Njoftim për shtyp datë 12.07.2017 Mbi Marrëveshjen e Bashkëpunimit midis AIDSSH dhe ISKPK

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) në bashkëpunim me Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri (ISKPK), më datë 12.07.2017, ora 10.00, në ambjentet e ISKPK-së, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit me objekt, institucionalizimin e marrëdhënieve për aplikimin e procedurave që thjeshtojnë bashkëpunimin e ndërsjellë të palëve, në kuadër të identifikimit, grumbullimit, administrimin e dokumenteve të materialeve arkivore të ish-sigurimit të shtetit dhe organeve të diktaturës komuniste, si dhe bashkëpunimi në fushën e botimeve, kulturës dhe promovimit të saj, që dëshmojnë periudhën për krimet e komunizmit në Shqipëri dhe periudhën që ka funksionuar ish-Sigurimi i Shtetit.

Në përmbushje të kësaj Marrëveshje, të dyja institucionet AIDSSH dhe ISKPK, vlerësojnë dhe çmojnë të arsyeshme kryesisht: të bashkërendojnë punën për kërkimin shkencor me qëllim rishqyrtimin historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit; të bashkërendojnë punën për edukimin qytetar nëpërmjet garantimit të mundësisë për shqyrtimin e dokumenteve të organeve të diktaturës komuniste, duke përfshirë dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të asaj periudhe; të organizojnë, hapin ose shkëmbejnë ekspozita që kanë si bazë pasurinë dokumentare apo kulturore në fushat respektive që dy Institucionet mbulojnë sipas ligjit; të organizojnë konferenca, takime, workshop-e për të nxitur ndërgjegjësimin e të gjithë atyre që u janë përpunuar/ruajtur të dhënat nga ish-sigurimi i shtetit, gjatë periudhës së diktaturës komuniste, me qëllimin krijimin e një kulture gjithëpërfshirëse për njohjen e dokumentacionit arkivor të kësaj periudhe;

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit, në funksion të ushtrimit të detyrave funksionale me qëllim përmbushjen e misionit të tij, mbetet i angazhuar që të lehtësojë procedurat, shkëmbejë njohuritë dhe praktikat më të përparuara në këtë fushë, dhe si një institucion i ri, garanton zbatimin korrekt dhe ligjor të kësaj Marrëveshjeje, në respekt të plotë të privacisë së individit, pa cenuar interesin publik.

Kjo Marrëveshje promovon kulturën e gjithëpërfshirjes për njohjen dhe ushtrimin e të drejtave të qytetarëve, njëherazi garanton transparencën e nevojshme, si një model për shoqërinë e hapur dhe demokratike, ku të drejtat dhe liritë e njeriut përbëjnë themelin e saj solid.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit, vjen jo vetëm si kërkesë e ligjit nr.45/2015 por edhe si rezultat i dëshirës së mirë tw dy Institucioneve për finalizimin e procesit tepër të rëndësishëm, atë të zbardhjes së veprimtarisë monstruoze të ish-sigurimit të shtetit, ku jeta e çdo individi ishte lodër në duart e tyre dhe vdekja ishte mjeti i tyre, por dhe mbartjes së përgjegjësisë për mënyrën se si do ta trajtojmë të kaluarën tonë, për periudhën 29 nëntor 1944-2 korrik 1991, periudhë kjo që përkon me fushën e veprimit të zbatimit të ligjit 45/2015.

Prezenca dhe pasqyrimi nga ana e mediave me realizëm i çdo zhvillimi të veprimtarisë së Autoritetit, por dhe nga mënyra si media e përcjell zhvillimin e tij në çdo etapë, mbi bazën e njohjes dhe interpretimit të mirë të ligjit, larg anshmërive dhe ndikimeve, padyshim është kontribut shumë i çmuar që forcon besimin publik dhe demokracinë në vend.

Marreveshja e bashkepunimit midis AIDSSH dhe ISKPK