Njoftim per shtyp datë 10 Tetor 2017 “70-vjetori i ekzekutimit të deputetëve opozitarë”

Deputetët për Deputetët

70-vjetori i ekzekutimit të deputetëve opozitarë

 

Tiranë, 10 tetor 2017 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë, Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike organizon takimin “Deputetët për Deputetët”, në sallën e seancave plenare. Aktiviteti përkujton “grupin e deputetëve” opozitarë, në 70-vjetorin e ekzekutimit të tyre. Veprimtaritë janë të hapura për median; seanca transmetohet live e mund të ndiqet edhe përmes adresës në Facebook të Autoritetit.

Takimi hapet me fjalën e mirëseardhjes të Kryetares së AIDSSH, znj. Gentiana Sula. Sipas saj, ”Kanë kaluar 27 vjet nga dita e rënies së sistemit totalitar dhe akoma ndihet një  mosartikulim historik i 45 viteve diktaturë. Figura si Musine Kokolari, Sabiha Kasimati, grupi i deputetëve e shumë të tjerë, ende nuk njihen mirë. Ditë kujtese si kjo e sotmja i shërbejnë pikërisht njohjes dhe artikulimit të përpjekjes sonë kombëtare për të mbrojtur si pasuri të çmuar mendimin ndryshe, që nuk reshti në diktaturë”.

Diskutimi mbi vlerat europiane të opozitarëve të parë, parlamentarizmin dhe mendimin ndryshe vijon me fjalën e Kryeministrit, z. Edi Rama, i pasuar nga kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha.

Partnerë të Autoritetit dhe të shtetit shqiptar në një sërë projektesh mbi të kaluarën e pasojat e saj vijojnë bisedën; z. Brian Williams, përfaqësues i Kombeve të Bashkuara në Tiranë; z. Bernd Borchardt, Ambasador i Prezencës së OSBE dhe znj. Suzanne Schutz, Ambasadore e Republikës Federale Gjermane. Në komentet e veta, secili prej tyre, – si mbështetës i projekteve të AIDSSH, për dosjet, studimin e dokumentimin e periudhës komuniste dhe personat e zhdukur, – thekson nevojën për t’u përballur me transparencë me të shkuarën, duke konsoliduar kësisoj demokracinë.

Në prani të familjarëve të të ekzekutuarve, të përndjekur për vite me radhë, trashëgimtarëve të tyre, historianëve e studentëve, përfaqësuesve të institucioneve publike dhe joqeveritare, organizatave kombëtare e ndërkombëtare, bashkëbisedimi vijon me fjalën e znj. Nevila Nika, familjare e fizikanit deputet Selaudin Tota dhe diskutimet e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, nga tre grupime parlamentare. Në një dialog të hapur, të gjithë bashkë në këtë seancë të posaçme reflektojnë mbi “të shkuarën, si pjesë e patjetërsueshme e raportit me të ardhmen si dhe raportin me vetveten, si shoqëri.” Në një shkëmbim idesh, znj. Jorida Tabaku, znj. Almira Xhambulla, z. Enkelejd Alibeaj, znj. Edlira Bode, znj. Kejdi Mehmetaj, z. Fatmir Mediu, znj. Eglantina Gjermeni, znj. Oriola Pampuri, z. Shezai Rrokaj, z. Romeo Gurakuqi, znj. Evis Kushi, znj. Klodiana Spahiu dhe z. Sadi Vorpsi, u japin zë deputetëve që iu pre jeta në mes, duke e kthyer vëmendjen te viktimat dhe ridimensionimi i tyre në shoqëri.

Më 10 tetor 1947 u ekzekutua “Grupi i deputetëve”. Për takimin përkujtimor, AIDSSH ka zbardhur materialet arkivore që gjenden për këtë gjyq, përmes nje CD me materialet e digjitalizuara dhe për herë të parë dorëzon një dosje të plotë me lëndë arkivore, foto, studime për ngjarjen dhe pjesë filmike për të.

Heqja e mandatit, arrestimi dhe dënimi i një grupi deputetësh të Asamblesë Kushtetuese/Kuvendit Popullor në vitin 1947, vetëm një vit pasi ky kishte marrë mandatin për të ushtruar veprimtarinë e tij, është një nga ngjarjet më tronditëse të historisë së komunizmit në Shqipëri. Nga të dënuarit, 15 qenë deputetë që iu kundërvunë herët kufizimit të lirive politike të shqiptarëve, duke u akuzuar si properëndimorë. Të gjithë deputetët e dënuar ishin personalitete me kontribut të spikatur në shoqërinë shqiptare. Ata vinin nga prejardhje të ndryshme shoqërore, arsimore e politike, por bashkoheshin në aspiratën për një Shqipëri moderne, me prosperitet ekonomik e shoqëror dhe për një sistem politik liberal. Deputetët opozitarë ishin përfshirë aktivisht, apo jo, në lëvizjen e rezistencës shqiptare. Ngjarja shënoi shkëputjen nga Perëndimi, që zgjati thuajse 5 dekada.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

Fjala e United Nations Albania

Fjala e Kryetares së AIDSSH znj. Gentiana Sula

Fjala e Kryetarit te Prezences Ambasador Bernd Borchardt

Fjala e Ambasadores Gjermane