Njoftim për shtyp

NJOFTIM PËR SHTYP

Nisur nga  publikimet në portale të ndryshme, media etj., për pastërtinë e figurës së kandidatit anëtar për KLP të z. Kozma Jano, por njëkohësisht edhe nga kërkesa e paraqitur nga vetë i interesuari, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish – Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)  në mbledhjen e datës 01.02.2018 morri në shqyrtim rastin duke u bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, në ligjin nr. 8480, datë 27.5.1999 “Për Funksionimin e Organeve Kolegjiale të Administratës Shtetërore dhe Enteve Publike”, në K.Pr.Administrative, si dhe në Rregulloren“Për Organizimin dhe Funksionimin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit”, miratuar me Vendimin nr.21, datë 09.05.2017 të Autoritetit.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si Institucion, i pavarur, është përgjegjës për zbatimin e ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to të subjekteve të përcaktuara në këtë ligj.

Sipas nenit 5, pika 6 të ligjit nr. 45/2016, si dhe dispozitave të Rregullores së Institucionit, Autoriteti me vendim të veçantë dhe të arsyetuar, korrigjon çdo informacion që rezulton i pasaktë, pas konstatimit nga vetë Autoriteti apo verifikimit me kërkesë të personit të interesuar, duke bërë reflektimet përkatëse në dokumente.

Në këtë kuadër, bazuar dhe në dispozitat ligjore të sipërcituara me vendimin nr. 30, datë 01.02.2018 Autoriteti për të qartësuar figurën e kandidatit anëtar për KLP vendosi që të bëjë kërkim të thelluar në dokumentacionin arkivor të ish-sigurimit të Shtetit që i përket periudhës 29.11.1944 – 02.07.1991, si dhe në dokumentacionin arkivor të krijuar nga Komisioni që ka funksionuar sipas ligjit nr. 8001, datë 22.9.1995, “Për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare”, si dhe ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”.

Kërkimi i thelluar në dokumentacionin arkivor të ish-sigurimit të Shtetit  do ti shërbejë informimit mbi dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të subjekteve të përcaktuara në ligjin nr. 45/2015.

Autoriteti në përfundim të procedurave administrative do të informoj palët për rezultatet e kërkimit në dokumentacionin arkivor.

NJOFTIM PER SHTYP