Prezantohet libri me dëshmi të familjarëve të të zhdukurve në diktaturë dhe ekspozita virtuale “Sigurimi në fjalët e veta”

Ceremonia përmbyllëse e projektit ICMP-AIDSSH për rritjen e ndërgjegjësimit për të zhdukurit gjatë regjimit komunist

Tiranë, 24 shkurt 2022 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit prezantoi librin me dëshmi për të zhdukurit dhe ekspozitën virtuale “Sigurimi në fjalët e veta”, në mjediset e reja, pranë garnizonit Skënderbej, Rruga e Dibrës.

Ceremonia përmbylli projektin ICMP-AIDSSH “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit: të zhdukurit të komunizëm”, të mbështetur nga BE dhe Ambasada Zvicerane.
Të gjitha produktet e rëndësishme të këtij projekti që e ndikoi ndjeshëm debatin shoqëror mbi të zhdukurit në komunizëm u prezantuan në aktivitet, në gjuhën shqipe dhe angleze.

Të pranishëm në ceremoni, familjarë të të pagjeturve të komunizmit; përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve dhe kujtesës, përfaqësues të institucioneve, ICMP për Shqipërinë, të grupeve të interesit, trupit diplomatik, aktorë të shoqërisë civile, gazetarë dhe të rinj.

Gjatë aktivitetit u bë një paraqitje e punës së Autoritetit, ICMP dhe partnerëve në të gjithë vendin, për rritjen e ndërgjegjësimit për çështjen e të zhdukurve në diktaturë, qartësimin e fatit të tyre, për ruajtjen e vendvarrimeve dhe më tej, kthimin në vende kujtese.

Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula, foli për rëndësinë e trajtimit të rasteve të të pagjeturve dhe standardin që duhet të përmbushë shoqëria sot. Duke cituar Solzhenicinin, sipas të cilit: “Bota, njerëzimi, nuk mund të ekzistojë përballë dy sistemeve të vlerave, sepse ne do të copëzoheshim nga kjo pabarazi ritmi, kjo pabarazi vibrimesh. Ashtu si një njeri me dy zemra nuk është për këtë botë, as ne nuk do të mund të jetonim kështu krah për krah, në një tokë,” Kryetarja Sula këmbënguli që t’i njohim e të trajtojmë të drejtat e mohuara të pagjeturve dje dhe të familjarëve të tyre sot, duke u distancuar nga indoktrinimi, stigma e luftës së klasave dhe ideologjia, me zemër të hapur dhe pa nënvlerësuar asnjë rast.

Z. Luigj Ndou, përfaqësues i ICMP për Shqipërinë, tha se “rrëfimet tragjike të përshkruara në këtë libër janë reflektim i ngjarjeve tragjike që do të mbeten për një kohë të gjatë në kujtesën e e këtij vendi. Ky reflektim nuk bëhet për ata që kanë ikur në mënyrë të padrejtë, në mënyrë arbitrare dhe çnjerëzore, por për brezat që do të vijnë, përndryshe, nuk mund të kemi një shoqëri demokratike që synon t’i bashkohet familjes europiane dhe të adaptojë vlerat e saj, me groposjen dhe harresën e së kaluarës.”

“Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë autoritetet shqiptare, por mendojmë se koha për të vepruar është tani, sepse infrastruktura ligjore është krijuar. Familjarët e këtyre personave nuk po kërkojnë lëmoshë nga institucionet, ata kërkojnë të drejtën e patjetërsueshme për t’u kthyer dinjitetin e humbur të të dashurve. Shpresoj që ky të jetë fillimi i shndërrimeve konkrete dhe Shqipëria të avancojë për t’i dhënë zgjidhje çështjes së personave që u zhdukën padrejtësisht gjatë regjimit komunist.”

