Njoftim për shtyp “E VËRTETA E INXHINIERËVE TË KËNETËS SË MALIQIT” Përvjetori i ekzekutimit të inxhinierëve të ekzekutuar pas Gjyqit të vitit 1946

Tiranë, 21 nëntor 2017

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Institutin e Historisë dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike organizon takimin “E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit”, në sallën e konferencave të Fakultetit së Inxhinierisë të Ndërtimit, datë 21 nëntor ora 10:00. Aktiviteti përkujton të dënuarit që punuan për tharjen e kënetës të Maliqit, në përvjetorin e ekzekutimit të tyre pas gjyqit të hapur në nëntor të 1946. Veprimtaritë janë të hapura për median.

Takimi çelet me fjalën e mirëseardhjes së Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë, Asoc. Prof. Gëzim Hasko. Kryetarja e AIDSSH, znj. Gentiana Sula, mban fjalën e rastit mbi nismën e Autoritetit në organizimin e takimeve përkujtimore që hedhin dritë mbi të shkuarën, duke ridimensionuar raportin tonë dhe të shoqërisë me të vërtetën. Të pranishmit, me diskutimet e tyre, theksojnë nevojën për t’u përballur me transparencë me të shkuarën, duke konsoliduar demokracinë.

Në vijim prezantohen punimet shkencore të përfaqësuesve të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe  Akademisë së Studimeve Albanologjike. Familjarë të të ekzekutuarve përshëndesin të ftuarit, trashëgimtarë të të dënuarve, historianë e studentë, përfaqësues të institucioneve publike e joqeveritare, organizatave kombëtare e ndërkombëtare. Aktiviteti moderohet nga z. Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit.

Për takimin përkujtimor, AIDSSH ka zbardhur materialet arkivore që gjenden për këtë gjyq, përmes një CD me materialet e digjitalizuara dhe zotëron një dosje të plotë me lëndë arkivore, foto, studime për ngjarjen dhe pjesë filmike për të.

E ashtuquajtura “organizatë tekniko-sabotatore” përbëhej nga Abdyl Sharra, 35 vjeç, kryeinxhinier në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit, i akuzuar si “iniciatori kryesor i sabotimeve në stil të gjerë për ndërmarrjet e mëdha që bënte pushteti popullor”; Kujtim Beqiri, 30 vjeç, bir i një familjeje patriotike, medalje e artë në inxhinieri civile në Universitetin e Vjenës, drejtor në punimet e Maliqit; Vasil Mano, inxhinier në kënetë, i akuzuar bashkë me të shoqen Zyrikën (e cila u pushkatua shtatzënë), për lidhje dhe kontakte të herëpashershme me agjentët e UNRRA-s; Pandeli Zografi dhe Mario Guarnieri, gjeometra në kënetën e Maliqit; Eugenio Scaturro, italian, llogaritar në Maliq; Mihal Stratobërdha, Anastas Risto dhe Jani Vasili.

Proceset gjyqësore të të pandehurve filluan më 8 nëntor 1946 dhe përfunduan pas 10 ditësh. Gjatë asaj periudhe, lajmi kryesor në vend ishte gjyqi ndaj të bujshmit “grupi i sabotatorëve të kënetës së Maliqit”. Procesi, që transmetohej publikisht me altoparlant, u zhvillua në kinema “Nacional”, me skenar të parapërgatitur në detajet më të vogla. Pas shpalljes së vendimit, ku u goditën disa nga figurat e shquara atdhetare e intelektuale të Shqipërisë, grupi i dënuar me vdekje u ekzekutua në Maliq, më 19 nëntor 1946. Menjëherë vijuan arrestimet në masë të rreth 80 ish-nxënësve të shkollës teknike të Harry Fulzit dhe u arrit në shkëputjen e marrëdhënieve me SHBA-në e Britaninë e Madhe, për t’u bërë pjesë aktive e kampit të Lindjes Komuniste.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.