmë me sekret shtetëror, rastet kur dosja kërkohet nga organet e gjyqësorit për një periudhë të caktuar dhe rastet kur bashkëpunëtorët nuk jetojnë, trashëgimtarit nuk i jepet informacion për bashkëpunëtorin, përveç rasteve kur diçka e tillë kërkohet për efekt studimor apo nga media.

Drejtoria e Informacionit merret edhe me kërkesat, që kanë të bëjnë me Ministrinë e Drejtësisë, që ka të bëjë me procesin e dëmshpërblimeve, ndërsa një proces që i është dhënë prioritet në Drejtorinë e Informacionit është edhe verifikimi që bëhet në bazë të kërkesave të institucioneve, në rastet e verifikimit të pastërtisë së figurës dhe në rastet e ngritjes në detyrë dhe emërimeve të reja., gjë që fillimisht solli jo pak anomali, për shkak të kartelave dhe anës teknike se si realizohet, por tashmë është një process që është vendosur në shina dhe që bëhet në mënyrë të saktë dhe të plotë.  Kështu, për vitin 2018 në autoritet kanë ardhur 67 kërkesa nga institucione të ndryshme përkundrejt në total të 463 individëve.

Siç theksojnë drejtuesit e Autoritetit, jo pak herë njerëzit nuk dinë as çfarë presin nga Autoriteti, por me kohën një gjë e tillë është qartësuar. Ata theksojnë se Autoriteti është vetëm konstatues dhe informues. Ajo që mund të vërehet është se kërkesat më të mëdha vijnë nga njerëzit që kanë vuajtur nga regjimi dhe trashëgimtarët e tyre, ndërsa nuk është i paktë interesimi edhe nga studiuesit dhe gazetarët.

NË BRENDËSI TË DOSJEVE

Por, si janë seleksionuar këto dosje dhe çfarë gjendet në brendësi të tyre?!

Në këto ambiente ruhen të gjithë dokumentet e krijuar gjatë periudhës së ish Sigurimit të Shtetit nga viti 1944-1991. Këto dokumente kanë të bëjnë së shumti me dokumente administrative, dokumente të proceseve hetimore-gjyqësore, dokumente të rrjetit agjenturor dhe dokumente të tjerë të përdorur nga ish strukturat e Sigurimit të Shtetit.

Topi bën me dije se në Arkivin e Autoritetit për Informim mbi dokumentet ish Sigurimit të Shtetit ruhen dokumente të larmishëm, duke flluar nga personat që viheshin në survejim, dosjet e përpunimit paraprak, dosjet e përpunimit 2B apo 2A, dosje të hetimit dhe gjykimit etj.

Strukturat e ish Sigurimit mbështeteteshin më së shumti në tre drejtori kryesore të ish sigurimit dhe drejtoria e dytë ishte ajo e ish zbulimit politik.

Por çfarë përmban pikërisht një dosje e tillë?!

Dokumentet në Arkivin e Autoritetit janë të klasifikuar në fonde arkivore. Fondet kryesore janë fondet e tre drejtorive të ish sigurimit të shtetit, fondi hetimor gjyqësor, fondi arkivor i degëve të punëve të brendshme të strukturave t ëish sigurimit të shtetit, fondet arkivore që kanë të bëjnë me të huajt, por edhe fondet që kanë të bëjnë me të arratisurit nga territori i Republikës së Shqipërisë, rrjeti agjenturor i ndërtuar në atë kohë dhe gjithë veprimtaria e tyer është e dokumentuar. Për Topin  një thesar, për shkak të ndihmës së jashtëzakonshme që jep në përditshmërinë e punës në Autoritet janë mjetet e kërkimit, që kanë krijuar strukturat e Arkivit të ish Ministrisë së Punëve të Brendshme.

ARKIVI I DËSHMIVE GOJORE

Përveç dokumenteve të shkruar, pjesë e këtij arkivi janë edhe disa materiale audiovizuale, ndërkohë që po punohet edhe për ngritjen e një fondi të dëshmive gojore.

Komunikimi i ndërsjelltë me studiuesit, por edhe edukimi dhe ndërgjegjësimi qytetar ku institucioni synon përmes dhënies së informacionit ka bërë që Autoriteti të ndërmarrë disa aktivitete. Këto nisma pozitive, ndër të cilat Ditët e Kujtesës, përkujtimi i masakrës së 22 të ekzekuturave në Mënik, pezë etj., janë vetëm disa prej aktiviteteve, ndërsa sigurisht ka vend edhe për përmirësim, pse jo edhe në disa pika të ligjit për Autoritetin për Informim.

Për të përfunduar, hapja e dosjeve të ish sigurimit të shtetit është një proces i rëndësishëm dhe i vonuar për shoqërinë shqiptare. Jo pak herë, siç konfirmojnë edhe punonjës të Autoritetit është vërejtur se këto dosje kanë kaluar në procese koleksionimi dhe ndërhyrjesh, çfarë për dikë mund të verë në pikëpyetje informacionin që ato mbartin. Megjithatë, ato janë çelësi më i sigurt për të shkuar te e shkuara komuniste, për të studiuar dhe për të kuptuar më mirë atë çfarë ndodhi në Shqipëri përgjatë gjysmëshekulli.

TË DHËNA- TABELË

Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit janë krijuar në periudhën 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991.

Autoriteti ka funksionin e administrimit të 212.000 dosjeve të ndryshme të ish-Sigurimit, 250.000 kartelave individuale, rreth 15.000 dosje hetimore gjyqësore, 21.000 dosje të personave të përndjekur nga ish-Sigurimi, disa mijëra regjistrave, procesverbalesh e aktesh normative.

Kjo masë përbën në total rreth 32 milionë faqe dokumente te hartuara nga ish–Sigurimi i Shtetit në një Shqipëri që asokohe nuk i kalonte 3 milionët.

Historiku i hapjes së dosjeve në Shqipëri

Ligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit të RPSSH-së” është i treti ligj i miratuar me nr. 45/2015, i miratuar pas dy ligjeve të mëparshme:

Ligji nr. 8001, datë 22.9.1995, “Për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare

Ligji nr. 8043, datë 30.11.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”.

Autoriteti ka kërkuar dokumentet origjinale nga arkivat me të cilat bashkëpunon të akteve të miratuara sipas këtyre dy ligjeve.

Struktura e Autoritetit

Aparati i AIDSSH përbëhet nga dy pjesë kryesore: pjesa vendimmarrëse që është e përbërë nga 5 vetë si dhe pjesa e sekretariatit teknik, e përbërë nga 55 vetë. Kjo e fundit ndahet në 5 grupe, ose pesë departamente.

Departamenti i parë është departamenti i arkivave, që merret me mbledhjen, grumbullimin, përpunimin, indeksimin dhe dixhitalizimin e arkivës.

Departamenti i dytë është departamenti i informacionit që ka si funksion dhënien e informacionit për publikun, personat e prekur ose personat punonjës të këtij shërbimi, për autoritetet publike që kërkojnë informim ose për studiuesit që në bazë të ligjit kanë akses në këtë informacion.

Departamenti i tretë është ai i kërkimit shkencor dhe edukimit qytetar. Ky departament koordinohet me institucione të studimit të historisë në vend.

Departamenti i katërt është departamenti që merret me financën, prokurorimet, pjesët gjenerike.

Departamenti i pestë është ai i sigurisë. Ky departament bën të mundur që informacioni të trajtohet me sigurinë maskimale si dhe garantimin e kushteve të deklasifikimit dhe hapjes për publikun në mënyrën më të përshtatshme.

Kliko KËTU për artikullin e plotë.