Shqipëria anëtarësohet në Rrjetin Europian të autoriteteve përgjegjëse për arkivat e ish-policive sekrete

Tiranë, 28 janar 2021 – Në kuadër të takimeve vjetore të institucioneve të Rrjetit Europian të autoriteteve përgjegjëse për arkivat e ish-policive sekrete, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit mori pjesë në mbledhjen online të zhvilluar nga Instituti Çek për Studimin e Regjimeve Totalitare.

Takimet e Rrjetit, të organizuara me radhë nga vendet anëtare, me të ftuar edhe vëzhgues e të interesuar, bëjnë një paraqitje të punës së institucioneve përkatëse në vendet e tyre, duke shkëmbyer përvoja, përballur sfida, ndërmarrë nisma e projekte të përbashkëta, nxitur bashkëpunime e botime.

Pranimi i Shqipërisë dhe AIDSSH-së si anëtar me të drejta të plota në Rrjet u bë me votë unanime të anëtarëve. Sipas përfaqësuesve të BSTU gjermane “Nuk mund të kishte kandidat më të mirë se Shqipëria, e cila po hap dosjet e komunizmit dhe po tregon historinë pas dokumenteve sekrete, duke bashkëpunuar me institucionet publike dhe vendore, akademikët, grupet e interesit, shoqatat e të drejtave të njeriut dhe përfituar nga përvoja e homologëve”.
Kjo është përgjegjësi e shtuar e AIDSSH për trajtimin e së shkuarës së afërt, dokumentacionit, punës hulumtuese, edukuese dhe ndërvepruese me të rinjtë.

***
Shqipëria merr pjesë në takimet e Rrjetit Europian me status vëzhguesi, që prej krijimit të AIDSSH në 2017. Rrjeti përfshin institucionet arkivore dhe të kujtesës të Europës Lindore, të cilët zhvillojnë veprimtari akademike dhe të përkujtimit në vendet përkatëse, duke filluar nga themeluesit, Gjermania, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Çekia, Sllovakia, Polonia, e më gjerë, vendet vëzhguese, me institucione arkivore të ish-Jugosllavisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik.

Shqipëria kërkoi të anëtarësohej me të drejta të plota në Rrjet, nëpërmjet Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në mbledhjen e zhvilluar në Bratislavë, më 25 shtator 2019. Kërkesa u pranua nga vendet anëtare dhe vendimi u la për takimin e radhës që, për arsye të pandemisë Covid-19, u shty për vitin 2021.

Aktivitetet vjetore të institucioneve të pranishme u prezantuan nga drejtuesit, të cilët në vijim miratuan rregullat procedurale të bashkëpunimit mes vendeve dhe institucioneve aplikuese, mes të cilave pranimin e Shqipërisë si anëtare dhe Ukrainës si vëzhguese.

previous arrow
next arrow
Slider

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *