Njoftim për shtyp datë 20.07.2017 mbi marrëveshjen e AIDSSH dhe OSBE

Tiranë, më 20/07/2017

NJOFTIM PËR SHTYP

Sot në datë 20.07.2017, ora 14.00, në ambientet e AIDSSH-së u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), përfaqësuar nga Kryetarja znj. Gentiana Sula dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), përfaqësuar nga Ambasadori i saj z. Bernd Borchardt.

Prezent gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje ishin edhe z. Christof Graf, Ambasadori i Zvicrës znj. Anke Holstein, Zëvendës Ambasadorja gjermane dhe Konsull Tregtar si dhe anëtarët e Autoritetit z. Altin Hoxha dhe z. Marenglen Kasmi.

Z. Borchardt, Ambasador i OSBE u shpreh se Autoriteti ka krijuar dhe do të mbajë ndezur debatin për të shkuarën, debat i cili çon përpara dhe zhvillon shoqërinë.

Z. Graf, Ambasadori i Zvicrës theksoi se mandati juaj i transparencës është vendimtar për një shoqëri të paqtë në Shqipëri. Zvicra është me ju në këtë iniciativë delikate për të ndërtuar një histori kolektive dhe në debatin për të shkuarën, duke uruar shumë respekt dhe suksese.

Znj. Holstein, Zëvendës Ambasadorja gjermane në fjalën e saj u shpreh se studimi dhe kuptimi i të shkuarës do t’u udhëheqë në ngritjen e themeleve për të tashmen dhe të ardhmen. Autoriteti luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë në të ardhmen. Ne jemi të lumtur të ndajmë eksperiencën tonë në sfidat që keni përpara.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje vjen si rezultat, nga njëra anë e interesit të shprehur të OSBE-së dhe gatishmërinë e saj për të ndihmuar AIDSSh-në në përputhje me misionin e këtij Institucioni dhe, nga ana tjetër e domosdoshmërisë që ka AIDSSH-ja, për bashkëpunim me organizata të huaja, rajonale dhe ndërkombëtare që synojnë mbështetjen e procesit të transparencës mbi të kaluarën komuniste dhe viktimat e diktaturës.

OSBE-ja ka mbështetur AIDSSH-në që nga momenti i ngritjes së Institucionit, veçanërisht me asistencë ligjore në hartimin e akteve të brendshme të Institucionit të sapo krijuar. Prezenca e OSBE ka kontribuar në mbështetje të objektivit në kontekstin e Projektit të saj “Dialogu Kombëtar i Fazës I” dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë përmes zbatimit të ” Dialogu Kombëtar Faza II”.

AIDSSH-ja dhe OSBE-ja nënshkruajnë Marrëveshjen e Bashkëpunimit duke pasur në vëmendje:
 dispozitat e Kushtetutës dhe legjislacionit shqiptar në lidhje me të drejtat e njeriut;
 miratimin e ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit mbi dokumentet e Sigurisë Shtetërore të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
 interesin e opinionit publik, lidhur me ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e qytetarëve, për fillimin e këtij procesi aq të rëndësishëm dhe sensitiv;
 të ndërgjegjshëm për shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera midis viteve 1944 dhe 1991 nga regjimi komunist i Shqipërisë;
 angazhimin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për tu shkëputur nga e kaluara dhe të penguar që këto shkelje të të drejtave të njeriut të ndodhin përsëri;
 respektimin në mënyrë strikte standardet e të drejtave të njeriut, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e këtyre të drejtave.

Në kuadër të kësaj marrëveshje bashkëpunimi do të organizohen aktivitetet:
 Shkolla verore mbi “Komunizmi dhe Trashëgimia Komuniste në Shqipëri”
 Publikimi i një Doracaku për profesionistët e media-s për çështje të mbrojtjes së të dhënave personale si dhe aksesin e media-s në Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit;
 Kërkimi shkencor për të shkuarën komuniste pranë Autoritetit;
 Konferencë Shkencore në kuadër të hapje së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit;
 Ekspertizë për hartimin e një strategjie afatmesme;
 Organizimi i vizitave për stafin e Autoritetit pranë institucioneve homologe në vendet e Evropës;
 Mbështetje me pajisje informatike të AIDSSh-së.

Gjatë prezantimit të Kryetares së Autoritetit, Znj. Gentiana Sula për veprimtarinë e administratës së AIDSSH-së në përgjithësi Ambasadorit të Prezencës së OSCE në Tiranë, Z . Borchard, midis të tjerave prezent në zyrën e Drejtorisë së Informacionit ishte dhe z. Teki Iliazi në cilësinë e të afërmit, për t’u njohur dhe shqyrtuar dokumentacionin e krijuar nga struktura të ish-Sigurimit të Shtetit, në ngarkim të Shtetasit Muharrem Iliazi (babai i kërkuesit), sipas procedurave të përcaktuara në dispozitat e ligjit 45/2015.

Prezenca e tij në këtë takim dhe bashkëbisedimi me të nga Kryetarja e Autoritetit dhe përfaqësuesit e OSBE-së, përveçse një vlere të shtuar të transparencës së Autoritetit, përcolli dhe një emocion të veçantë dhe prekës të z. Iliazi, i cili në pak fjalë tha shumë më tepër, për dënimet e paqëna në vite dhe kalvarin e mundimshëm të vuajtjeve që kaloi kryesisht babai i tij dhe krejt familja nga regjimi monstruoz i asaj kohe.