Sigurimi dhe Sporti

Tiranë, 27 shkurt 2019 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim me Institutitin për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC), në kuadër të “Ditëve të kujtesës”, organizuan në ambjentet e Tirana International Hotel, një aktivitet përkujtimor mbi figurat e shquara të sportit shqiptar, të përndjekura gjatë viteve të komunizimit.

Lejtmotivi i këtij aktiviteti ishte sporti, ai i përndjekuri, i cunguari e i ndërpreri në mes nga dora e egër e diktaturës komuniste. Ashtu si në çdo sferë tjetër që motivohet nga pasioni, siç ishin arti e shkenca, edhe sporti i vuajti të gjitha format e përndjekjes së atij sistemi, i cili u mundua të zbehë tek këta njerëz pasionin dhe shpresën.

Regjimi komunist shqiptar e konsideroi sportin dhe edukimin fizik të popullit si një nga shtyllat, ku mbështeste fort ideologjinë dhe pushtetin, duke përgatitur nga njëri dhjetëvjeçar në tjetrin breza të tërë, që do të ishin të gatshëm për luftë në çdo moment kur të kishte nevojë atdheu. Një qëndrim i ngjashëm ky me atë të shumë diktatorëve të vendeve të tjera.

***

Aktivitetin e përshëndetën Znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, e cila duke falenderuar partnerët, e vuri theksin tek nevoja për nxjerrjen në dritë dhe vënien në vend të dinjitetit të këtyre njerëzve që e vuajtën në lëkurë rregjimin e egër,  Znj. Jonila Godole, Drejtoreshë e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, e cila falenderoi dhe përshëndeti aktivitetin duke inkurajuar studiuesit dhe gazetarët e rinj të bëhen pjesë e studimit të thellë të dokumenteve të vëna në dispozicion nga AIDSSH, Z. Simon Mirakaj, Anëtar i Autoritetit, i cili u ndal dhe trajtoi luftën e klasave gjatë sistemit totalitar.

Aktiviteti vijoi me rrëfimet e gjalla nga sportistë të mirënjohur si Kreshnik Tartari, ikona e volejbollit dhe Hysen Dedja, ish-futbollist.

Filip Guraziu, i biri i ish-basketbollistit të mirënjohur Pjetër Guraziu, Dëfrim Methasani, gazetari sportiv i Radio Televizionit shqiptar, që përmblodhi një kolanë historish e ngjarjesh të jetuara gjatë punës së tij me sportin. Rrëfimeve iu bashkua edhe Znj. Mimoza Vogli, e bija e ish-futbollistit Qemal Vogli, e cila shprehu në të njëjtën kohë edhe dëshirën për t’u njohur me dosjen e babait të saj.

Për të lexuar disa nga dosjet që ish-Sigurimi i Shtetit krijoi për sportistët, nga AIDSSH, e mori fjalën Z. Altin Hoxha, Anëtar i Autoritetit, i cili bëri një analizë tërësore të dosjes së ish-futbollistit Qemal Vogli. Trajtesa solli fakte, ngjarje të treguara nga punonjës të ish-Sigurimit të asokohe, si dhe thënie e mendime të shprehura nga vetë Vogli.

  1. Selami Zalli, Drejtor i Informacionit të Autoritetit, solli në vëmendje dy dosje të tjera, të dy ish-futbollistëve të kombëtares shqiptare, Sulejman (Bule) Vathit dhe Bahri Kavajës.

AIDSSH u angazhua në identifikimin dhe vënien në dispozicion të dokumenteve arkivore, në formën e një ekspozite, e cila qëndroi e hapur për publikun pjesëmarrës gjatë gjithë kohëshrirjes së aktivitetit.

Qindra, mijëra faqe dokumentesh arkivore të krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit u ekspozuan në ambjentet ku u zhvillua aktiviteti dhe u morën disa aplikime për informim nga të interesuar të drejtpërdrejtë, apo për familjarë të tyre.

Kjo ekspozitë sot, ishte guri i parë i themelit të një ndërtese që studiuesit, gazetarët dhe sportdashësit shqiptarë do të kenë mundësinë të ndricojnë me punimet dhe studimet e tyre. Studimi i thelluar e paanësi i fakteve historike. Vënia në vend e dinjitetit të këtyre njerëzve që duhej të ishin nderi i kombit në arenën e sportit kombëtar e ndërkombëtar e i shumë të tjerëve që gjatë viteve të komunizmit u përndoqën, internuan e burgosën padrejtësisht, është motivi i punës së AIDSSH.

Aktiviteti ishte i hapur për mediat.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë ëëë.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

Prezantimi i AIDSSH “Sigurimi dhe Sporti”