Njoftim për shtyp Datë 22.02.2017 lidhur me viziten e Eurodeputetit dhe Raportuesit për Shqipërinë në BE z. Knut Fleckenstein në zyrat e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet  e Ish-Sigurimit të Shtetit

Njoftim për shtyp  Datë 22.02.2017

Lidhur me viziten e  Eurodeputetit dhe Raportuesit per Shqipërinë në BE z. Knut Fleckenstein ne zyrat e Autoritetit te Informimit mbi Dokumentet e Ish Sigurimit te Shtetit

Në datën 22.02.2017 Eurodeputeti dhe Raportuesi per Shqipërinë në BE z. Knut Fleckenstein i shoqëruar nga z. Jan Rudolph dhe z. Alvaro Benlloch Miranda u takuan me Autoritetin e Informimit mbi të Dhënat e Ish sigurimit të Shtetit me përfaqësues znj. Gentiana Sula kryetare e Autoritetit, dhe Anëtarët e Autoritetit z. Altin Hoxha, z. Daut Gumeni, z. Simon Miraka dhe z. Marenglen Kasmi.

Znj. Sula informoi z. Fleckenstein mbi fillimin e punës të këtij institucioni të ri. Informoi mbi aktet nënligjore, vecanërisht VKM nr 98, datë 15.02.2017 “Për përcaktimin e procedurës së kalimit nën administrimin e Autoritetit Informimit mbi të Dhënat e Ish sigurimit të Shtetit të materialeve arkivore të ish-sigurimit të shtetit, që gjenden në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë  e Brendshme, Shërbimin Informativ të Shtetit dhe në autoritetet e tjera publike”, rregulloren e brendshme, takimet me donatorë dhe përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë.

Znj. Sula informoi gjithashtu për fluksin e madh të punës me të cilen autoriteti është ndeshur që në momentet e para të krijimit. Nga kërkesat e familjarëve, janë hapur dosjet e para individuale, si dosja e Musine Kokalarit. Kanë mbrritur kërkesat e para nga autoritetitet publike, nga zyra e Presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit, që përfshin në total rreth 210 zyrtare të verifikuar mbi të dhënat nga ish sigurimi i Shtetit.

Eurodeputeti, Z. Fleckenstein u interesua të dinte volumin e punës së Autoritetit, marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe hapat konkrete në funksionimin e arkivave dhe godinës së vendosur ne dispozicion për Autoritetit duke vlerësuar si mjaft të rëndësishme pritshmërinë për punën e Autoritetit nisur edhe nga përvoja gjermane.

Fleckenstein këshilloi që Autoriteti të funksionojë në mënyrë të pavarur nga ndikimet politike dhe të marrë gjithë kohën e duhur për të kriuar nje produkt korrekt dhe të besueshëm.

Kryetarja e Autoritetit e ftoi zytarisht Z. Fleckenstein për t’iu bashkuar rrethit të miqve të Autoritetit, kërkesë e cila u pranua me kënaqësi nga Z. Fleckenstein.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqesore dhe Znj. Sula informoi se objektivat e Autoritetit janë që brenda vitit, Autoriteti dhe struktura në varësi të vendosen në ambientet e godinës së re që Qeveria ka vënë në dispozicion. Brenda 6 muajve do të përfundojë ndërtimi dhe krijmi i arkivit te Autoritetit ku do të arkivohen rreth 200.000 dosje të ndryshme të fondit të ish sigurimit të shtetit.