Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit gjatë rrëgjimit komunist rihapin plagët e vjetra në Shqipëri.

Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit gjatë rrëgjimit komunist rihapin plagët e vjetra në Shqipëri.

Mekanizmi i aparatit komunist u mbështet në raportimet e rrjeteve të njerëzve të komprometuar, duke përfshirë edhe situatat ku një “vëlla spiunonte vëllain e tij”.

 

TIRANË, Shqipëri – Jo shumë kohë pasi u arrestua, ish-Sigurimi i Shtetit i ofroi Maks Velos një marrëveshje. Bashkëpuno me ne, thanë ata, dhe ne mund ta mbyllim çështjen tënde.

Ishte viti 1978, periudha më kulmore e diktaturës në Shqipëri. Velo, 43 vjeç, e dinte se të tilla marrëveshje do ta godisnin gjithë kohës. Por “kjo ishte diçka që nuk mund të bëja”, kujton ai.

Velos, piktor, iu tha se arti i tij ishte anti-socialist dhe shprehte “tendenca moderniste”.

Ai u mor në pyetje për gjashtë muaj dhe tha se ishte mbajtur në izolim i lidhur me zinxhirë. Velo më vonë u gjykua dhe u dënua me 10 vjet punë në bazë të ligjit Sovjetik, për “agjitacion dhe propagandë”.

Velo u caktua të punonte në minierat e bakrit, ku kaloi shumicën e viteve të dënimit, si dhe tre muaj dhe 10 ditë prapa hekurave, së bashku me të burgosurit e tjerë politikë, në Burgun Spaç, pjesë e një rrjeti të ndërtuar sipas sistemit të gulagëve të Stalinit.

Gjatë katër dekadave të fundit, Velo është pyetur nëse kishte përfunduar në Spaç, pasi dikush që ai e njihte pranoi një marrëveshje si ajo që iu ofrua vetë Velos më herët – dhe i dha informacion autoriteteve për të. Ai madje imagjinonte se çfarë mund të kishte thënë një person i tillë.

Vitin e kaluar, qeveria shqiptare hapi arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit. Çdokush që ishte spiunuar gjatë periudhës komuniste mund të njihej me dosjen e tij ose të saj, duke lejuar që ata që bashkëpunuan me regjimin të identifikohen.

Velo kërkoi dosjen e tij, por më pas luftoi me veten për ta lexuar atë. Ndonjëherë ai e fillonte leximin, por e ndërpriste në mes të faqes. Mësoi se kishin qenë rreth 20 persona që kishin informuar mbi të, mes tyre një mik i ngushtë dhe ish-vjehrra e tij.

“Maks Velo është një person me qëndrim borgjez”, kishte shkruar ajo në një raport për ish-Sigurimin e Shtetit, sipas dosjes. “Ai është një person pa karakter”.

 

‘Gjërat për të cilat ata duhet të kërkojnë falje’

Shumica e vendeve të tjera ish-komuniste i hapën dosjet e kohës së Luftës së Ftohtë, shumë kohë më parë.

Por, ndryshe nga shumë prej fqinjëve të saj, Shqipëria kurrë nuk ka ndjekur një politikë të “lustracionit”: një pastrim sistematik të zyrtarëve qeveritarë që kanë marrë pjesë në krime gjatë kohës së komunizmit.

Sot, dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit zënë hapësirën e një sërë dhomave të vogla në një depo qeveritare në skajet e Tiranës. Me skedarët e tejmbushur në raftet metalike dhe në kutitë e grumbulluara në tokë dhe dritare, është e vështirë të thuhet saktësisht sa e plotë është kjo arkivë. Mendohet se agjentët e ish-Sigurimit të Shtetit kanë shkatërruar mijëra dosje gjatë viteve të fundit të regjimit.

“Çdo ditë njerëzit vijnë këtu, zakonisht me pyetje për të cilat nuk kanë marrë përgjigje për një kohë të gjatë”, thotë Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. “Nëse ka gjëra që duhet t’i falin, për vete ose për prindërit e tyre, mendoj se ky është një shans i mirë. Shumë shpesh, ju e dini, një bashkëpunëtor dhe një viktimë ishin në të njëjtin rreth. ”

Gjyshi i znj. Sula ishte ndër shqiptarët që u zhdukën nga agjentët qeveritarë gjatë diktaturës. Pothuajse tre dekada më vonë, rreth 4,000 njerëz janë ende të listuar si të zhdukur.

Kombi ballkanik prej rreth 3 milion banorësh dikur ishte shtëpia e një prej regjimeve më brutale në botë. Disa ekspertë e kanë krahasuar Shqipërinë e rregjimit komunist me Korenë e Veriut, sepse kufijtë e saj u vulosën me gardhe elektrike dhe shqiptarët u ekzekutuan në përpjekje për të shpëtuar prej tyre.

Diktatori Enver Hoxha erdhi në pushtet pas mbarimit të të Luftës së Dytë Botërore dhe shërbeu si kreu i shtetit deri në vdekjen e tij më 1985. I njohur si paranojak, ai ngriti mijëra bunkerë betoni për t’u mbrojtur kundër një pushtimi të huaj që nuk erdhi kurrë.