Znj. Frederique Hanotier, përfaqësuese e Bashkimit Europian në Shqipëri, e vuri theksin në këtë raport e pabalancuar të shoqërisë me viktimat e së shkuarën komuniste. Ajo nënvizoi rëndësinë e këtij projekti mbresëlënës që u shtri në të gjithë vendin dhe arriti në të gjitha nivelet të trajtojë çështjen e të zhdukurve në diktaturë, duke e kthyer në çështje të ditës. Po ashtu, znj. Hanotier siguroi mbështetjen e BE-së për kauzën, duke kërkuar që institucionet të kryejnë detyrën e tyre.

Z. Skënder Vrioni, Sekretar i përgjithshëm i Autoritetit, foli për rezistencën në hapat e hedhur për të qartësuar fatin e të zhdukurit, për arsye të mosbesimit, kohës së gjatë pas rënies së komunizmit, apatisë së institucioneve, mungesës së koordinimit dhe protokolleve të mirëpërcaktuara. “E gjitha është dashur të përballet me punë serioze, takime me ekspertë, konsultime publike me palët dhe institucionet, për të finalizuar një produkt serioz.”

Sipas z. Vrioni, “sot kemi në dorë udhërrëfyesin për të drejtat e familjarëve të të zhdukurve, si bashkëpunim yni me ICMP, për të gjithë familjarët që duan të dinë cila është rruga ligjore për t’i kërkuar të dashurit e tyre, në shqip dhe anglisht, edhe për trashëgimtarët e atyre që u larguan nga vendi.
Po ashtu, kemi punuar fort për marrëveshje me Policinë e Shtetit, e cila u nënshkrua në fillim të shkurtit dhe me draft VKM që koordinon punën për të zhdukurit, me të gjitha protokollet standarde, që aplikohen sot nga praktikat më të mira botërore.
Ekspertë shumë të mirë të fushës kanë bashkëpunuar me Autoritetin për ta sjellë VKM që përcakton ligji 45/2015 i ndryshuar, sa më të plotë, pasi është konsultuar gjerësisht me palët dhe institucionet.
Sfida e radhës është t’i drejtohemi terrenit, aty ku janë vendet e dyshuara si vendvarrime të personave të zhdukur. Kjo është detyra jonë, e të gjitha institucioneve përgjegjëse, e partnerëve tanë vendas dhe ndërkombëtarë, e atyre që na mbështesin.“

Znj. Fatmira Nikolli, gazetarja që bashkëpunoi me Autoritetin për finalizimin e ekspozitës “Sigurimi në fjalët e veta” u shpreh se “ekspozita u rrek të sillte në mënyrë të thjeshtë historitë e 45 vjetëve, histori që vazhdojnë të mohohen edhe sot nga ata që patën fatin të mos ishin të dënuar.
Problemi i shoqërisë shqiptare është që ne mohojmë ato që s’kanë qenë fati ynë. Nëse një pjesë e shoqërisë shqiptare ka qenë në burgje, nëse një pjesë e shoqërisë shqiptare ka qenë e dënuar, nëse një pjesë e shoqërisë shqiptare ende nuk e di se ku i ka varret e të afërmve, arsyeja se pse ne nuk i zbardhim ende është sepse pjesa tjetër e mohon. E ka mohuar për 45 vjet e vazhdon ta mohojë edhe sot.
Nuk mund të bëhet ende drejtësi, nuk mund ta zbulojmë të shkuarën dhe as mund të gjejmë varret e atyre që janë zhdukur, për aq kohë sa nuk pranojmë se ajo që ka ndodhur është krim e vazhdon të mbetet krim edhe sot.”
Sipas z. Marçel Hila, ekspert që punoi me dëshmitë e familjarëve të të pagjeturve, “ajo që më ka bërë përshtypje nga dëshmitë është dhimbja e pafund që ata kanë përjetuar, ndaj është një mision i vyer për shoqërinë zbulimi i vendvarrimeve të atyre që u vranë dhe humbën jetën, trupat e të cilëve nuk iu dorëzuan kurrë familjes. Po ashtu, ngritja e strukturave përkatëse për ta ndjekur këtë punë në çdo fazë.”

