Përkujtimi i masakrës së 26 shkurtit 1951

Përkujtimi i masakrës së 26 shkurtit 1951

Në nderim të së shkuarës dhe në emër të shpresës…

Tiranë, 25 shkurt 2019 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim me institucione publike, qytetarë, familjarë të martirëve të 26 shkurtit, të rinj dhe grupe të interesit organizuan disa aktivitete përkujtimore përgjatë javës 20-26 shkurt 2019. Aktivitetet ishin të hapura për median.

Më 20 shkurt, në përvjetorin e rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës u projektua në fasadën ballore të Muzeut Historik Kombëtar instalacioni “Edhe muret kanë veshë” i artistes konceptuale Alketa Xhafa Mripa, që nderon dinjitetin njerëzor të viktimave dhe të mbijetuarve të krimeve të komunizmit. Instalacioni është një krijim shumëdimensional i kujtesës kolektive për ata që u dënuan, humbën lirinë apo jetën në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste. Shprehjet, dikur të ndaluara, u projektuan në formate të mëdha në fasadën ballore të Muzeut Historik Kombëtar duke ndriçuar errësirën, duke riafirmuar vlerat europianiste, që ishin dhe vizioni i rrëfimtarëve.

Përkujtimi i rrëzimit të shtatores në vitin 1991 hapi organizimet e Autoritetit përgjatë një jave, me nisma konkrete e bashkëpunim me institucionet e Presidentit të Republikës dhe Bashkinë e Tiranës, po ashtu me qytetarët e të interesuarit e drejtpërdrejtë për zbardhjen e masakrës së 26 shkurtit 1951, ku u ekzekutuan pa gjyq 22 intelektualë të pafajshëm.

Më 25 shkurt, me propozim të AIDSSH, Presidenti i Republikës nderoi me titujt për “Merita të veçanta civile” dinjitetin njerëzor të personave të përfshirë në zbardhjen, përkujtimin dhe dokumentimin e ngjarjes së 26 shkurtit, tronditëse në historinë e shtetit komunist. Përmes një narrative të mbijetesës, respektit të heshtur, solidaritetit njerëzor dhe humanizmit pa bujë, të mbështetur në fakte, Autoriteti dorwzoi pranë Presidentit të Republikës kërkesën për vlerësimin e personaliteteve të thjeshta njerëzore, njëkohësisht, modele frymëzuese për shoqërinë e sotme shqiptare. Figurat e nderuara risollwn në vëmendje çështjet e vendvarrimeve të humbura dhe dinamikave njerëzore për zbulimin e së vërtetës dhe dokumentimin e saj.

Më 26 shkurt, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Autoriteti dhe familjarët e viktimave finalizuan një angazhim të përbashkët, të nisur muaj më parë, për emërtimin “26 shkurti” të rrugës që të çon në vendekzekutimin e të martirizuarve. Një pelegrinazh i dhimbjes e shpresës për zbardhjen e të vërtetave të mbuluara nga harresa nis në vendin e ekzekutimit dhe përfundon  në varrezat “Dëshmorët e Kombit”, ku prehen sot të pushkatuarit pa gjyq të 1951. Ceremonia u zhvillua në fshatin Mënik të Pezës, pranë Urës së Beshirit, me pjesëmarrjen e familjarëve të shumtë, shoqatave të të drejtave të njeriut, të përndjekurve politikë dhe të rinjve të zonës. Pas përkujtimit të tragjedisë së 26 shkurtit, qytetarët u drejtuan në varrezat “Dëshmorët e Kombit”, për të nderuar intelektualët që edhe atje prehen në një varr masiv.

Autoriteti ka ndërmarrë nisma ligjore dhe hapa konkretë për kthimin e vendvarrimit të Mënikut në vend kujtese, të njohur dhe të vizitueshëm për qytetarët e të rinjtë. Sipas dëshmive, zona në fjalë është vendvarrim i zgjeruar i shumë të pushkatuarve pa gjyq për vite me radhë nga sistemi komunist. Me vlerësimin e një date si 26 shkurti dhe sjelljen në vëmendje të një vendi si Mëniku, duke hedhur dritë në të shkuarën, vlerësuar sakrificën dhe dinjitetin njerëzor të njerëzve të thjeshtë, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë kryen detyrën e vet qytetare dhe risjell në vëmendje çështjen e vendvarrimeve të humbura; impaktin social, individual e shoqëror të së drejtës themelore të njeriut për të jetuar denjësisht dhe prehur njerëzisht, përtej kohës, politikës apo ideologjive kalimtare.

Për arsyet e mësipërme, po më 26 shkurt, në teatrin “Metropol” të kryeqytetit, për qindra të rinj transmetohet dokumentari “Terrori 1951” i gazetarit Ferdinand Dervishi, që i njeh me masakrën e 68 vjetëve më parë. Filmi është punuar me materiale arkivore dhe dëshmi mbi ngjarjen, të atyre që e jetuan apo u ndëshkuan me pretekstin e bombës në legatën sovjetike.

Veprimtaritë për rivlerësimin e figurave, ngjarjeve historike dhe bashkëpunimi me institucionet e qytetarët ngrenë çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut duke ndihmuar hedhjen dritë në të shkruarën dhe përmbushur përgjegjësinë ndaj brezave të rinj për një shoqëri demokratike.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

Prezantimi i AIDSSH “Masakra e 26 Shkurtit 1951”