Nën udhëheqjen e Hoxhës, feja, flokët e gjata, gjuha e ashpër dhe makinat private u ndaluan, si edhe kritika ndaj regjimit. Nëse një person është gjykuar si një kundërshtar, e gjithë familja mund të dërgohej në punë në fabrikat apo fushat e largëta.

Nga viti 1946 deri në 1991, rreth 6,000 persona u ekzekutuan, sipas Shoqatës Shqiptare të të Pwrndjekurve Politikë. Dhjetëra – mijëra të tjerë u burgosën ose u dërguan në kampet e punës për akuzat politike.

Ish-Sigurimi i Shtetit ishte shumë efikas.

Agjentët e ish-Sigurimit ndonjëherë quheshin si “mikrofona të gjallë”, sepse ishin gjithmonë duke dëgjuar. Por ky reputacion u mundësua nga mijëra shqiptarë të zakonshëm që i ndihmuan ata, duke punuar si bashkëpunëtorë zyrtarë, dhe mijëra të tjerë që funksiononin si informatorë më informalë, duke ofruar sekrete intime rreth atyre që njihnin. Mekanizmi i aparatit komunist u mbështet nga rrjeti raportues i njerëzve të komprometuar.

Kur diktatura ra në fillim të viteve 1990, shumica e agjentëve të ish-Sigurimit mbetën anonim.

Një ish-zyrtar, Nesti Vako, pranoi të fliste me NBC Neës në një kafene në qendër të Tiranës.

Si shefi teknik operativ i ish-Sigurimit, kam prodhuar çfarëdo teknologjie që u nevojitej”, tha Vako, i cili ushtroi profesionin e tij si shef teknik për 25 vjet. Vako thotë se agjentët e ish-Sigurimit përgjonin të gjithë vendin, me pajisje dëgjimi në kafenetë, zyrat dhe në të gjitha ambasadat e huaja.

Nëse Sigurimi kishte në objektiv një grua, agjentët mund të studionin edhe këpucët e saj dhe pastaj të bënin një palë kopje të tyre me një përgjues në thembër – dhe pastaj t’ia zëvendësonin pa e vënë re. Vako thotë se ai u dërgua një herë në Kinë, për të studiuar teknikat e survejimit.

“Më pëlqente shumë,” thotë Vako për profesionin e tij. “Ndihem shumë krenar për punën time. Unë kam qenë me fat që kam bërë këtë punë dhe kam zbatuar thjesht ligjin”.

I pyetur se çfarë mendonte për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit, Vako tundi kokën.

“Shikoni, hapja e dosjeve, sipas mendimit tim personal, është e ndërlikuar. Nuk është gjë e mirë”, tha ai. “Arsyeja është se nëse shikoni dosjet, ka raste kur një vëllai spiunon vëllain e tij”.

 

Patriotë apo tradhtarë?

Dosja e ish-Sigurimit për Velon është 250 faqe e gjatë dhe i është dashur disa muaj kohë për ta kuptuar atë. Bashkëpunëtorëve u janë vënë pseudonime, kështu që Velos i është nevojitur të bëjë studimin e provave – duke u kthyer sërish në kohë, për të kuptuar se kujt mund t’u referoheshin ato pseudonime.

Bashkëpunimin i shokut të tij e has më së shumti në dosje, 83-vjeçari Velo. Personi ishte një shok i tij piktor, dikush që Velo e ftonte në shtëpinë e tij. Kur Velo u arrestua, autoritetet deklaruan se veprat e tij ishin armiqësore dhe dogjën shumë nga pikturat e tij.

“Si mund të kisha imagjinuar se diskutimi mbi veprat e artit ishte një vepër penale?” – tha ai.

Pasi mori dosjen e tij, Velo mësoi se shoku i tij ishte ende gjallë dhe jetonte në Tiranë, por ai nuk u përpoq ta gjente.

Znj. Sula, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve të ish-Sigurimit, tha se është e shqetësuar, për faktin se njerëzit që jetojnë në Shqipëri sot nuk do ta kuptojnë kontekstin në të cilin u bënë, ose nuk u bënë zgjedhjet, nën diktaturë. Autoriteti që ajo drejton ka marrë qindra kërkesa për dosjet.

“Ishte një shoqëri e marrë peng,” – thotë ajo. “Kishte shumë propagandë.”

Ajo thotë se shumë bashkëpunëtorë besonin se ata ishin “duke i shërbyer vendit të tyre” dhe ishin “patriotë”, ndërsa të tjerët ishin të detyruar.

Pra, si mendon znj. Sula se ish-bashkëpunëtorët duhet të trajtohen sot?

“Keqardhja është një fjalë e madhe,” – thotë Sula. “Jo, nuk do të thosha keqardhje. Por unë kërkoj që njerëzit të bëjnë analiza të thella.”

Nga ana e tij, Velo thotë se nuk pendohet që lexon dosjen e tij, por nuk zgjidh gjë, gjithësesi.

“Amerikanët thonë, “Na vjen keq, na vjen keq ” 100 herë në ditë,” – thotë ai. “Këtu, askush nuk thotë kurrë, ‘Më fal’.