Njoftim per Shtyp, Nenshkrimi i Marrëveshjes AIDSSH-IH Ali Hadri Prishtinë

NJOFTIM PËR SHTYP

Tiranë, 29 maj 2018 – Sot, në mjediset e AIDSSH-së, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dhe Institutit të Historisë “Ali Hadri” Prishtinë, mes znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit dhe z. Gjon Berisha,  Drejtor i Institutit, në prani të historianëve, studiuesve dhe kërkuesve shkencorë.

Objekt i marrëveshjes është institucionalizimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit të ndërsjellë, për mbështetjen e kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së Sigurimit. “Sot konkretizohet një projekt i ri mes AIDSSH-së dhe komunitetit të historianëve në Kosovë e Shqipëri, “Kosova në dokumentet sekrete ‘44-‘90”, bashkëpunim që do të zgjasë në kohë, me kontributin e studiuesve më të përgatitur dhe në kushtet e ruajtjes së të dhënave personale e interesit kombëtar”, u shpreh për të pranishmit kryetarja e Autoritetit, znj. Sula. “Të dy institucionet do të bashkërendojnë punën për kryerjen e studimeve shkencore në materialet arkivore, mbi rolin dhe funksionimin e ish-Sigurimit të Shtetit në shtet dhe shoqëri, gjatë periudhës 29 nëntor 1944-2 korrik 1991; do të ndërtojnë bashkërisht projekte studimore e botuese si dhe do të kryejnë hulumtime në arkivat shqiptare e të huaja për këtë periudhë”.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje kemi mundësi të hedhim dritë mbi ngjarje dhe personazhe historike, bazuar në dokumentet e panjohura që gjendjen në arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit. Po ashtu, kjo është mundësi shumë e mirë që risitë të integrohen në “Historinë e Kosovës””, theksoi në fjalën e vet z. Gjon Berisha, Drejtor i Institutit të Prishtinës.

  1. Sabit Syla, kërkues shkencor, bartës i projektit “Historia e Kosovës”, vuri në dukje se “marrëveshja do të na ndihmojë shumë në kohën kur po përgatitet edicioni 4-vëllimësh i “Historisë së Kosovës”, si pjesë e historisë kombëtare e më tej, asaj rajonale. Në veçanti, do t’i ndihmojë historianët për zbardhjen e qëndrimeve zyrtare të Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë gjatë sistemit komunist”.

Duke vlerësuar nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla të bashkëpunimit, znj. Sonila Boçi, përfaqësuese e Institutit të Historisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike, nënvizoi se këto nisma e zgjerojnë rrjetin e studiuesve dhe krijojnë premisat për t’i shkuar historisë në thellësi.

Autoriteti dhe Instituti i Historisë së Prishtinës do të bashkëpunojnë për hartimin e planeve të përbashkëta vjetore të aktiviteteve për edukimin qytetar, konferencave, takimeve të punës, etj. Veprimtaria e përbashkët kërkimore-shkencore do të realizohet në kuadër të nismave rajonale, ballkanike, europiane dhe botërore, ku institucionet vënë në dispozicion të njëri-tjetrit botime, publikime, studime që kanë të bëjnë me veprimtarinë dhe funksionimin e ish-Sigurimit të Shtetit, në përputhje me kriterin e rëndësisë historike kombëtare. Ky bashkëpunim synon të konsolidojë njohjen e së shkuarës mbi baza shkencore, në funksion të transparencës dhe komunikimit profesional me opinionin publik.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.