Njoftim për shtyp datë 23.08.2017, Dita Europiane e Kujtesës për Viktimat e Stalinizmit dhe Nazizmit

Dita Europiane e Kujtesës për Viktimat e Stalinizmit dhe Nazizmit

 

Tiranë, 23  gusht 2017 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar zhvillojnë një aktivitet të përbashkët pranë Muzeut Historik Kombëtar, në sallën UNESCO, në orën 10.00, me rastin e përkujtimit të Ditës Europiane të Viktimave të Nazizmit e Stalinizmit. Aktiviteti është i hapur për median.

Drejtuesit e institucioneve, znj. Gentiana Sula dhe z. Dorian Koçi, e të ftuar të tjerë bashkëbisedojnë me ish-të dënuar të ndërgjegjes dhe trashëgimtarë të tyre, historianë e kërkues shkencorë, akademikë e studentë, përfaqësues të institucioneve publike dhe joqeveritare, organizatave kombëtare e ndërkombëtare, në një ditë që fton për reflektim dhe reagim, (e njohur si Black Ribbon Day). Duke dënuar çdo formë të totalitarizmit dhe duke vlerësuar sakrificën e atyre që iu kundërvunë diktaturës, personaliteteve të njohur e të panjohur që përbëjnë fibrën morale të shoqërive post-totalitare, takimi përkujtimor vë në qendër dinjitetin e viktimave dhe “luftën për të mbetur njeri” e po ashtu, synon vetëdijësimin për shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera midis viteve 1944 dhe 1991 nga regjimi komunist i Shqipërisë.

I udhëhequr nga parimet e pajtimit dhe unitetit kombëtar, AIDSSH vijon dialogun ndërveprues mes individëve, institucioneve e organizatave për procesin e transparencës mbi të kaluarën komuniste, nëpërmjet ndërgjegjësimit të opinionit publik. Nga ana tjetër, AIDSSH shpreh angazhimin e shoqërise shqiptare për t’u shkëputur nga e kaluara dhe për të penguar që këto shkelje të të drejtave të njeriut të përsëriten, duke konsoliduar demokracinë.

Përgjatë 23 gushtit do të ketë shfaqje maratonë të filmave me tematikë antitotalitare në të gjitha televizionet shqiptare dhe platformat digjitale, si nismë qytetare e Autoritetit që e fton shoqërinë të reflektojë për marrëdhënien me të shkuarën dhe ndikimin e saj në të sotmen.

23 gushti përkujton Ditën Europiane të Viktimave të Nazizmit e Stalinizmit, duke i konsideruar “dëbimet, vrasjet dhe skllavërimet masive të kryera në kuadër të akteve agresive të stalinizmit dhe nazizmit, kategori e krimeve kundër njerëzimit”. Po sipas PE, “23 gushti duhet të përkujtojë e nderojë në mënyrë të denjë e të paanshme kujtimin e viktimave të dëbimeve dhe asgjësimeve masive”.

Më 23 gusht 1939 u nënshkrua pakti Molotov-Ribbentrop ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë Naziste, që e ndau më dysh Europën. Kjo datë përkujton viktimat e regjimeve totalitare, pa bërë kurrfarë dallimi ndërmjet tyre.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

Fjala e mbajtur nga Zj. Gentiana SULA

Kumtesa e Z. Marenglen KASMI