Njoftim për shtyp, date 15.09.2017 ceremoni përkujtimore“Sabiha Kasimati”

Një vend nderi për shkencëtaren Sabiha Kasimati

Tiranë, 15shtator 2017 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Ambasadën Italiane,organizon në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në orën 10.00, ceremoninë përkujtimore“Sabiha Kasimati”: figura, vepra, përndjekja nga diktatura”. Takimi është i hapur për median.

Aktiviteti zhvillohet me rastin e 105-vjetorit të shkencëtares së parë shqiptare,duke e kthyer vëmendjen e opinionit publik të figura e saj dinjitoze. Personaliteti i Dr. Kasimatit trajtohet në aspektin personal e shkencor; po ashtu përndjekja gjatë diktaturës që ia mori të dyja: jetën dhe i mohoi veprën për dekada me radhë. Të pranishëm, familjarë të biologes së njohur, studiues, përfaqësues të trupit diplomatik, institucioneve publike eshoqërisë civile, profesorë e studentë.

Takimi hapet me fjalën e mirëseardhjes të Prof. Dr. Spiro Drushku, Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe vijon me fjalën e znj. Gentiana Sula, Kryetare e AIDSSH, institucion që po shqyrton aplikimin e familjes Kasimati, në lidhje me dokumentet e gjendura në arkiv për të. Përfaqësuesi i Ambasadës Italiane, Z. Maurizio Polselli, përshëndet të pranishmit.

Aktiviteti vijon me prezantimet e znj. Genta Sinoimeri, arkiviste; të z. Altin Hoxha, anëtar i AIDSSH dhe z. Ferdinand Bego, zv/dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku po vlerësohet personaliteti i saj shkencor në vendin ku punoi deri në 1951. Familjarë të Dr. Sabiha Kasimatit diskutojnë me të pranishmit për studiuesen e nderuar, viktimë e një proçesi farsë në vijim të të cilit u pushkatua bashkë me grupin e intelektualëve të ashtuquajturës “Bomba e Ambasadës Sovjetike”. “Historia e kësaj gruaje është shumë interesante nga shumë pikëpamje dhe mund ta quajmë pa asnjë ngurrim “një intelektuale perëndimore”, gjë jo shumë e zakontë për Shqipërinë e fillimshekullit të njëzetë.” Shprehej Daniela Vathi. Në mbyllje të takimit ekspozohet vepra e botuar dhe e pabotuar gjatë veprimtarisësë saj si studiuese, si dhe fakte e dëshmi nga personaliteti i saj si intelektuale.

Sabiha Kasimati (1912-1951) lindi në Edërne (Adrianopojë) të Turqisë, në prag të pavarësisë së shtetit shqiptar. U rrit si shqiptare në një familje të madhe, me kontribute atdhetare, kulturore e shkencore. Studioi në liceun francez të Korçës dhe Universitetin e Torinos, ku mbrojti doktoraturën me temë “Fauna ittica d’acqua dolce dell’ Albania” (Fauna iktike e ujërave tëëmbla të Shqipërisë). Në vitin 1947 nisi punën në Institutin e Shkencave dhe u emërua shefe e sektorit të zoologjisë.U arrestua në 1951 dhe u pushkatua pa prova e pa gjyq disa ditë pas arrestimit, në mënyrë të kobshme (e vetmja grua mes të 22 burrave, të lidhur me tela me gjemba).
Prej vitesh, studiues të shumtë, përmes të dhënave të publikuara, synojnë ridimensionimin e figurës së saj duke i dhënë vendin që i takon në historinë dhe shkencën shqiptare.

***
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.