Njoftim për shtyp: Reagim i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për emisionin Aktualitet në Shijak TV, të datës 24 maj 2018

Njoftim për shtyp

Reagim i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për emisionin Aktualitet në Shijak TV, të datës 24 maj 2018

Tiranë, 25 maj 2018 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit u përgjigjet aludimeve mbi punën e Autoritetit dhe transparencën me publikun, të bëra në emisionin Aktualitet në Shijak TV, të datës 24 maj 2018.

AIDSSH sqaron publikun në përgjithësi dhe kryesisht subjektet e ligjit 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish –Sigurimit të Shtetit” në veçanti, si më poshtë:

Autoriteti që nga koha e konstituimit e deri më sot, në zbatim të ushtrimeve të detyrave funksionale, ka vijuar t’i ushtrojë në përputhje me ligjin organik 45/2015 dhe tërësinë e ligjeve të tjera që ndikojnë direkt në mbarëvajtjen e punës së tij. Në çdo moment, Autoriteti është udhëhequr nga parimet e Kushtetutës, lidhur me transparencën dhe ligjshmërinë.

Pranë zyrave të AIDSSH është paraqitur z. Petrika Leka, në cilësinë e kërkuesit (i biri të ndjerit Genc Leka), i cili ka kërkuar shqyrtimin e dokumentacionit që ekziston dhe është përgatitur për z. Genc Leka nga struktura të ish-Sigurimit të Shtetit. Në këtë kontekst, z. Leka u njoh me dokumentacionin origjinal përkatës, Dosje Formulare dhe Dosje Hetimore Gjyqësore (dosjet e krijuara në ngarkim të shtetasit Genc Leka) dhe vlerësoi që ky dokumentacion t’i jepet i plotë.

Në aktivitetin përkujtimor të 40-vjetorit të pushkatimit të poetit Genc Leka, organizuar nga AIDSSH, të birit të poetit i janë dorëzuar kopje elektronike të Dosjes Formulare, në total 179 fletë dhe Dosje Hetimore Gjyqësore, në total 1467 fletë, sipas procesverbalit të datës 17 korrik 2017, të nënshkruar nga vetë z. Petrika Leka.

Vlen të theksohet se e njëjta praktikë është ndjekur edhe me të bijën e poetit Vilson Blloshmi. Njohja dhe dorëzimi i dokumentacionit i është bërë trashëgimtares së tij ligjore, sipas të drejtës që i njeh ligji.

Sa i përket strukturës dhe organizimit të punës, çdo vit, lloji i pozicioneve për rekrutim dhe numri për çdo pozicion bëhet me vendim të Autoritetit, bazuar në relacionin përkatës të Sekretariatit Teknik. Si institucion i pavarur bazohet në procedurat dhe detyrimet ligjore që kryesisht rrjedhin nga zbatimi i ligjit nr.152/2013 “Për Nëpunësin Civil”, i ndryshuar si dhe akteve nënligjore përkatëse, si VKM Nr. 242, datë 18/03/2015“Për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese”; VKM Nr. 243, datë 18.03.2015,“Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, si dhe aktet e tjera nënligjore dhe udhëzimet përkatëse të Departamentit të Administratës Publike (DAP).

I gjithë procesi i rekrutimit bëhet i hapur dhe transparent, nëpërmjet publikimit të njoftimeve/procedurave  përkatëse (për institucionet e pavarura), në faqen zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, faqen zyrtare të AIDSSH dhe stendat e informimit të publikut. Bazuar në rezultatet perfundimtare të procesit të rekrutimit, në bashkëpunim me ASPA-n (Shkollën Shqiptare të Administratës Publike) dhe kalendarin e tyre vjetor, organizohen trajnime të detyrueshme për punonjësit  në provë (jo me statusin e nëpunësit civil) apo trajnime të nevojshme, në përputhje me nevojat dhe kërkesat e vendit të punës për pjesën tjetër.

Për të arritur në finalizimin e një dokumenti strategjik që përcakton punën e Autoritetit gjatë këtij mandati, në datat 12-13 prill të vitit 2017 u organizuan takime pune me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të OSBE-së, PNUD-it dhe ambasadorëve të Zvicrës, Gjermanisë e Bullgarisë në Tiranë, drejtuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Institutit të Studimeve Politike, Institutit të Historisë, Fakultetit të Drejtësisë, Shërbimit Informativ Shqiptar, gazetarëve dhe stafit të Autoritetit. Përgjatë seminarit u diskutuan dhe trajtuan sfidat që përfshin mbledhja dhe përpunimi i arkivit të ish–Sigurimit, asgjësimi ose mungesa e dokumentacionit shoqërues, manipulimi i arkivave, krahasuar me praktikat e institucioneve europiane, si ndihmë për AIDSSH në procesin e pasqyrimit me vërtetësi të së shkuarës së shoqërisë shqiptare dhe metodave që përdorin institucionet homologe në vende të ndryshme të Europës.

Takimi dyditor përfundoi me përgatitjen e një dokumenti strategjik dhe nënshkrimin e tij për vënien në zbatim të punës së Autoritetit për një periudhë 4-vjeçare. Ai shërbeu për prezantimin e punës së institucionit të ri të pavarur. Ky informacion është përfshirë në Raportin vjetor të punës 2017, paraqitur Kuvendit të Shqipërisë.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

 

Njoftim per shtyp date 25 Maj 2018