Dr. Mirela Sinani, ekspertja që punoi me librin e dëshmive, përvojë në vijim të dëshmive të para të mbledhura, ato të kampit të Tepelenës, bëri një paraqitje të punës së saj me intervistat dhe të vërtetat ulëritëse të dhimbjes njerëzore, të shprehura nga familjarët e të zhdukurve.
Sipas Dr. Sinani, “shoqëria e sotme është e turpëruar dhe duhet të mbajë kokën ulur për mënyrën si janë trajtuar njerëzit me mendim të lirë, me mendim ndryshe, të cilët, edhe pas 30 viteve, jo vetëm që nuk janë gjetur e vendosur në varret familjare, por nuk janë rehabilituar, siç është detyrim i shoqërisë sot”.

Ceremonia u moderua nga Ardita Repishti, e cila e mbylli me fjalët e Atë Pjetër Mëshkallës:
“Për me kalue nëpër ujë hidhen gurë të mëdhenj e të vegjël, të parët, të dytët, të tretët…zhduken, zhyten, nuk shihen ma…. hidh e hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prapë hidhen të tjerë…deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet.
Ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë. Na jemi gurët, të mëdhenj e të vegjël, të hedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shihen ma, por janë në themel të parë…
Ky është synimi i themelit: Me u zhdukë e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumtun!”

Projekti që synoi rritjen e ndërgjegjësimit mbi personat ende të pagjetur, të dënuar nga regjimi komunist, u shtri për mbi një vit në të gjithë vendin.
Udhërrëfyesi për familjarët e të zhdukurve të komunizmit, në shqip dhe anglisht, u finalizua në konsultim publik dhe me grupet e interesit.
U zhvilluan takime dhe vizita në terren në Shkodër, Malësi të Madhe, Porto-Palermo, Himarë, Shën-Vasil, Sarandë, Tepelenë, Gjirokastër, Korçë e Maliq, ku u prezantua udhërrëfyesi dhe u mblodhën dëshmi mbi të pagjeturit.
Ekspozita “Sigurimi në fjalët e veta”, me 19 historikë të Sigurimit, ku policia sekrete e regjimit merr autorësi për krime e veprime të dhunshme, u prezantua më 30 gusht 2021, Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, në Kryeministri, me materiale të deklasifikuara për qëllime studimore.
Broshura voluminoze “Zhdukur”, me të gjitha materialet e ekspozitës, është një ndër botimet më të shpërndara të Autoritetit.
Sot ekspozita mund të vizitohet virtualisht, në dy gjuhë, në çdo kohë.
Libri “Të zhdukur në diktaturë, dëshmojnë familjarët”, me dhjetëra dëshmi të familjarëve, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, brenda dhe jashtë vendit, përmbledh historitë e shumta të familjeve që bashkëjetuan për vite me traumën e humbjes, të padijes dhe të përndjekjes. Historitë janë apel institucioneve për veprime konkrete. Disa prej të intervistuarve u ndanë nga jeta pasi dhanë dëshminë e tyre për Autoritetin.
Dy ekspozita të përhershme informuese në shqip dhe anglisht u vendosën në ish-kampin e internimit në Tepelenë dhe në ish-kampin e Maliqit, të parët memorialë që nderojnë vuajtjen e të pafajshmëve në zonë.

Të gjitha takimet u zhvilluan me praninë e drejtuesve të pushtetit lokal, Prokurorisë e Policisë rajonale, universiteteve të zonës, familjarëve të të pagjeturve të komunizmit; shoqatave të të përndjekurve dhe kujtesës, komuniteteve fetare.

Gjatë projektit, u bashkëpunua me institucionet përgjegjëse për koordinimin e protokolleve për qartësimin e fatit të të zhdukurit, në mbështetje të ligjit 45/2015, në disa tryeza të rrumbullakëta, të koordinuara nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe u nënshkrua marrëveshja mbi të zhdukurit në diktaturë, mes Autoritetit dhe Policisë së Shtetit