Përvjetori i ish- Sigurimit të Shtetit 20.03.2017

Përvjetori i ish- Sigurimit të Shtetit: AIDSSH publikon disa platforma e rregullore të përdorura gjatë diktaturës komuniste

20.03.2017

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSh), në funksion të realizimit të misionit te tij jo vetëm ligjor por edhe historik, me Vendim Kolegjial publikon disa Platforma të Punës Operative të Organeve të Punëve të Brendshme te diktaturës, si dhe një Rregullore të Evidencës Operative te ketyre organeve.

Më 20 mars 1943 u krijua ish-Sigurimi i Shtetit, nje instrument i diktaturës komuniste, dhe nisën të zhvillohen falangat e tij, të cilët kanë monitoruar, survejuar, ndëshkuar, internuar dhe burgosur njerëz që mendonin ndryshe, njerëz që  kishin në zemër idealin e lirisë, një ëndërr për një jetë ndryshe dhe larg diktatit dhe kontrollit të Partisë-Shtet.

Sot pas 64 vjetësh, AIDSSh nis një proces hapjeje me publikun, me fakte, dokumente, foto, filmime, që pasqyrojnë këtë veprimtari të errët, të keq orientuar, në funksion të mbajtjes me dhunë të pushtetit.

Sot, në këtë datë, AIDSSh ekspozon listën e Platformave mbi të cilat mbështetej veprimtaria e Sigurimit të Shtetit të asaj kohe:

  • Platforma e Punës Operative të Organeve të Punëve të Brendshme, viti 1977;
  • Platforma e Punës Operative të Organeve të Punëve të Brendshme, viti 1985;
  • Rregullorja e Evidencës Operative të Organeve të Punëve të Brendshme, viti 1987;

AIDSSh po shqyrton dhe përpunon edhe dokumente të tjera, deri më sot të konsideruara si tepër sekret, që do të hedhin dritë mbi ish-Sigurimin dhe rolin e tij në jetën e shqiptarëve. Këto materiale do të bëhen publike nëpëmjet faqes zyrtare të këtij institucioni.

Publiku do të kuptojë nga këto dokumenta të publikuara që ish Sigurimi ishte vecse një vegël gjakatare, në duart e partisë-shtet, e cila i merrte orientimet nga PPSH; madje partia-shtet i caktonte jo vetëm objektin e punës por edhe subjektin.

Çdo i interesuar, duke u njohur me këto materiale, mëson dicka me shumë mbi rolin e Sigurimit të Shtetit gjatë diktaturës së Partisë-Shtet si dhe mënyrën e organizimit të tij, si për metodën e hartimit të dokumentacionit sekret e teper sekret, që përbën dhe materialin bazë të AIDSSh.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është i bindur se transparenca lufton mohimin e vuajtjeve, garanton demokracinë dhe mospërsëritjen e gabimeve të së shkuarës.

01 Rregulore e evidencës operative,

1987 -Platforma e PO

1977 -Platforma e PO 1985